Politikat e copëtuara për bujqësinë
Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se ajo e shtetit të dytë pas nesh, Kosova (11%). Në bujqësi, ende deklarohet se janë të punësuar rreth 40% e totalit të të punësuarve në vend.
Në kontrast me peshën e lartë të bujqësisë, industria përpunuese ushqimore mbetet e nënzhvilluar. Për të dhënë vetëm një shifër të thjeshtë, ky sektor, sipas INSTAT, kontribuon në më pak se 1% të PBB-së, ndërsa në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut zë rreth 3% të PBB-së, ndonëse bujqësia nuk kontribuon me më shumë se 6-7% të ekonomisë në këto vende fqinjë.
Problemet me të cilat përballet bujqësia dhe në linjë me të, zhvillimi i industrisë përpunuese, mbeten të shumta. Ato fillojnë që nga copëzimi i tokës që nuk lejon ekonominë e shkallës dhe pengon kreditimin (që zë më pak se 1% të totalit) ndërprerjet në zinxhirin e prodhimit, informalitetin e lartë dhe deri te politikat (mos)mbështetëse e çorientuese që janë ndjekur vazhdimisht.
Pavarësisht rritjes së eksporteve vitet e fundit, të nxitur kryesisht nga prodhimet e freskëta të frutave e perimeve, të gjithë faktorët e sipërpërmendur kanë sjellë konkurrueshmëri të ulët të sektorit, duke nxitur dhe emigrimin e popullsisë së zonave rurale.
Sidomos politikat e propozuara së fundmi nga institucionet shtetërore për bujqësinë rrezikojnë të prodhojnë rezultatin e kundërt për të cilin pretendohet dhe të zhbëjnë dhe atë pak formalizimin dhe rritje që po konstatohej vitet e fundit. Vendosja e TVSH-së prej 10% për lëndët e para bujqësore dhe heqja e kompensimit të TVSH-së për industrinë përpunuese, pasi në 2019-n ishte ulur nga 20 në 6% janë dhe dy masat më të kundërshtuara nga fermerët dhe shoqatat e agroindustrisë.
Industria përpunuese kishte filluar të ndiente pasojat që në 2020-n, kur ulja e kompensimit të TVSH-së nga 20 në 6% çoi për herë të parë në rritje të importit të qumështit, sipas të dhënave zyrtare nga Doganat, pasi prodhimi vendas u bë më pak konkurrues. Në të kundërt, deri në 2019-n, sektori kishte filluar formalizimin, e konstatuar nga rritja e numrit të fermerëve të regjistruar.
Protestat, deri në konflikte e bllokim rrugësh nga fermerët ndaj këtyre masave, të paktën një gjë e treguan të qartë: që këto politika nuk ishin të konsultuara aspak me grupet e interesit. Këta të fundit ankohen se nuk merren seriozisht dhe në disa raste, as nuk janë pritur nga institucionet vendimmarrëse.
Në relacionet e ndryshimeve ligjore, skemat e subvencionit që do të zëvendësojnë heqjen e kompensimit të TVSH-së, janë të përmendura shkarazi dhe të paqarta. Mungon dhe një analizë e qartë e segmenteve që do të preken nga ndryshimet dhe si skemat e reja do të arrijnë që të mbyllin të çarat, të ulin formalitetin, të nxisin mbylljen e ciklit dhe të rrisin eficencën e sektorit. Nga ana e tyre, aktorët e tregut ankohen se këto ndryshime do të “fundosin” fermerët, pasi pritet të rrisin koston e prodhimit dhe informalitetin (shiko shkrimin në faqen e brendshme të revistës).
P.sh., agroindustria vazhdon të jetë zinxhiri i këputur i vlerës në sektorin e bujqësisë. Ky sektor, për shkak të kostove të larta që prodhon mungesa e ekonomisë së shkallës, vuan nga fitimet e ulëta. Prodhimet e fushës, sidomos ato që teprojnë dhe nuk kanë kualitet të lartë, duke u përpunuar do të shiteshin me çmime shumë të larta dhe në këtë mënyrë, do të rrisnin edhe fitimet për prodhuesit. Ekspertët pohojnë se duhen disa investime që nuk kushtojnë shumë, por mund të rrisin ndjeshëm fitimet në këtë sektor.
Konflikti qeveri-biznes (fermerë, agropërpunues etj.) nxjerr dhe një herë në pah mungesën e politikave afatgjata zhvillimore dhe pasojat që sjellin politikat e copëtuara për bujqësinë. Ndërsa disa probleme si copëzimi i tokës janë strukturore dhe është e vështirë të zgjidhen, me pak vullnet, identifikim të problematikave, analizë të të gjithë zinxhirëve prodhues, tregtues e përpunues e mbi të gjitha, bashkëpunim mes palëve e mbështetje nga skemat e subvencioneve apo garancisë, mund të hartohej dhe realizohej një strategji ndërhyrjesh, që do të ndikonte në rritjen e vlerës së shtuar në shumë hallka.
Alternativat për zgjidhjet, propozimet dhe rezultatet e pritshme mund të jenë të shumta. E rëndësishme është që marrëdhëniet qeveri-biznes të kalojnë në një fazë tjetër bashkëpunuese, përpara se të merren vendimet dhe ndryshimet legjislative, ashtu siç është premtuar, të merren njëherë e mirë me konsensus mes gjithë palëve. Për më tepër, që bujqësia është sektori që do të ndikohet më së shumti nga ndryshimet klimatike, prandaj kërkon edhe strategji mitigimi të pasojave / risqeve të shtuara, me të cilat do të përballet ai në një të ardhme jo shumë të largët.