Të firmoset sa më shpejt autorizimi për kreditimin e karburanteve, në mënyrë që të mos dekurajohen investimet e huaja.
Dilema e dytë lidhet me situatën e krijuar me karburantet, që biznesi i përdor për prodhimin e energjisë (në kushtet kur shteti nuk po arrin t’u garantojë atyre furnizimin e pandërprerë me energji). Prej muajit qershor të këtij viti, kur kriza energjitike u përkeqësua, bizneset nuk po arrijnë të marrin nga organet përkatëse autorizimin për kreditimin e karburanteve. Ndryshe nga ç‘u premtua nga qeveria kur erdhi në pushtet se do të synohej lehtësimi i procedurave administrative, prej gati një viti kjo nuk po ndodh për rastin në fjalë. Përpjekjet e mëdha të biznesit në këtë drejtim deri tani nuk kanë arritur të japin rezultate konkrete, por çështja po tërhiqet zvarrë prej muajsh, dukë rënduar më tej pasojat tashmë të dukshme të krizës energjitike në rritjen e kostove të biznesit (që herët a vonë do të transmetohen dhe në rritje të çmimeve).
Situata e krijuar duket se ka krijuar pakënaqësi të shumta mes investitorëve të huaj në disa fusha, shqetësim që është përcjellë dhe në letrat e vazhdueshme që ata u kanë dërguar institucioneve qeveritare.
Të mos harrojmë që fjala e një investitori të huaj që po përjeton situatën aktuale në Shqipëri ka shumë më tepër vlerë se deklaratat e qeverisë për nismën “Shqipëria 1 euro”, apo për përparësitë e taksës së sheshtë dhe klimën e mirë për investime në Shqipëri. Të jemi të sigurt që një investitor i huaj që do të hyjë në tregun shqiptar ndikohet shumë më tepër nga “thashethemet” e një kolegu, sesa ato të qeveritarëve. Ndaj duhet nxituar që nga Ministria e Financave t’u firmoset bizneseve autorizimi për kreditimin e karburanteve që përdoren për prodhimin e energjisë elektrike (siç mësohet në fakt se ka një përpjekje pozitive në këtë drejtim për t’i dhënë fund kësaj situate). Në fakt dhe firmosja e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Italian, Romano Prodi për mbrojtjen e investimeve të huaja nuk duhet të mbetet thjesht në letër, por ky është rasti që të tregohet që qeveria po mendon seriozisht për përmirësimin e klimës së investimeve, sepse janë veprat dhe jo fjalët ato që kanë vlerë…