Dilemat e inflacionit
Dy janë skenarët që shkaktojnë një rritje të shpejtë të çmimeve. I pari, kur një sasi parash në rritje ndjek po të njëjtin numër të mirash ose shërbimesh, e njohur ndryshe si një goditje nga kërkesa.
I dyti, kur po e njëjta sasi parash ndjek një numër të zvogëluar të mirash dhe shërbimesh, e njohur ndryshe si goditje nga oferta. Politika monetare, sipas teorisë standarde makroekonomike, mund të ndikojë mbi skenarin e parë, duke zvogëluar sasinë e parasë në qarkullim. Ajo është e pafuqishme ndaj skenarit të dytë, pasi nuk ka mundësi të zgjerojë në afatin e shkurtër aftësinë prodhuese për të ofruar produkte e shërbime shtesë në treg.
Bota e zhvilluar sot po përballet me një kombinim faktorësh. Nga ana e ofertës, vonesat e transportit për shkak të COVID-19, e njohur ndryshe si ndërprerja e zinxhirit të furnizimit, kanë krijuar probleme logjistike në të gjithë globin. Çmimet e transportit detar, në disa prej kanaleve kryesore botërore, janë pesëfishuar.
Politika monetare është e pafuqishme përballë një problemi të tillë. Nga ana tjetër, nxitja monetare dhe fiskale që ekonomitë e zhvilluara lëshuan gjatë pandemisë kaloi nivelin e 10% të PBB-së, shifër e paparë që prej Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë e madhe e këtyre fondeve po ndikojnë sot në rritjen e vazhdueshme të kërkesës për të mira e shërbime.
Ky është skenari ndaj të cilit politika monetare mund të ketë efekt. Jo më kot, bankat qendrore kryesore botërore kanë filluar të rrisin normat bazë të interesit, ose të paralajmërojnë rritjen e tyre. Për më tepër, vende si SHBA ose Britania e Madhe, kishin filluar të dilnin nga dekada e normave të ulëta edhe përpara pandemisë.
Fatkeqësisht, situata ekonomike në Shqipëri është një kombinim i skenarëve më problematikë, duke e vendosur Bankën e Shqipërisë përballë dilemave të mëdha. Si një shtet i vogël, që importon një pjesë të madhe të produkteve të konsumit, Shqipëria përballet drejtpërdrejt me rritjen e çmimeve në rang botëror, që shkaktohen nga mbingarkimi i sistemeve të transportit.
Siç e thamë më sipër, ky është një skenar ku politika monetare kudo është e pafuqishme. Aq më pak janë mundësitë e shtetit shqiptar për të ndikuar mbi rrjetet e transportit botëror.
Nga ana tjetër, Shqipëria nuk lëshoi një stimul të madh fiskal e monetar në mbështetje të bizneseve gjatë pandemisë. Sipas të dhënave të FMN-së, paketat e ndihmës në Shqipëri nuk i kaluan as 2% të PBB-së, duke e renditur vendin tonë të fundit në rajon dhe ndër më ulëtit në Europë.
Si rrjedhojë, është e vështirë të argumentohet se ekonomia shqiptare ka përjetuar një goditje nga kërkesa, me injektime të shumta të likuiditetit. Përtej kësaj, rritja anemike e ekonomisë në dekadën e fundit, e shoqëruar me inflacion të ulët dhe nivel pagash konstant, nuk e justifikonte një rritje normash përpara pandemisë.
Përballë këtyre dy zjarreve, Banka e Shqipërisë do të duhet të vendosë nëse problemet afatgjata të vendit justifikojnë ndryshimin ose jo të normave dhe kur inflacioni do të vazhdojë të rritet. Veçanërisht duke pasur në vëmendje që vendimmarrjet në lidhje me stimulin monetar të munguar në Shqipëri nuk i kanë kursyer hapësirat për hyrje në borxh. Përkundrazi, borxhi publik i Shqipërisë është në nivel të lartë dhe konsiderohet problematik.
Zgjidhja tjetër, dhe mbase më e rëndësishmja, i takon qeverisë. Ky do ishte momenti i duhur për të analizuar strukturat e tregut të brendshëm e për të çliruar tregje të prekura nga monopole. Të ndier të sigurt në pozitat e tyre, në vend që të përmirësonin proceset e brendshme, të rrisnin eficiencën apo inovacionin, kompanitë e mëdha lokale përcjellin rritjen e çmimit në tregje ndërkombëtare, pa asnjë pengesë drejt konsumatorit shqiptar.
Por, fatkeqësisht, lufta ndaj monopoleve vazhdon të mbetet një temë tabu për rregullatorët shqiptarë. Përfundimisht është arritur në situatën ku problemet strukturore të ekonomisë nuk kanë lënë hapësira që politika monetare të jetë e efektshme, edhe nëse merret në kushte të pavarësisë reale.