Ra kjo ngordhje e u pamë prapë me papërgjegjshmërinë!
Ngjarja më e fundit “pandemike” në Shqipëri, që u pikas në Durrës dhe u përhap edhe në rrethe të tjera, lidhet me influencën aviare apo gripi i shpendëve, e deklaruar se ka prekur disa stabilimente, pa përjashtuar ndoshta edhe shpendët në ekonomitë më të vogla shtëpiake, ende nuk është e qartë në përmasat që ka.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, deri më 24 mars 2022, janë 382,672 shpendë të ngordhur, ose rreth 8% e numrit të përgjithshëm të pulave në vend, nëse u referohemi të dhënave të publikuara nga INSTAT për vitin 2020.
E kemi përmendur shpeshherë në shkrimet dhe editorialet e “Monitor”, se pikërisht situatat ekstreme apo ato të krizave, jo vetëm godasin me fuqi të plotë sektorin përkatës, ekonominë apo dhe vendin, por nxjerrin në pah probleme themelore e strukturore që ekzistojnë,si në sektorët e ekonomisë ashtu edhe në mënyrën se si administrohen rrethanat e krizave, si rrjedhojë e fokusimit me tepri në propaganda suksesesh.
Në ekonominë shqiptare, të rënduar me barrë të deficitit tregtar, sektori i mbarështimit të shpendëve është ndër ata që kanë prodhim të mjaftueshëm për tregun e brendshëm të konsumit, si dhe për eksport. Viti 2021 duket se nuk ka qenë i mbarë edhe për këtë sektor.
I mbështetur në lëndëte para të importuara,edhe ky sektor po i ndien pasojat e rritjes së çmimeve të tyre. Sëmundja ishte ngjarja e fundit në radhën e goditjeve që ka pësuar sektori.
Ajo po shkakton një reaksion zinxhir,me rënien e prodhimit të mishit të shpendëve dhe vezëve,shfaqjen e kostove të paparashikuara për trajtimin e shpendëve të ngordhur dhe zëvendësimin e tyre, kufizimin e konsumit të mishit dhe vezëve, edhe kur ato janë prodhuar në stabilimente të paprekura nga sëmundja.
Kështu po goditet drejtpërdrejt prodhuesi, që po transferohet në zinxhirin e tregtuesve, dyqane e restorante, si rrjedhojë e panikut, e pasuar nga rëniet apo bllokimet e eksportit të këtyre produkteve.
Në situata të tilla, natyrshëm lindin një sërë pyetjesh mbi masat që merren nga institucionet politikëbërëse për ta administruar krizën, si dhe planet strategjike të hartuara me kohë, për t’u paraprirë këtyre ngjarjeve dhe për të mbështetur ato industri që kontribuojnë në prodhimin dhe të ardhurat në vend.
Por, edhe këtë herë, nuk zhgënjyem! Si gjithmonë, pati probleme me transparencën dhe komunikim publik të ngjarjes, deri në përpjekje për të fshehur përmasën e vërtetë të sëmundjes. Në këto raste,shpejtësia dhe qartësia në informim ka rëndësi për të marrë në kohë sa më të shpejtë masa mbrojtëse, për të menaxhuar dëmin dhe për të frenuar përhapjen, pra për të minimizuar humbjet.
Nga ana tjetër, sipas informacioneve të publikuara, ka pasur paqartësi edhe në aspektin e identifikimit që herët të llojit të sëmundjes, duke vonuar përsëri reagimin ndaj saj.
Masa e vetme më e fortë, e deklaruar publikisht, ishte shkarkimi i një drejtori, pa u qartësuar se ku ishte realisht gabimi i këtij punonjësi administrate,apo problemi qëndron në keqfunksionimin e të gjitha strukturave përgjegjëse?
Komunikimi publik i derisotëm, informacionet e Ministrisë përkatëse, nuk përmbajnë asnjë të dhënë për të kuptuar nëse strukturat përkatëse reaguan në kohë dhe me masën e duhur; nëse mosreagimi ishte rrjedhojë neglizhence, padijenie apo mungesë burimesh e mjetesh për reagim.
Jo vetëm kaq, por mbeten ende të paqarta masat që do të merren në vijim, për të mbështetur dhe për të orientuar fermat e prekura që të kalojnë me sa më pak humbje këtë situatë, dhe për t’u rivendosur në kushtet optimale të prodhimit.
Ndërkohë konsumatorët do të vijojnë të mbeten nën panikun e pasigurisë për produktet që konsumojnë, i nxitur edhe nga komunikimet e paqarta dhe jo transparente e të sinqerta të institucioneve përgjegjëse. Pra,përsëri themi se,na ra kjo ngordhje pulash e u pamë prapë me papërgjegjshmërinë në administrim.