Çmimet e arit u rritën gjatë javës së kaluar si rrjedhojë e forcimit të pritshmërive për lehtësim të mëtejshëm monetar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi të dhënat e dobëta për prodhimin në rajonin e Filadelfias i kapën investitorët në surprizë.
Besimi negativ rreth ekonomisë së SHBA-ve u përhap pasi Rezervat federale të Filadelfias thanë se indeksi i biznesit i rajonit ra në -5.8 në maj, niveli më i ulët që nga shtatori i vitit të kaluar, nga 8.5, që ishte në prill.
Tregtuesit e arit dhe investitorët u nxitën nga rënia e indeksit, duke qenë se herën e fundit që vëzhgimi i Fed për Filadelfian ra nga pozitiv në negativ në gusht 2011, ndodhi një muaj përpara se të fillonte raundi i lehtësimit sasior.
Numrat poshtë zeros sinjalizojnë një tkurrje në prodhim në zonën që mbulon Pensilvaninë Lindore, Nju Xhersin e Jugut dhe Delaware.
Të dhënat i nxitën investitorët që të marrin pozicione më të tërhequra, dhe metali i verdhë, i cili kishte arritur në nivelet më të ulëta prej katër muajsh e gjysmë në 1,527 dollarë për troy onz të mërkurën, u tregtua në 1,575.55 dollarë për troy onz, me rritje me 2.4% me bazë ditore.
Analistet theksojnë se kur ari është nën nivelin 1,550 dollarë, ka një kërkesë të fortë nga Azia Juglindore, përfshirë Tajlandën dhe Indonezinë. Ka gjithashtu blerje evidente nga India, thotë Walter de Wet në Standard Bank.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.