Biznes i madh
Me 5 milionë lekë xhiro
Bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh në vit do të klasifikohen si biznese të mëdha. Vendimi është marrë nga Ministria e Financave pas kërkesës së Tatimeve për uljen e pragut të skemës së TVSH-së. Me këtë vendim pritet të rritet ndjeshëm numri i bizneseve që do të futen në skemën e TVSH-së, e për rrjedhojë edhe të ardhurat në arkën e shtetit. Gati një muaj më parë, administrata tatimore i propozoi Ministrisë së Financave që të ulte pragun për futjen e bizneseve në skemën e TVSH-së. Aktualisht bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 8 milionë lekësh klasifikohen si biznes i madh. Ndërsa sipas propozimit të Tatimeve, ky prag duhet të jetë 4 milionë lekë. Por Ministria e Financave nuk e ka pranuar këtë nivel pragu. Pas shumë diskutimesh, Ministria e Financave vendosi që bizneset që kanë një xhiro vjetore prej 5 milionë lekësh do të klasifikohen si biznes i madh. Prej kohësh Tatimet kanë nisur një investigim në terren për bizneset, nga i cili ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm biznesesh abuzonin me deklarimin e xhiros vjetore. Sipas Tatimeve, nga investigimi tatimor janë zbuluar rreth 3500 biznese me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë në vit dhe që sigurisht kanë raportuar më pak.
Familjet,
67% janë në borxh me bankat
Rreth 67% e familjeve shqiptare janë në borxh me bankat. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë kredi pranë bankave, ndërsa pjesa tjetër overdraft ose përdorin karta krediti. Të dhënat janë marrë nga pyetësori i Bankës së Shqipërisë mbi borxhin e familjeve. Pyetësori mbi borxhin e familjeve synon të marrë të dhëna suplementare për nivelin e borxhit, peshën e shlyerjeve të borxhit në të ardhurat familjare, monedhën e emetimit, llojin e borxhit, si dhe karakteristika të tjera të kredimarrësve. Sipas bankës, analiza e të dhënave të këtij pyetësori shërben për të identifikuar peshën e faktorëve të ndryshëm të rrezikut të kredisë për familjet dhe zhvillimin e tyre në kohë. Pjesa më e madhe e familjeve shqiptare përbëhen nga tre ose katër persona, konkretisht 59.38% e tyre. Ndërsa 28.13% e tyre kanë në përbërje pesë ose më shumë persona. Vetëm një ose dy persona janë burimi kryesor i të ardhurave në familje, çka do të thotë se vetëm ata janë në marrëdhënie pune, rreth 53.12% e familjeve dhe pjesa më e madhe e tyre janë të punësuar në sektorin privat.
Furnizimi me energji
biznesit i duhen 162 ditë
Një biznesi i duhen 162 ditë për të lidhur energjinë elektrike. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Si të marrësh energji”, nëse një biznes dorëzon kërkesën për lidhje të energjisë me OSSH-së, atëherë ai duhet të presë 162 ditë derisa lidhja të kryhet. Kjo kërkesë kalon në 5 procedura. Në studimin e Bankës Botërore janë përfshirë 140 vende dhe Shqipëria renditet e 115-a në këtë listë. Nëse një biznes kërkon të ketë një lidhje të re energjie me OSSH-më, parë duhet të dorëzojë një kërkesë pranë operatorit, pas kësaj pret shërbimin e inspektimit të jashtëm. Kjo është procedura e parë dhe zgjat 40 ditë. është e domosdoshme që kërkesa të dorëzohet nga vetë personi. Me aplikimin duhet të dorëzohet edhe një deklaratë konformiteti për lidhjet e brendshme, e nënshkruar nga një inxhinier elektrik i licencuar. Procedura e dytë ka të bëjë me vlerësimin e jashtëm, i cili kryhet nga një inspektor i OSSH-së. Pasi konsumatori ka paraqitur kërkesën, sipërmarrësi duhet të presë për një vlerësim. Shërbimi i shpërndarjes OSSH dërgon një përfaqësues në vend për të bërë një inspektim të jashtëm. Dikush nga pala e konsumatorit duhet të jetë i pranishëm gjatë inspektimit.
gjobiten dy kompani
Rritën me marrëveshje çmimin e bukës
Gjobiten dy kompani nga Autoriteti i Konkurrencës. Nga hetimi i Autoritetit rezultoi se këto dy kompani në marrëveshje me njëra-tjetrën kanë fiksuar çmimin e shitjes së grurit. Duke qenë dy nga kompanitë më të mëdha në tregun e grurit dhe prodhimin e miellit, ato kanë ndikuar në rritjen artificiale të çmimit të bukës. Për rrjedhojë autoriteti ka gjobitur ndërmarrjen “Bloja” sh.a, në shumën prej rreth 38.5 milionë lekësh dhe ndërmarrjen “Atlas” sh.a në shumën prej rreth 27.8 milionë lekësh. “Autoriteti i Konkurrencës, duke pasur parasysh shqetësimin publik, të shprehur edhe përmes medias, lidhur me rritjen e çmimit të bukës gjatë vitit 2008, mori në konsideratë nivelin e konkurrencës në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Gjatë periudhës së hetimit, Autoriteti i Konkurrencës ka kryer një sërë inspektimesh në ndërmarrje që veprojnë në këtë treg, si dhe ka bashkëpunuar me institucione të ndryshme publike, për të siguruar të dhëna të nevojshme për këtë hetim. Nga hetimi rezultoi se ndërmarrjet “Atlas” sh.a dhe “Boja” sh.a nuk kanë konkurruar në tregun e importit të grurit dhe prodhimit të miellit. Këto ndërmarrje kanë koordinuar sjelljen për sa i përket përcaktimit të çmimeve të tregtimit të produkteve përkatëse, si dhe kanë ndarë burimet e furnizimit.
Kanalizimet
Nënshkruhet kontrata 9.9 milionë euro
Kreu i Ministrisë së Punëve Publike, Sokol Olldashi, dhe zëvendëspresidenti i firmës “Tokio Engineering Consultants Co. LTD”, Masasumi Mijamato, firmosën kontratën e shërbimit të konsulencës për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”. Vlera e kontratës është 9.9 milionë euro, ku parashikohet të realizohen projekti dhe supervizimi për fazën e parë, si dhe studimi i fizibilitetit për fazën e dytë. Afati i kontratës është 12 muaj dhe i paraprin punimeve reale të ndërtimit me një vlerë prej 106 milionë eurosh financim i siguruar nga qeveria japoneze nëpërmjet JICA. Pas nënshkrimit të kontratës, ministri Olldashi falënderoi qeverinë japoneze për mbështetjen që i ka dhënë projektit, si dhe shprehu bindjen se me përfundimin e tij do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i kanalizimeve në qytetin e Tiranës që sot derdhen në lumin e Lanës. “Me përfundimin e këtij projekti, do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i kanalizimeve në qytetin e Tiranës, që sot dredhet në lumin e Lanës”, është shprehur ministri Olldashi. Projekti i paraprin fillimit të ndërtimit të sistemit të kanalizimit të ujërave të zeza për të gjithë Tiranën. Vlera e të gjithë projektit është 106 milionë euro dhe është një financim i qeverisë japoneze.