Java e fundit ishte vërtet e përgjakshme në rrugët e Shqipërisë. Brenda një harku 7 ditor vdiqën nga aksidentet në rrugë mbi 10 qytetarë shumë të tjerë janë plagosur. është shuar jeta e gati një familjeje, nuk jetojnë më tre të rinj … raportonin mediat
Statistikat e dhimbshme ia kalojnë shpesh edhe atyre në vatrat e nxehta të luftës në botë në një ditë të vetme.
Kjo është tabloja e zezë, vrastare dhe e padëshiruar, e ngjashme me një anarki në rrugë ku shteti duket që nuk funksionon plotësisht, për shkak të pafuqisë për të parandalur aksidentet, për shkak të korrupsionit të policit, apo ndërgjegjes dhe kulturës së pagatitur të qytetarëve të tij që shesin jetën lirë sepse nënçmojnë rregullin, ligjin dhe veten e tyre. E themi këtë pa droje pasi tragjeditë e rënda në rrugë për shkak të aksidenteve automobilistike nuk ishin axhenda e vetëm kësaj jave të nxehtë korriku. Që prej vitit 2000, në Shqipëri numri i aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen e qytetarëve është dyfishuar. Mesatarja, sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri e vdekjeve është 20 / 10 000 mjete motorike, kur në vendin fqinj, Malin e Zi, është më poshtë, rreth 8 vdekje/10 000 mjete dhe në vendet e Bashkimit Europian edhe më e ulët, 4 vdekje / 10 000 mjete. Në kohën kur Shqipëria ka më pak se 400 mijë mjete motorike në inventarin e saj, ose disa herë më pak se mesatarja e një vendi të BE-së, numri mesatar i vdekjeve nga aksidentet rrugore është 5 herë me i lartë.
“Montitor”, për shkak të këndvështrimtit të tij specifik, e përveç dëmit social për çdo jetë të humbur që pëson shoqëria nga këto aksidente, kërkon t’ju tërheq vëmendjen në dy aspekte të tjera.
Ekonomia idividuale familjare dhe ajo kombëtare nga një vdekje për shkak të aksidenteve rrugore pa diskutim pëson dëme të rënda, familjes do t’i mungojë një burim të ardhurash për shkak të krahut të munguara të punës por dhe një pasurie (mjetit) të shkatërruar dhe ekonomisë kombëtare një vlerë e shtuar e punës. Sipas përllogaritjeve në disa nga vendet e Europës Perëndimore humbja e një jete e ka koston në ekonomi 1.2-2 përqind të GDP-së. Në Shqipëri më pak por që sipas llogaritjeve deri diku empirike vlerësohet të jetë deri në 40 milion euro. Frika se bëhemi cinik nuk na pengon të themi se dhjetë qytetarë humbën jetën javën që kaloi dhe 400 milion është dëmi për familjen dhe ekonominë kombëtare. Kjo shifër e kalon me herë investimin e një viti nga buxheti i shtetit në infrastrukturë.
Duke dalë në këndvështrimin e dytë: Përgjithësisht denduria e aksidenteve është më e lartë në periudhën e verës, ku numri, por dhe shpeshtësia e mjeteve motorike në qarkullim është më e lartë edhe për shkak të mbërritjes së emigrantëve, por jo vetëm. Sipas të dhënave të fundit nga policia rrugore, numri i mjeteve gjatë muajit korrik në qarkullim është rritur me 500 mijë. Këto dy fakte së bashku të nxjerrin në konkluzion se investimi në infrastrukturë mbetet i pamjaftueshëm në aspektin e projektimit të rrugëve me kapacitet trafiku të lartë që shoqërohet edhe me mungesa të theksuara të elementëve të sigurisë rrugore.
Një rrugë nuk është vetëm objekt gjeografik i asfaltuar apo subjekt për ca më shumë shirita përurimi të prerë, por një nocion përmes të cilit lëviz jeta, e si e tillë nuk ka çmim për të cilën s’duhet paguar për ta sigurar atë.