Pse eksportet shqiptare gjate 11-mujorit 2009 u reduktuan me partneret tradicionale, Itali e Greqi, dhe u rriten ndaj Gjermanise e Kinesr Fasoni dhe mineralet rriten 30-50% eksportet e tyre drejt ketyre dy shteteve. rHartar e detajuar e eksporteve 2009 drejt shteteve kryesore eksportuese
Nga Laura Cela
Zgjerohet harta e eksporteve
Pse eksportet shqiptare gjatë 11-mujorit 2009 u reduktuan me partnerët tradicionalë, Itali e Greqi, dhe u rritën ndaj Gjermanisë e Kinësr Fasoni dhe mineralet rritën 30-50% eksportet e tyre drejt këtyre dy shteteve. “Harta” e detajuar e eksporteve 2009 drejt shteteve kryesore eksportuese
Nga Laura çela
Viti 2009 shënoi jo vetëm rënien e eksporteve shqiptare, por edhe ndryshimin e destinacionit të tyre. Sipas të dhënave të INSTAT-it rezulton se eksportet gjatë janar-nëntorit të 2009-s u reduktuan me rreth 12% krahasuar me 11-mujorin 2008, ku rënia më e madhe ndodhi kundrejt Italisë dhe Greqisë, që kanë edhe peshën kryesore të eksporteve shqiptare.
Por ajo që vihet re është një rritje prej 16% e eksporteve drejt Gjermanisë dhe 46% drejt Kinës, që ndonëse me peshë më të vogël, konfirmojnë një diversifikim të tregjeve të huaja për bizneset vendase.
Siç kanë konfirmuar për revistën “Monitor” mjaft eksportues vendas, viti që lamë pas shërbeu për t’i nxitur ata të gjenin tregje të reja, pas “humbjeve” që po pësonin në Itali dhe Greqi. Shumë eksportues nisën dhe vazhdojnë të eksportojnë në Gjermani, fakt që konfirmohet edhe nga statistikat e detajuara të Institutit të Statistikave. Gjithsesi Italia vazhdon të mbetet pritësi kryesor i eksporteve me 63% të totalit, ndërsa ka një rritje të lehtë të peshës së Kinës e Gjermanisë, ndërsa ka një rënie të peshës së Greqisë .
Fasoni, rritje 30% në Gjermani
Në shifrat e INSTAT-it vihet re një rënie e eksporteve të tekstileve dhe këpucëve, që zënë edhe peshën kryesore të eksporteve shqiptare. Këto produkte, që kryesisht janë eksporte të industrisë me material porositës, janë reduktuar në volum kundrejt tregut kryesor të tyre, Italisë.
Nëse deri në nëntorin e 2008-s drejt fqinjit Itali u eksportuan rreth 39 miliardë lekë tekstile dhe këpucë, po në këtë periudhë të 2009-s eksportet ishin 5.5% më të ulëta. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe me Greqinë, ku eksportet ranë me 9.5%.
Në fakt, sipas të dhënave nga fasonistët, kontratat kryesore të këtij sektori janë pikërisht me këto dy shtete, për shkak të afërsisë gjeografike dhe kontakteve “të hershme” të biznesmenëve italianë me Shqipërinë.
Por kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit shqiptarë që të gjenin partnerë të rinj, duke ndryshuar hartën e mëparshme të eksporteve. Kompanitë e shfrytëzuan këtë vështirësi në dy drejtime. Së pari, të ndodhura në vështirësi, një numër i madh kompanish investuan që të realizonin ciklin e mbyllur në fason, me qëllim që të ishin më konkurruese. Së dyti, shumë prej tyre kërkuan dhe gjetën partnerë të rinj përveç Italisë. Dhe, në fakt, statistikat zyrtare konfirmojnë se, ndërkohë që eksportet drejt Italisë dhe Greqisë janë ulur, drejt Gjermanisë ato janë rritur me rreth 30%. Në janar-nëntor të 2009-s u eksportuan rreth 2.4 miliardë lekë tekstile dhe këpucë.
Efekti Gjermani u vu re që në bilancin e 7-mujorit të tekstileve dhe këpucëve, pasi ato u rritën me 0.2% në muajin korrik, si pasojë e ardhjes së disa porosive nga ky shtet.
Sipërmarrësit tregojnë se që nga 6-mujori i dytë i vitit 2009 po punojnë mjaft mirë me ndërmarrjet gjermane, holandeze dhe angleze, si dhe janë duke punuar që gjatë këtij viti të ketë volume dhe më të mëdha eksportesh.
Gjithsesi, në total, sektori i fasonit vazhdon të ketë rënie të eksporteve. Në sektorin e fasonit, rënia e eksporteve ka nisur që në tremujorin e fundit të vitit 2008 dhe, deri më sot, rezulton një nga degët më të prekura nga kriza globale financiare.
Arsyeja është më se evidente: të gjitha ndërmarrjet që operojnë në këtë sektor e kanë të lidhur aktivitetin me ecurinë e kompanive europiane, kryesisht italiane, nga ku marrin edhe porositë.
Sipas INSTAT-it, eksportet e tekstileve dhe këpucëve gjatë 11-mujorit të këtij viti janë rreth 44 miliardë lekë ose 2% më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Mineralet, “bum” në Kinë
Eksportet drejt Kinës, deri në nëntorin e vitit 2009 janë rritur gati 50%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008. Megjithëse një vit krize, kjo duket se nuk është reflektuar në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve. Nëse deri në nëntorin e vitit 2008, drejt shtetit aziatik u eksportuan rreth 3 miliardë lekë, në 11-mujorin e vitit të kaluar eksportet arritën në rreth 4.3 miliardë lekë.
