E mbani mend debatin pak kohë më parë lidhur me shifrën e mundshme të rritjes ekonomike! Më së shumti ishte në rrafshin politik mes qeverisë dhe opozitës ku e para pretendonte një rritje dyshifrore dhe tjera prirej për të zvogëluar shifrën. Dhe gjithë ky debat bëhej në kushtet, kur asnjë tregues zyrtar i matshëm nuk ishte kalkuluar por vetëm pritshmëri në bazë skenarësh. Palët u tërhoqën, duke kuptuar debatin pa vlerë, për të pritur shifrat zyrtare duke mirëkuptuar, që gjithsesi, është rritje ekonomike dhe jo rënie, pavarësisht sesa. Por edhe pse ky konsensus i heshtur u vendos, ai zgjati përkohësisht. Debati tani është ndezur përsëri, jo për shifrat por duke u vërtitur tek fjalët: kemi apo s’kemi krizë. Sërisht mes qeverisë dhe opozitës, po përfshihen edhe ekspertët e pavarur, edhe këta të ndarë në opinione. Burimi i këtij debate, u bënë rezultatet e para të INSTAT për tregtinë e jashtme në janar, që rezultonte me ulje, ndëkohë që herë pas here, gjatë këtyre dy javëve, ka patur edhe artikulime në formë të organizuar nga biznesi për vështirësi në likuiditete (për shaka të rënies së shitjeve apo vështirësive për të siguruar një kredi).
Ky informacion i marrë si në rrugë zyrtare aq edhe nëpërmjet konfirmimeve nga vetë biznesi, sado i vërtetë mbetet pjesor dhe i pamjaftuesëm për të arritur në konkluzion dhe si i tillë çdo parashikim mbetet opinion. As institucionet më të njohura ndërkombëtare financiare, deri tani nuk kanë dhënë definicione për stadin e Shqipërisë, nëse është apo pritet të hyjë në krizë. Ka vetëm skenar dhe një konkluzion të mirë pranuar deri tani: Shqipëria nuk ka kurrësesi të mos ndikohet nga kriza. Ndaj ajo që ka më shumë vlerë është rezulati që presim pasi kjo “e keqe” për ekonominë të kalojë. Pa dyshim asnjë nuk dëshiron si rezultat krizën, kjo do të ishte një kosto e tepërt për të gjithë. Kërkojmë një rezultat tjetër që efektet e krizës ndërkombëtare të prekin sa më pak Shqipërinë. Por marrja e këtij produkti final, nuk bëhet me opinione, por nëpërmjet instrumentave që arrihen nëpërmjet një planifikimi që të çojnë tek rezultati anti krizë, për këtë paraprakisht duhen sqaruar çështje të tilla:
-A e kemi ezauruar procesin e nxitësve fiskalë dhe si mund të ulen barrierat fiskale për biznesin;
-A po veprohet në rrugën e duhur me shpenzimet buxhetore në prag zgjedhjeje, a ka një përqendrim të lartë të këtyre shpenzimeve në këta muaj prag elektoralë dhe a po shpërndahen ato në mënyrë efikase në ekonomi;
-çfarë duhet bërë që të nxitet kreditimi në ekonomi në mënyrë që të mos krijohet një pengesë artificiale për zhvillimin e biznesit;
-Si mund të nxiten eksportet dhe çfarë duhet bërë për të neutralizuar pasojat që mund të ketë në ekonomi ulja e të ardhurave të emigrantëve;
-çfarë roli mund të luajë qeveria në nxitjen e konsumit në ekonomi;
-A duhet hartuar një plan më i plotë e më i qartë antipasojë dhe çfarë konkretisht;
Kriza ndërkombëtare është një krizë psikologjike që cënoi besimin, ndaj për të mos e humbur besimin, ata që kanë në dorë për të mos e cënuar, të lënë mënjanë opinionet dhe të japin rezultate të certifikuara.