“Tree of Life” (Pema e Jetës) është një kompleks i qetë vilash, i projektuar për të ndihmuar vizitorët të largohen nga stresi dhe ankthi. Ai ndodhet në ujërat e Homestead në Florida.
Arkitekti iranian, Milad Eshtiyaghi, e konceptoi projektin si gjashtë vila të pavarura, të lidhura me shtigje. Si rrugët, edhe ndërtesat, lundrojnë butësisht në liqenin ekzistues duke i zhytur vizitorët në natyrë. Për t’iu përshtatur atmosferës paqësore rreth e qark, vilat janë projektuar me forma organike, pa skaje të ashpra, me përjashtim të çative me kënd.
Këto ndërtesa organike të “Tree of Life” u frymëzuan nga bimësia e peizazhit rrethues. Arkitekti thotë se duhet të ishin në të njëjtin stil, në mënyrë që kompleksi të “bëhej njësh” me natyrën e Homestead. Çdo vilë është si një gjethe në pemën më të madhe të projektit.
Eshtiyaghi thotë se perspektiva nga lart e projektit është e rëndësishme për të kuptuar vlerën e tij. “Kur e sheh projektin nga lart, duket si një pemë që ka qiellin në sfond (pasi në liqen pasqyrohet qielli)”. Arkitekti thotë se kompleksi është i rrethuar nga pemë dhe i lidhur simbolikisht me pemët nëpërmjet kësaj perspektive alternative të projektit.