Pse është rritur kërkesa nga të huajt për pronat në bregdet?
Në bregdet po blejnë më tepër prona të huajt, sesa vendasit. Investimet në bregdet përveç si shtëpi pushimi, gjithnjë e më tepër po preferohen edhe për dhënie me qira.
Balfin Real Estate & Hospitality me 3 projektet e reja në bregdet, si: Vlora Marina (Vlorë), Green Coast Village (Palasë) dhe Next to Vala Mar Premium, me vendndodhje në Durrës, Hamallaj pohoi për Monitor se krahasuar me vjet kërkesa për 2023 për prona është rritur. Shtimi më i lartë i kërkesës është nga të huajt.
“Kjo shkon në përputhje me strategjinë e kompanisë që ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në Zvicër, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu edhe në fokus të projekteve tona më të reja është që të mos ofrojmë thjesht ambiente qëndrimi apo pushimi, por të mundësojmë një eksperience unike, stil jetese të nivelit botëror për të gjithë rezidentët”, nënvizon Eltion Koçi, Drejtor i Shitjeve në kompaninë Balfin Real Estate & Hospitality.
Sipas z.Koçi edhe këtë vit është rritur kërkesa për blerje vilash me qëllim dhënien e tyre me qira, falë programeve të menaxhimit për qiradhënien që ofrohet nga kompania.
“Rishitja është një nga format më të përhapura të investimit dhe që sjell fitim të shpejtë në periudhë afatshkurtër. Por se fundmi kemi vënë re që shumë blerës duke ditur që vlera e pronës se tyre do të vijojë të rritet, preferojnë të mos e shesin atë, por të fitojnë duke e dhënë me qira përmes programit tonë të qiradhënies.
Në këtë mënyrë blerësi nuk humbet mundësinë e shijimit të pronës në komplekse shumë të kërkuara, i krijon vetes mundësinë që të fitojë më shumë në të ardhmen nga shitja me çmim edhe më të lartë se sot dhe gjatë kësaj kohe merr të ardhura të qëndrueshme nga dhënia e pronës me qira dhe menaxhimi nga ana jonë”.
Nisur nga përllogaritjet e kompanisë kthimi i investimit nëpërmjet qiradhënies është rreth 13 vjet. “Afati i kthimit të investimit varion nga një pronë në tjetrën, në varësi të shumë faktorëve si lokacioni, kushtet e pronës dhe kërkesa e tregut”, nënvizoi Drejtor i Shitjeve në kompaninë Balfin Real Estate & Hospitality
Për sa i përket ecurisë së çmimeve nga kompania, tha se kërkesat e shumta për të banuar në këto projekte reflektohen edhe në çmim.
“Në përgjithësi, zonat bregdetare kanë tendencën të jenë të preferuara nga blerësit dhe investitorët.
Faktorë të tjerë që ndikojnë ne rastin e projekteve tona janë vendndodhja, tërësia e shërbimeve që ne ofrojmë për klientët që blejnë në këto prona, që nga qiradhënia e tyre, te mirëmbajtja, si dhe strategjia e përbërjes dhe administrimit te njësive komerciale.
Të gjithë këta elemente janë të njohur nga klientët e huaj, dhe kjo është ndër arsyet kryesore përse në projektet tona të reja kemi një interes të lartë. Duke qenë klientelë ndërkombëtare, konkurrenca nuk është me thjesht lokale, por rajonale dhe në këtë aspekt rezulton se çmimet tona krahasuar me ato të rajonit vijojnë të mbeten jashtëzakonisht konkurruese”.