Zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit 2009 patën dy mesazhe kryesore.
Një mesazh i rëndësishëm është se dy partitë më me peshë të jetës politike shqiptare (PD-PS) e mbështetën fushaten e tyre tek “ndryshimi” dhe ky ishte mesazhi që pati kapjen më të madhe tek votuesi.
Nuk ka pikë dyshimi që populli votues shqiptar ka dhënë një mesazh edhe më të qartë. Ai realisht kërkon NDRYSHIM! Si më të majtë ashtu edhe më të djathtë. Këtë mesazh e përçoi në një mënyrë fisnike: me barazimin pothuaj të artë të shprehjes së vullnetit të tij përsa i përket krahut politik që do të marrë mandatin e ndryshimit të realitetit.
Mesazhi tjetër i rëndësishëm i dhënë nga rezultati i zgjedhjeve është se realiteti shqiptar është i ndarë si me thikë në dy krahët e politikës midis të majtës e të djathtës. Minutë pas minute, publikimi i rezultateve të votimit, qysh në nisje të numërimit deri në përfundim të tij tregoi dhe ruajti një barazim të përsosur votash. Ky realitet i kësaj ndarjeje gati perfekte midis krahëve do të duhet të konsiderohet detyrimisht nga pala tjetër dhe do të duhet minimalisht të çojë në distancimin nga fjalori denigrues i palës tjetër për të çuar gradualisht tek një fjalor konsiderimi e përfshirje të gjysmës të ngjyrës tjetër në vendimmarjen e nevojshme për një ndryshim të realitetit aktual.
Pak rëndësi ka cili bllok krijon qeverinë (deri në momentin që Monitor shkoi për shtyp, Partia Demokratike dhe koalicioni i saj ishte në krye të zgjedhjeve me 71 mandate), blloku qeveri-formues duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk fitoi garën me kundërshtarin politik, por se meqë duhet që në një garë dikush të renditet i pari, atëhere, ai ka mandatin qeverisës të një realiteti me brendësi të njëjtë por i ngjyer me dy bojëra të ndryshme.
E rëndësishme tani është që të gjitha palët të dinë ta lexojnë me urtësi këtë mesazh të fundit. Eshtë e domosdoshme, që kundërshtari politik në këtë lloj realiteti të ndarë në këtë mënyrë kaq të prerë, të shikohet si një partner serioz në zbatimin e programeve të zhvillimit, të rritjes së mireqenies, të transparencës e të integrimit europian që në vetvete përbëjnë ndryshimin aq të kërkuar nga i gjithë populli votues shqiptar.
Barazimi duhet lexuar dhe kuptuar. Të gjithë janë fitues prej tij dhe ka mjaft shanse të mbeten të tillë sa kohë këto zgjedhje do të konsiderohen prej tyre si “barazim me fitues”.
Nëse largqoftë dikush përkthen barazimin si “dypushteti” (në kohën e sovjetëve) kosto nuk do të jetë më vetëm 50% dhe nuk do t’i rëndojë vetëm palës kundërshtare. Kosto do të rëndojë mbi të gjithë dhe më e keqja për shumë kohë.
Ky nuk është paralajmerim ogurzi. Eshtë thirrje për pjekuri që barazimi elektoral të shndërrohet realisht në fitore të të gjithëve.
Kjo do t’i shërbente ardhmërisë tonë.