Në fund të muajit tetor, Banka Qendrore vendosi të ulte normën bazë të interesit nga 5.75 për qind në 5.25 për qind. Qëllimi i këtij vendimi u bë fare i qartë nga guvernatori: të stimulonte kreditimin, i cili gjatë dy muajve, korrik dhe gusht, po shfaqte shenja të dukshme rënieje në ritmin e rritjes dhe shtrenjtimit. Banka Qendrore priste që kjo ulje e normës të reflektohej edhe në treg…. Që atëherë, deri në fund të tetorit kur arrijnë të përpunohen informacionet më të fundit zyrtare, ekonomia ofroi fare pak të reja.
Sipas vlerësimit të vetë Bankës Qendrore, deri në fund të shtatorit (të dhënat e fundit të BSH) portofoli i kredisë për ekonominë u rrit me ritme më të ulëta krahasuar me muajt e mëparshëm.
Në daljen e fundit publike, pas mbledhjes së radhës së Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, mesjavën e kaluar, guvernatori Ardian Fullani, për të shpjeguar se pse kreditimi po shfaqet me të njëjtën panoramë si përpara se të ulej norma e interesit bazë, tha se ulja me 0.5 për qind synonte gjallërimin e kreditimit, por efekti i këtij sinjali nuk është shfaqur ende, për shkak të transmetimit të kësaj politike.
Por a është vetëm koha e shkurtër që bankat e nivelit të dytë nuk reflektuan këtë politikë të Bankës Qendrore apo ulja e normës së interesit nuk është i vetmi shkak prej të cilit varet çlirimi i kredisër
Për të arritur një konkluzion, në ndihmë na vjen botimi i fundit po nga Banka e Shqipërisë, “Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit të Kredituesr Në këtë vrojtim vlerësohet se faktorët kryesorë që kanë kontribuuar në shtrëngimin janë fillimisht problemet specifike ku operon biznesi, më pas vlerësohet situata makroekonomike dhe ecuria e kredive me probleme. Sipas këtij vrojtimi, vendimet e Bankës së Shqipërisë kanë peshë të vogël në shkaqet të cilat shtrëngojnë kredinë.
Duke parë në këtë mënyrë shkaqet e shtrenjtimit të kredive, mund të arrish në përfundimin se norma e interesit është një mekanizëm i nevojshëm për uljen e kostove të kredisë dhe krijon shanse për çlirimin e kredisë, por sërish mbetet i pamjaftueshëm. Janë të tjera arsye si ato që renditëm më lart, që krijojnë një mjedis ekonomik, i cili për momentin nuk ecën në rrjedhën e çlirimit të kredisë. Dhe duket fare qartë se bankat janë vetëm një aktor i këtij mjedisi, ndërkohë që janë të tjerë aktorë dhe faktorë me peshë të cilat duket se po e mbajnë ende në ferma kredinë.
Fakti që BSH, me anë të vendimeve që ka marrë së fundi, por edhe nëpërmjet daljeve më të fundit të guvernatorit në publik, tenton të nxisë kreditimin e biznesit e njëkohësisht edhe rritjen e konsumit për individët në çdo vend, do të kuptohej si një shenjë ku ekonomia ka vështirësi rritjeje dhe ndodhet në një moment ku nxitja kërkohet të jepet nga faktorë jo të drejtpërdrejtë e në shumë raste politike apo qeveritare. Në vendet me demokraci të zhvilluar, politika ka qenë shpesh e para që ka nxitur e ka kërkuar nga Banka Qendrore politika lehtësuese e favorizuese për biznesin e nxitëse për konsumatorin. E parë në këtë këndvështrim, të gjithë aktorët politikë duhet të bëhen të ndërgjegjshëm se pozicioni që ata kanë në shoqëri i detyron të veprojnë në përputhje me interesat e një mase shumë më të gjerë njerëzish se sa përfaqësuesit partiakë të cilitdo krahu e në ngjashmëri me vendet e tjera të paktën europiane të ndërmarrin hapa që në fushën e ekonomisë e biznesit të thellojnë reformat dhe të lehtësojnë aktivitetin e operatorëve ekonomikë e tregtarë, si të vetmit që mund të rrisin punësimin e krijojnë pasuri e mirëqenie. Ndaj edhe fjalët e guvernatorit, më shumë se biznesit, i drejtohen në fakt politikës shqiptare në përgjithësi e veçanërisht drejtuesve të tyre të lartë. Le të shpresojmë se nuk do të jenë të shurdhër edhe ndaj kambanave të Bankës së Shqipërisë.
Jeni duke lexuar në: 406
Editioral: Nuk mjafton vetem ulja e normes se interesit