Lajmësi nuk vritet!
Në teorinë e ekonomisë, çmimet konsiderohen shpesh si lajmësi që shpërndan mesazhin. Rritja, ose ulja e tyre, ndodh për shkak të kërkesës dhe ofertës, por dhe strukturës së prodhimit, konkurrencës në treg, ndërhyrjeve favorizuese, etj.
Të përpiqesh të menaxhosh uljet apo rritjet e çmimeve, duke i përcaktuar ato me forcën e ligjit, është e ngjashme me eliminimin e një lajmësi për të mos marrë mesazhe që nuk të pëlqejnë.
E mesazhi i rritjes së çmimeve këtë fillimviti është i qartë: ekonomia shqiptare ka probleme të thella. Duke u përpjekur të përcaktojë me forcë çmimet, qeveria po përpiqet të mbulojë arsyet e vërteta, të cilat e kanë bërë kaq vulnerabël ekonominë shqiptare ndaj çdo krize ndërkombëtare. Kriza thjesht ka vënë në pah probleme që akumuloheshin prej vitesh.
Në sektorin e energjisë, humbjet joteknikenë rrjet dhe detyrimet e mbuluara nga buxheti publik, kishin vite që po rriteshin. Fushata e famshme e viteve 2014-’15, për të shlyer pagesat e prapambetura të qytetarëve, prodhoi një efekt afatshkurtër dhe jo të qëndrueshëm.
Sektori sot është sërish me humbje dhe kërkon financim të vazhdueshëm nga qeveria, për t’u mbajtur në këmbë. Jo vetëm që nuk u përmirësua eficienca dhe nuk u eliminuan humbjet, por, mbi të gjitha, një sërë investimesh strategjike nuk u kryen gjatë këtyre viteve.
Gazifikimi i vendit, prioritet kombëtar pas ndërtimit të gazsjellësit TAP, nuk ka filluar ende. Teksa Europa po bën hapa galopante me burimet e energjisë së rinovueshme, Shqipëria vazhdon të jetë e bllokuar, për shkak të investimeve të pakta publike, por mbi të gjitha, për shkak të një kuadri rregullator të prapambetur.
Sektori i hidrokarbureve, po ashtu, kishte vite që po shfrytëzohej si një burim për mbushjen e buxhetit e jo si një nga produktet kryesore në jetën e qytetarëve, por dhe në proceset e transportit dhe prodhimit. Pasi rriti taksat në vitet 2014-’15, teksa çmimi në bursa i naftës ulej, qeveria nuk ndërmori asnjë masë afatgjatë në ditën kur tendenca do të ndërronte kah.
Akoma më tej, qeveria ishte duke menduar një tjetër koncesion mbi kontrollin e pompave të karburanteve. Ndërkohë, sektori vazhdon të jetë pak konkurrues, me një numër të limituar operatorësh që importojnë dhe tregtojnë, nuk ka një kuadër të qartë që përcakton ruajtjen e rezervave strategjike, dhe të gjitha kapacitetet për prodhim dhe rafinim lokal janë zhdukur.
Sektori i bujqësisë dhe përpunues, i cili po ashtu ishte një prioritet dhe shpesh u konsiderua ndër sukseset e qeverisë, ka treguar se nuk ishte në gjendje të përballonte kërkesën e brendshme kur importi i drithërave ruse dhe serbe u vu në pikëpyetje.
Megjithëse e bekuar me klimë të favorshme dhe terrene pjellore, Shqipëria sot renditet e fundit në kontinent për sasinë e tokës së punueshme për frymë. Arsyet njihen prej vitesh: problemet me pronësitë, mungesa e financimit për sektorin, prapambetje teknologjike, etj. Për të gjithë këto, me sa duket, përtej propagandës, pak zgjidhje afatgjata janë ofruar.
Në fund, sistemi i taksimit, i cili duhet të ishte tashmë “progresiv”, në fakt mbetet thellësisht regresiv. Paaftësia për të gjurmuar të ardhurat dhe asetet e qytetarëve, sidomos në shtresat më të pasura, apo të bizneseve, veçanërisht tek ato që veprojnë në tregje monopol, apo pothuaj monopol, ka detyruar prej vitesh qeverinë që të mbushë buxhetin jo me taksat mbi të ardhurat, por ato të konsumit, siç janë TVSH apo akcizat e ndryshme.
Këto taksa rëndojnë ndjeshëm më shumë në xhepat e shtresave në nevojë, për të cilët konsumi përfaqëson një pjesë më të madhe të shpenzimeve.
Shqipëria vazhdon të taksojë më shumë konsumin sesa pasurinë, duke eliminuar sot hapësirat fiskale me të cilat qeveria mund të ndihmonte të paktën shtresat në nevojë, apo shtresat që mbajnë një konsum të qëndrueshëm, si faktor që mbështet rritjen ekonomike.
Asnjë prej problemeve të mësipërme nuk janë sfida të reja, apo të panjohura. Përkundrazi, duket qartë tashmë se shumë pak punë është bërë për të zgjidhur ndonjë prej problemeve sistemike, me të cilat përballet ekonomia dhe qytetarët shqiptarë.
Me përcaktimin administrativisht të çmimeve, rrezikojmë të thellojmë disa problematika aktuale, si tregu i zi, ekonomia joformale, korrupsioni dhe abuzimi i administratës, nxjerrja nga tregu e operatorëve më të vegjël, duke forcuar monopolizimin. Duke u marrë me çmimet, po merremi me lajmësin dhe jo me mesazhin që ai mbart.