Sistem bankar vigjilent dhe fleksibël!
Periudha e pandemisë, që nisi në fillim të vitit 2020, për shkak se ishte një ngjarje e papërjetuar më parë (të paktën prej një shekulli), krijoi panik të përgjithshëm me ndikim në ekonomi, si rrjedhojë e masave të karantinës dhe distancimit social.
Pavarësisht kësaj, në tërësi, sistemi bankar në botë e përballoi mirë goditjen nga pandemia.
Një faktor i rëndësishëm kontribuues në qëndrueshmërinë e bankave u vlerësua se ishte përgatitja e tyre në administrimin e rreziqeve dhe forcimin e kapitalit, nën ndikimin e mësimeve të nxjerra nga kriza globale financiare e vitit 2008.
Për më tepër, bankat treguan aftësi edhe në përshtatjen e shërbimeve të tyre, në kushtet e distancimit social, duke treguar shkathtësi në rinovimin teknologjik të procesit dhe intensifikimin e tij.
“Sistemet e mbrojtjes” të ndërtuara i ndihmuan bankat të përballonin edhe goditjet që pasuan menjëherë pandeminë, të cilat ishin po aq kritike sa vetë pandemia, si konflikti në Ukrainë dhe mjedisi makroekonomik më i paqëndrueshëm, me rritje të inflacionit dhe rritje agresive të normave të interesit.
Këtë rrjedhë ndoqi edhe sistemi bankar në Shqipëri. Viti 2022 shënoi një tjetër vit të mbarë për ecurinë financiare të bankave në Shqipëri, me disa arritje pozitive në aspektin e rritjes, nivelit të fitimit dhe të përfitueshmërisë, risive teknologjike dhe të produkteve etj.
Aktivet e sektorit u rritën me 5.4%, pavarësisht efektit frenues që krijoi ngadalësimi i depozitave dhe mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut.
Raporti i aktiveve ndaj PBB-së shënoi përsëri zgjerim të lehtë, pavarësisht se ecuria ekonomike ishte ndjeshëm më e lartë se parashikimet. Kreditimi vijoi zgjerimin, pavarësisht rritjes së ndjeshme të normave referuese të interesit.
Sistemi mbetet mjaft likuid, megjithatë raporti mes kredive dhe depozitave u rrit lehtë në 44.3%. Fitimi neto arriti vlerën më të madhe historike, ndërsa kthimi nga kapitali ishte 14.23%, niveli më i lartë që prej vitit 2017.
Sektori u konsolidua më tej në një numër më të vogël bankash, por më të mëdha dhe me aftësi më të mëdha investuese përballë sfidave të reja.
Shërbimet e pagesave po bëhen gjithnjë e më të dixhitalizuara, siç dëshmohet nga rritja dyshifrore e pagesave me kartë dhe atyre nëpërmjet internetit.
Ndërkohë, disa banka kanë hedhur hapat e parë edhe në ofrimin e produkteve bankare, si depozitat apo kreditë pa praninë fizike të klientit, nëpërmjet metodave të identifikimit dhe nënshkrimit në distancë.
Me pak fjalë, sistemi bankar shqiptar po bëhet më i madh, më i përqendruar dhe më teknologjik.
Por së bashku me këto zhvillime, vijnë sfida gjithnjë e më të mëdha, të cilat imponojnë nevojën që sistemi bankar dhe rregullatorët përkatës, të jenë më vigjilentë ndaj rreziqeve të shtuara apo të reja që mund të shfaqen.
Sistemi bankar ka përballë sfida të afërta dhe më të largëta. Sfidat më të afërta lidhen me ekonominë reale; me teknologjinë dhe sigurinë; si dhe me aspektet rregullatore.
Sistemi bankar shqiptar do të vijojë të veprojë në një mjedis makroekonomik me zhvillime të paqarta, me inflacion që mbetet ende në nivel shqetësues, me norma interesi më të larta apo në rritje, një model ekonomik i mbështetur në dy burime kryesore të rritjes, që janë ndërtimi dhe turizmi, apo nivele borxhi publik të lartë.
Në këtë aspekt, sistemit i nevojitet më shumë vigjilencë dhe analiza të kujdesshme në lidhje me kreditimin, për të mos lejuar kthimin e situatave me kredi të këqija dhe për të treguar fleksibilitet në mbështetjen e klientëve në vështirësi. Një sfidë e tillë përbën një sfidë klasike për bankat, por shpejtësia me të cilën shpalosen ngjarjet në kohën e sotme rrit nevojën për më shumë vigjilencë.
