Besimi në ekonomi, frenohet rritja
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) qëndroi i pandryshuar në muajin shkurt, duke frenuar pas tre muajve radhazi në rritje. Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë, muajin e kaluar u regjistrua rritje e besimit në sektorët e ndërtimit, tregtisë, prodhimit dhe të besimit konsumator.
Por, rënia e besimit në sektorin e shërbimeve dha një efekt të kundërt, duke bërë që në terma mesatarë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike të qëndrojë i pandryshuar. Megjithatë, ky tregues vazhdon të jetë sipër mesatares historike.
Treguesi i besimit konsumator vijoi të përmirësohet për të pestin muaj me radhë, duke iu afruar më shumë mesatares historike të tij. Me gjithë përmirësimin me 0.2 pikë përqindjeje, treguesi vijoi të rezultojë 3.7 pikë përqindjeje poshtë mesatares historike.
Rritja e treguesit në shkurt u ndikua nga pritjet më optimiste për situatën ekonomike e financiare, si dhe për blerjet në shuma të mëdha gjatë muajve të fundit.
Nga ana tjetër, vlerësimi për blerjet e mëdha në të ardhmen ishte me rënie. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë këtë muaj.