Ka rritje të çmimeve, rënie të peshës së disa sektorëve potencialë të ekonomisë, rritje të kostos së prodhimit në disa sektorë, ka zinxhir biznesesh, që ndodhen në vështiresi likuditetesh, ka renie te kerkeses se sipërmarrjes për burime financimi për investime kapitale. Kjo është pamja e brendshme e saj dhe më e errëta e ekonomisë shqiptare. Pjesa e ndriçuar e saj, përgjithësisht mbulesa e jashtme (makroekonomia) na tregon një rritje përgjithësisht të qëndrueshme të prodhimit të brendshëm bruto, rritje në tërësi të kredisë, rritje të investime publike dhe në dukje një krizë energjitike e lënë pas, etj.
E vetmja, që nuk ka ndryshuar deri më tani në këtë ekonomi dinamike, me të këqijat dhe të mirat e saj, është administrata publike, në veçanti administrata fiskale. Reformat e pritshme për rritjen e eficencës së saj dhe administrimin e saj nuk janë kryer apo kanë mbetur në fazën fillestare për mjaft arsye për të cilat nuk ndalemi në këto radhë.
I përshkruar fare shkurt, ky është sfondi në të cilin kanë nisur diskutimet në kuvend për projektligjin e ri për procedurat fiskale. Debate më të ndezuar mes forumesh të biznesit dhe qeverisë janë në pikat ku adminstratës fiskale i jepet e drejta që të bllokojë pasuritë e biznesit madje edhe t’i shesë ato në një moment të dytë, kur biznesi nuk paguan detyrimin e parapërcaktuar dhe vlerësuar në tavoline nga tatimet. Dhe ky debati i dytë i nxehtë ka nisur kur ende nuk është ftohur i pari, ai për gjobat, të cilat e detyrojnë biznesin të parapaguajë detyrimet dhe gjobat pa të drejtë ankimimi në gjykatë. Të dyja këto raste janë gjykuar nga biznesi si akte që rrisin arbitraritetin e tatimeve dhe nxisin abuzivizmin dhe korrupsionin. I pari, ligji për gjobat, është provuar. Zbatimi tij, deri më tani thuajse nuk patur efekt në ecurinë e tatimeve, aq sa krerë të financave ende pranojnë se rreziku i mos realizimit të të ardhurave është aq ekzistent sa dhe më parë, ndërkohë që artikulimet për preferenca të adminstratës ndaj një pale të biznesit kundrejt një tjetre nuk është se janë shuar. I dyti është në dikutim e sipër. Adminstrata thotë se është konsultuar me biznesin, por projekti final sërisht mbetet i kundërshtuar nga sipërmarrja çka thotë se palët nuk janë puqur. E marrë kështu, si kanë ecur ngjarjet ç’kuptim kanë dialogjet e parakryer, kur palët nuk kanë gjetur konsensusinr Duket se edhe projekti i ri do të ketë fatin e të parit.
Shqipëria është në pragun e reformave të medha, që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Nato dhe Bashkimin Europian. Dhe këto reforma të mëdha janë kuptuar tashmë nga politika se kërkojnë edhe konsensuese të medha. Edhe pse ligji i procedurave tatimore apo të tjera ligje që prekin grupe të ndrysme interesash duken shumë të vogla, në rendin e qëllimeve madhore, sërish kërkojnë konsensus. Politika duhet ta bëjë këtë jo vetëm me vetveten por edhe me grupet e shoqërisë, ku padyshim biznesi është më i madhi dhe më i rëndësishmi.
Eshtë e mirë pranuar nga të gjithe se ftesa e Shqipërisë në Nato apo edhe ritmi i rendjes së saj drejt anëtarësimit në BE, janë sa meritë e Shqipërisë dhe e qeverive të saj, aq edhe e konteksteve gjeopolitike. Ndaj përpara se të merret një vendim qeverie apo një ligj parlamenti, jo vetëm konsensusi por edhe konteksi jane mëse të nevojshëm. Në të kundërt të humbur do të ishin të gjithë.