Sistemi bankar po përballet me ndryshim të shpejtë dhe relativisht masiv të kërkesave rregullatore, për shkak edhe të nxitimit për të adoptuar kërkesat rregullatore të BE-së.
Kjo përkthehet në një presion të vazhdueshëm për ndryshim e përshtatje, e që jo rrallë shkaktojnë mbirregullim, nëse krahasohen me profilin dhe strukturën e aktivitetit të sistemit bankar.
Pra bankat kanë përballë tyre sfidën e kostove të shtuara rregullatore. Nga ana tjetër, sistemi bankar shqiptar do të jetë sektori që mund të ndikohet drejtpërdrejt negativisht, në rast se qeveria shqiptare nuk bën përpjekje serioze për të përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në çështjet që lidhen me luftën kundër pastrimit të parave.
Sistemi bankar shqiptar ka sfidën e vet më të rëndësishme, nevojën për të rritur shkallën e dixhitalizimit në operacionet dhe produktet e tij, e paralelisht me të, edhe të forcimit të mbrojtjes prej sulmeve apo rreziqeve kibernetike.
Sulme të tilla nuk përbëjnë më një mundësi teorike për bankat në Shqipëri, por janë shndërruar në fenomene të prekshme dhe në përmasa jo të vogla, duke e shndërruar sigurinë teknologjike në kryefjalë të administrimit të bankave.
Në këtë aspekt, bankat kanë sfidën të dedikojnë burime financiare dhe kapitali për të investuar në dixhitalizim dhe mbrojtje kibernetike, të rrisin shpejtësinë e transformimit dhe të ofrojnë zgjidhje të pëlqyeshme për klientët e tyre.
Por sistemi bankar shqiptar po përballet me një lëvizshmëri të lartë të burimeve njerëzore, madje dhe mungesën e tyre. Megjithëse ky sektor ka ofruar prej vitesh paketën më tërheqëse të trajtimit financiar dhe jofinanciar të burimeve njerëzore, përsëri faktori i pandemisë dhe kërkesa në tregjet e huaja, po e ballafaqon sektorin me sfidën e ofertës së “krahut të punës bankare”.
E kombinuar me nevojën për dixhitalizim e mbrojtje teknologjike, sistemi bankar dukshëm do të përballet me nevojën për të kryer investime të mëdha e të kushtueshme në teknologji e burime njerëzore.
Pa këto kosto të shtuara rrezikon të humbasë biznes potencial. Ndërkohë që këto kosto të shtuara, në situatën e një lëvizshmërie më të rritur edhe të klientëve, sistemi bankar do të duhet të tregohet i shkathët e t’i përballojë me transformime dhe rritje të eficiencës së proceseve të punës, rritje të vëmendjes në funksionet e administrimit të rrezikut dhe proceseve të qeverisjes së brendshme.
Në thelb, sistemi bankar do të duhet të shndërrohet në një mjedis të zhdërvjellët, për t’iu përgjigjur lëvizshmërisë së burimeve njerëzore, transformimit demografik të popullsisë, shpejtësisë me të cilën po zhvillohet teknologjia bankare dhe po krijohen rreziqe shtesë, konkurrencës së shtuar që vjen si nga konsolidimi e zmadhimi i bankave, ashtu edhe nga shtimi i institucioneve që kryejnë veprimtari të ngjashme me bankat, si fintech-et, apo kompleksitetit të shtuar për shkak të krijimit të grupeve financiare e më gjerë.
Sistemi bankar do të ketë nevojë që “fytyrën e tij” të zyrare të rënda e të letrave të shumta, ku shpesh një klient ndihet si i zvogëluar, ta shndërrojë në një mjedis që i ofron klientit përvoja të unifikuara në përmbajtje dhe funksionalitet, të shpejta, të thjeshta dhe që e bëjnë klientin të kërkojë të konsumojë edhe më tepër shërbime bankare.
Mbi të gjitha, nevojitet përgatitja për t’u përballuar me modelet e ndryshuara të biznesit, për shkak të theksimit, gjithnjë e më shumë, të aspekteve të ndryshimeve të klimës, mjedisit dhe shoqërisë.
Në ambientin me ndryshueshmëri të shpejtë e të vijueshëm, duket se tiparet kryesore që duhet të përsosë sistemi bankar në Shqipëri, do të jenë vigjilenca dhe fleksibiliteti.