Kriza
Qeveria prek kontigjencën
Kriza ka detyruar qeverinë që të prekë fondin e kontingj-encës. Në mbledhjen e javës së kaluar, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektvendimin më anë të së cilit i lejon Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që të përdorë fondin e kontingjencës për ndërtimin e rrugëve. Bëhet fjalë për 4.3 miliardë lekë, që do të përdoren për ndërtimin e rrugëve nacionale. Në tërësi fondi i kontingjencës për vitin 2009 është 6 miliardë lekë. Ka qenë vetë Ministria e Financave që ka propozuar marrjen e një vendimi të tillë. “Propozojmë që në vitin 2009 fondi i kontingjencës të përdoret nga MPPTT, për programin e rrugëve nacionale në masën 4.3 miliardë lekë”, thuhet në relacionin që i bashkëngjitet këtij projektvendimi.
Vetëm pak kohë më parë përmes një vendimi qeveria vendosi të ndalojë procedurat e prokurimit për fondet e investimeve të parashikuara në buxhetin e vitit 2009, që nga data 3 gusht 2009. Të gjitha ministritë, të cilat kishin parashikuar zhvillimin e tenderave, pas kësaj date duhet t’i anulonin ato. Pas datës 3 gusht nuk do të ketë asnjë investim të ri të qeverisë. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, kriza jo vetëm është evidente, por në rastin më të mirë do të vazhdojë njësoj deri në fund të vitit. Për këtë arsye, financat propozuan që të kufizohen shpenzimet operative dhe kapitale
Buxheti
Bien të ardhurat nga TVSH-ja, akciza
Të ardhurat buxhetore gjatë gjysmës së parë të vitit janë realizuar me rreth 144.8 miliardë lekë, duke përmbushur planin me 93%. Në raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, të ardhurat e 6-mujorit të parë të vitit 2009, vlerësohet rreth 28.5%, kundrejt 28% një viti më parë. Në terma vjetorë, të ardhurat buxhetore shënojnë rritje me rreth 7.2%, por në krahasim me vitet e mëparshme ritmi i rritjes së tyre ka ardhur në rënie. Zërat, që kanë peshën më të madhe në diferencën e krijuar me planin janë të ardhurat nga TVSH-ja, akcizat dhe pushteti vendor, thuhet në raportin e BSH-së së politikës monetare, për 6-mujorin e parë të vitit. Sipas BSH-së, ndonëse norma e tatimit mbi vlerën e shtuar është mbajtur e njëjtë me vitet paraardhëse, të ardhurat e akumuluara nga ky zë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, kanë regjistruar një ngadalësim të ndjeshëm në ritmin e rritjes. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin, sikurse dhe në dy vitet paraardhëse, kanë shënuar ritme negative rritjeje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Niveli i planifikuar për këtë periudhë kohore është realizuar në masën 86%. Të ardhurat nga akcizat, ndryshe nga vitet e mëparshme kanë shënuar ritme negative rritjeje. Kjo tkurrje në terma vjetorë e të ardhurave nga akcizat, i dedikohet kryesisht rënies së importeve të mallrave, të cilët janë subjekt i akcizës. Në vlerë nominale deficiti buxhetor ka shënuar një nivel prej 31.6 miliardë lekësh, vlerësuar në rreth 6.2% të PBB-së, kundrejt 0.5% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Neptun”
Degë në qytete të tjera
Fillimi i muajit gusht shënon hapjen e dyqanit më të ri të “Neptun”, në qytetin e Korçës. Brenda vitit 2009, ky rrjet do të zgjerojë gjeografinë e tij të shtrirjes edhe me katër dyqane të tjera. Me një strategji të qartë dhe të mirë menduar “Neptun”, synon të jetë i pranishëm, në pothuajse të gjitha rajonet kyç të vendit. Jo krejt rastësisht është përzgjedhur edhe hapja e dyqanit më të ri në qytetin e Korçës, gjatë muajit gusht.
Ky dyqan do të shtrihet në një sipërfaqe të konsiderueshme dhe do të ofroj të gjithë gamën e produkteve dhe shërbimeve që ofrohet në të gjitha pikat e tjera të rrjetit.
Brenda vitit 2009 do të plotësojë kuadrin e plotë të shtrirjes, si në Shkodër, Elbasan, Pogradec dhe Lushnjë.
Buxheti 2010
Financat vendosin “tavanet”
Në një udhëzim të posaçëm, drejtuar gjithë dikastereve publike, Ministria e Financave ka përcaktuar fondet, brenda të cilave këto institucione, do të ndajnë shpenzimet buxhetore për vitin 2010. “Tavanet” buxhetore për disa institucione, janë më të ulëta se këtë vit. Ministria e Financave deklaroi se nuk do të cenohen fondet prioritet të qeverisë. Ministria e Transporteve do të vazhdojë të ketë shifrën më të lartë të investimeve. Nga më shumë se 45 miliardë lekë që e ka totalin e buxhetit kjo ministri, 40 miliardë do të jenë investime. Investimet në infrastrukture pritet të jenë më të ulëta, për shkak se nuk ka një vepër të madhe në proces ndërtimi, siç ishte rruga e re Durrës-Kukës. E dyta në renditje për nga investimet, do të jetë Ministria e Arsimit, e cila planifikohet të marre 10 miliard lekë për këtë qëllim, në një kohë që totalin e buxhetit e ka rreth 47 miliard lekë.
Bankat
Do lehtësojmë kredinë
Bankat kanë tkurrur dhënien e kredive gjatë muajve të parë të vitit. Shkak për këtë ka qenë situata makroekonomike në vend dhe kreditë me probleme. Por gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti bankat kanë zbutur disi kushtet për dhënien e kredive krahasuar me 3-mujorin e parë të vitit. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë pritjet e bankave për tremujorin e tretë të vitit 2009 çojnë drejt një zbutjeje të mëtejshme të shtrëngimit të standardeve për të dyja kategoritë e biznesit, si dhe për kredinë dhënë individëve. Për sa i përket kërkesës për kredi, bankat vlerësojnë se ajo do të vijojë prirjen rritëse, si nga individët ashtu edhe nga korporatat dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Për tremujorin e tretë të vitit 2009 bankat nuk parashikojnë shtrëngim të mëtejshëm të standardeve të kredidhënies për individët. Pritjet e ekspertëve të bankave tregojnë për një kërkesë pozitive gjatë tremujorit të tretë të vitit”.
Financat
Fondi për të pastrehët
Këtë vit qeveria ka akorduar një fond prej 300 milionë lekësh për familjet e pastreha. Bëhet fjalë për ato familje që përfitojnë nga statusi i të pastrehëve. Në një prononcim për mediat zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka sqaruar mënyrën e ndarjes së këtij fondi. Secili nga të 5000 personat në listën e përfituesve të kredive për strehim, mund të aplikojnë pranë zyrave rajonale të entit të banesave për marrjen e kredisë me normë interesi zero. Udhëzimi i ditëve të fundit i qeverisë eliminon koston e kredisë për të pastrehët, e parashikuar fillimisht në nivelin 3 për qind. “Masa e përfitimit varet sipas përbërjes familjare, p.sh Tirana e ka nga 2.7 milionë, deri në 5.2 milionë, shumën e përfitimit që e marrin të pastrehët”, shprehet zëvendësministri.
Jeni duke lexuar në: 390
Lajme nga vendi