Pandemia COVID-19 ka lënë pa trajtim sëmundjet e tjera
Në vitin 2021 dhe tremujorin e parë të vitit 2022, volumi i punës në shërbimet e kujdesit shëndetësor ngeli i lartë, i lidhur si me menaxhimin e rasteve të dyshuara me COVID-19 (përfshi testet e shpejta) ashtu edhe me fushatën e vaksinimit.
Ndërkohë me rifillimin e programit të Check-Up në muajin shtator 2021 janë shtuar sfidat për shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor, për arsye të lidhura me shtimin e numrit të vizitave, me konkurrencën e prioriteteve shëndetësore (patologji akute dhe kronike), vuri në dukje eksperti i Shëndetit Publik, Alban Ylli.
Në një studim të posaçëm ai vërejti se, pasojat e pandemisë dhe kushtet e emergjencës, përveç shërbimeve të ‘linjës së parë’ të përballimit të pandemisë, janë ndier edhe në sistemet e tjera shëndetësore, duke përfshirë menaxhimin e sëmundjeve të tjera infektive dhe programet e kontrollit të sëmundjeve jo të transmetueshme.
Programi kombëtar i kontrollit shëndetësor bazë u ndërpre për më shumë se një vit. Gjithashtu, programet e depistimit të kancereve u ndërprenë për disa muaj dhe me gjithë rifillimin e tyre, pati një ulje prej 30-40% të treguesve të përdorimit të shërbimit.
Në Shqipëri, në vitin 2020, janë raportuar vetëm 4,534 shtrime me sëmundje infektive. Kjo shifër dëshmon një rënie prej 65% krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme, dhe është më e ulëta në gjithë dekadat e fundit. Zoti Ylli vë në dukje se, pothuajse të gjitha kategoritë e sëmundjeve infektive shfaqin të njëjtën prirje, me përjashtim të meningjitit viral dhe disa rikeciozave.
Ndër kategoritë me incidencë të lartë, ato që janë ulur më shumë janë gastroenteritet bakteriale, bruceloza dhe variçela, përkatësisht 82%, 84% dhe 77% më pak se mesatarja 5-vjeçare. Shtrimi në spital nga erizipelat ka rënë me 67%, HIV/AIDS 63%, sepsis 55% dhe tuberkulozi 50%. Rënia më e vogël vërehet tek hepatitet dhe leishmaniozat, përkatësisht 22% dhe 35%.
Sipas një studimi të kryer nga OBSH në 2020 dhe 2021 (7), shërbimet e parandalimit dhe të trajtimit të sëmundjeve jo të trasmetueshme janë cenuar rëndë që nga fillimi i pandemisë, duke shkaktuar uljen, ose në disa raste, kufizimin e plotë të aksesit në trajtimin për hipertension, infarkt miokardi, insulte cerebrovaskulare, kancer apo diabet; për shumë persona.
Në analizën e situatës për vitin 2020, nga 163 vendet e përfshira në studim, 122 prej tyre (75%), raportuan ndërprerje apo kufizim të pjesshëm të të paktën njërit prej 8 shërbimeve për 8 sëmundje jo të transmetueshme si pasojë e masave në përgjigje të pandemisë. Rehabilitimi ishte shërbimi më i prekur.
Më shumë se gjysma e vendeve raportuan ndërprerje apo kufizim të pjesshëm të shërbimeve për hipertensionin, 49% për trajtimin e diabetit apo komplikimeve të diabetit, 42% për trajtimin e kancerit, dhe 31% për trajtimin e urgjencave kardiovaskulare. Shkalla e kufizimit të shërbimeve ishte e lidhur me nivelin e qarkullimit të COVID-19.