Raporti
Në vitin 2007, rritja ekonomike 6%
Për këtë vit rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin e 6%. Kjo është parashikuar në raportin e tranzicionit të BERZH-it për vitin 2007, ku për Shqipërinë, rritja e parashikuar në PPB-në reale për vitin 2007 është 6%, që shënon një rritje nga 5% që ishte në vitin 2006. Ndërkohë që parashikimi për zhvillimin ekonomik në Shqipëri për vitin 2008 është 6%. Sipas këtij raporti, rritja ekonomike në të gjithë rajonin e tranzicionit parashikohet të arrijë një rekord të ri këtë vit, por trungu global i kreditit që nisi këtë verë mund të rezultojë në rritje më të ngadaltë në periudhën afatgjatë. Sipas raportit, hapja financiare e rajonit të tranzicionit është rritur me shpejtësi gjatë këtyre viteve të fundit. "Ngjarjet në tregjet financiare të kësaj vere ka gjasa të ndikojnë në sektorët financiarë dhe rritjen ekonomike të rajonit të tranzicionit", thuhet në raport. Ndikimet do të jenë më të ndjeshme, të forta në vendet e tranzicionit, me nevoja të mëdha financiare në sektorin e korporatave apo atë financiar. Në raport theksohet gjithashtu se prurjet e kapitalit në rajon ka gjasa të bien disi nga nivelet rekord të shënuara vite më parë. Tregu i eurobondeve ka qenë i papranueshëm për shumë emetues gjatë muajve gusht – shtator të vitit 2007.
Inflacioni në tetor, 4.2%
Rritet çmimi i gazit
Inflacioni në muajin tetor arriti në 4.2%. Krahasuar me shtatorin, niveli i inflacionit ka pësuar një ulje të lehtë, por që gjithsesi edhe në tetor ka kaluar nivelin tavan prej 4% të caktuar nga Banka e Shqipërisë. E thënë më thjesht, kjo do të thotë se edhe gjatë muajit tetor shqiptarët kanë shpenzuar më shumë para nga buxheti i tyre familjar për të blerë mallrat e shportës. Gjatë këtij muaji, tregtarët kanë rritur çmimin e gazit të lëngshëm duke përsëritur kështu ritualin e zakonshëm. çdo vit me uljen e temperaturave tregtarët rrisin çmimin e gazit të lëngshëm. Kjo është favorizuar edhe nga mungesa e energjisë elektrike, ku konsumatorët në mungesë të dritave i janë drejtuar përdorimit të gazit. Përveç kësaj, kriza e dritave është pasqyruar edhe me efekte të tjera negative në ekonominë e vendit. Jo pak herë është deklaruar se kriza e dritave, rritja e çmimit të karburanteve do të rrisnin koston e biznesit. Këta të fundit pas rritjes së kostos nuk kanë hezituar që të rrisin çmimet e produkteve në treg. Por kjo rritje çmimesh ka rritur normën e inflacionit, çka është paralajmëruar jo pak herë nga ekonomistët e vendit.
Italianët
93 milion euro për energjinë
Qeveria italiane mbetet një ndër financuesit kryesorë të sektorit energjetik shqiptar. Një ndihmë e tillë jepet nëpërmjet Kooperacionit Italian, financimet e të cilit aktualisht arrijnë në 93 milion euro. Financimet janë përqendruar në dy programe kryesore, që janë forcimi i menaxhimit të KESH-it dhe fuqizimi i infrastrukturave për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë. Komiteti Drejtues zhvilloi mbledhjen e tij të parë, ku ndër të tjerë ishin të pranishëm ministri i Energjetikës, Genc Ruli dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba d’Elia. Komiteti drejtues është ngritur në bazë të marrëveshjes së përbashkët të përfaqësuesve të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Qeverisë së Italisë, për të bashkërenduar aktivitetet e Kooperacionit për Zhvillim në sektorin e energjisë, në të cilat Italia nga vitet ’90-të e deri më sot, ka garantuar një ndihmesë të vazhdueshme. Në fjalën e hapjes, ambasadori d’Elia nënvizoi edhe mundësitë për të forcuar bashkëpunimin me donatorë të tjerë për të qartësuar pozicionin e Italisë, si dhe për të garantuar një ndikim pozitiv të ndërhyrjeve të ndryshme në këtë sektor. Ministri Ruli vuri theksin në domosdoshmërinë e reformave në sektor dhe vlerësoi ndihmesën e Komunitetit të Donatorëve dhe në mënyrë të veçantë të Qeverisë së Italisë, për financimin e programit të Asistencës Teknike në KESH dhe OST.
Bode
“Kriza energjetike pengoi rritjen ekonomike”
Nëse nuk do të kishte krizë energjetike, atëherë treguesit e rritjes ekonomike të vendit do të ishin më të lartë. Kjo deklaratë është dhënë nga vetë kreu i Financave, Ridvan Bode. "Nëse nuk do të përkeqësohej kriza, rritja ekonomike do të ishte 2% deri në 3% më e lartë", ka thënë ministri. Sipas tij, në gjuhën e shifrave humbja është gati 300 milion dollarë. Në fakt, jo pak herë ekonomistët kanë paralajmëruar efektet negative që do të japë kriza energjetike në zhvillimin ekonomik të vendit. Ministri Bode ka prezantuar para medias rezultatet e raportit të BE-së mbi fushën e financave. "Edhe pse mungesa e energjisë elektrike gjatë vitit 2006 nuk dëmtoi rëndë rritjen ekonomike dhe nuk pati implikacione të rënda në buxhet, ky element kritik në raport do të vlerësohet si një risk strukturor nga Ministria e Financave për vitin në vijim, duke marrë masat e nevojshme për ta përballuar përmes rezervave buxhetore", ka thënë ministri. Ndërkohë raporti ka vlerësuar edhe rritjen e të ardhurave buxhetore në 27% të PPB-së.
Hetuesi gjerman në Tiranë
Një hetues gjerman i specializuar për luftën kundër pastrimit të parave do të vendoset në Tiranë me një mandat 24-mujor qëndrimi. Oficeri gjerman pritet të ndihmojë me rol këshillues dhe trajnues, autoritetet shqiptare të zbatimit të ligjit në zbulimin, parandalimin dhe goditjen e rasteve të pastrimit të parave. Sipas burimeve zyrtare, eksperti gjerman do të vendoset në Ministrinë e Financave, ku funksionon njësia e specializuar kundër pastrimit të parave, por do të ketë bashkëpunim edhe me organet e specializuara të Ministrisë së Brendshme. Mësohet se gjithçka është realizuar në kuadër të një projekti të Bashkimit Europian me vlerë 1.3 milion euro për mbështetjen e luftës kundër pastrimit të parave në Shqipëri. “Në kuadër të këtij projekti, eksperti kryesor afatgjatë nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (Bundeskriminalamt) të Gjermanisë do të vendoset në Ministrinë e Financave të Shqipërisë për 24 muaj, për të ndihmuar në përgatitjen dhe vënien në jetë të legjislacionit lidhur me luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar”, -thanë burimet zyrtare.