Ajo që vihet re në bilancin tregtar është fakti që thuajse të gjitha eksportet shqiptare drejt Kinës janë minerale, kryesisht bakër.
Kompanitë shqiptare të nxjerrjes dhe eksportit të mineraleve duket se e kanë rimarrë përfundimisht veten pas rënies që pësuan në muajt e parë të 2009-s. Faktori kryesor që po ndikon në rritjen e volumit të punës është shtrenjtimi i çmimit të mineraleve në bursë. “Tashmë çmimi i kromit është rreth 1200 USD/ton dhe kjo është vlera maksimale e tij. Ne jemi në një situatë shumë të favorshme për momentin dhe urojmë që të zgjasë edhe më shumë”, shprehet për “Monitor”, Nazmi Kumanova, koordinator i kompanisë së nxjerrjes së bakrit “BerAlb”.
Ndonëse në total eksportet e mineraleve janë ulur si 11-mujor në 2009-n me 9.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, tendenca për në muajt në vazhdim është pozitive. Eksportet janë ulur kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë.
Koordinatori i “BerAlb”, Naim Kumanova, sqaron se viti 2009 ka qenë i mbarë për sa i përket eksporteve të mineraleve, duke shënuar një rritje në sasi krahasuar me një vit më parë.
“Si sasi kemi eksportuar më shumë se një vit më parë, por çmimi megjithëse është rritur nuk ka arritur nivelet e 2008-s. Kjo është arsyeja që në vlerë, eksportet rezultojnë më të ulëta se në 2008-n”, thotë Kumanova.
Koordinatori i kompanisë që eksporton bakër, konfirmon se eksportet do të vazhdojnë të rriten edhe gjatë muajve në vazhdim.
Një efekt të madh në përmirësimin e bilancit eksportues në këtë grup mallrash, sipas ekspertëve të INSTAT-it, ka pasur edhe situata e mirë energjetike, që ka mundësuar rritjen e eksportit të energjisë gjatë kësaj periudhe.
Metalet, pak “shpresa” për rikuperim
Industria e metaleve është padyshim një nga më të goditurat. Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë 11 muajve të 2009-s, eksportet janë përgjysmuar krahasuar me janar-nëntorin 2008. Sot, në Shqipëri, funksionin një fabrikë e madhe e prodhimit të çelikut, që çdo ditë e më shumë e ka të vështirë të shesë produktin në tregjet e huaja. Në të dhënat e detajuara të INSTAT-it, vërehet se eksportet e metaleve kanë pësuar një rënie të ndjeshme.
Drejt Italisë, eksportet e metaleve janë ulur me 37%, ndërsa drejt Greqisë rënia është edhe më e thellë, rreth 66%. Këto dy shtete zënë edhe gjysmën e eksporteve të metaleve.
Sipas të dhënave nga prodhuesit, situata e tregjeve, aktualisht është e keqe dhe prodhimi shqiptar vështirë të konkurrojë me çmimet ndërkombëtare. Hekuri shqiptar është shumë i shtrenjtë krahasuar me hekurin rus, ukrainas apo kinez.
Thuajse të gjitha vendet europiane kanë ndërmarrë masa mbrojtëse kundër tregtisë së lirë, rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, rregullave europiane për të mbrojtur prodhimin vendas.
Turqia e mbrojti industrinë e çelikut duke ulur volumin e importeve përmes mbylljes së “derës” Kinës, Ukrainës apo Rusisë. Ukraina, Rusia dhe Kina bënë të njëjtën gjë.
Ndërkohë në Shqipëri nuk është ndërmarrë ende asnjë masë mbrojtëse nga qeveria. Sipas prodhuesve, qeveria ka mbetur thjesht në sloganet e mbrojtjes së prodhimit vendas dhe nuk ka shkuar më tej. Ata shikojnë si një mënyrë nxitëse nxitjen e sektorit të ndërtimit, sidomos me angazhimin e tyre në punët publike.
“Qeveria mund t’i jepte atyre bonus, nëse në punët publike do të përdornin burime të brendshme, si fuqi punëtore, çimento apo hekur. Ky do të ishte një mjekim i mirë në këtë periudhë krize”, shprehen prodhuesit e çelikut.
Dyfishohen eksportet drejt SHBA-së
Ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin shteti më i goditur nga kriza globale financiare, kjo duket se nuk ka ndikuar në eksportet shqiptare drejt këtij vendi. Sipas të dhënave nga INSTAT-i rezulton se eksportet drejt SHBA-së janë rritur me rreth 2 herë në 11-mujorin e 2009-s krahasuar me janar-nëntorin e vitit 2008. Në total në janar-nëntor të 2009-s u eksportuan 714 milionë lekë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Peshën kryesore në eksporte e zënë bimët mjekësore dhe pikërisht sherebela.
Drejtuesi i kompanisë që zë 70% të totalit të eksporteve të sherebelës, Filip Gjoka, thotë se për vitin 2009 u arrit një volum eksportesh 80% më tepër e krahasuar kjo me 2008-n. Rritjet në volum u arritën pa mbështetje me linja të reja kredie nga ndonjë bankë e nivelit të dytë që operon në tregun shqiptar.
“është në planet tona të afërta, për vitin që jemi, 2010, që minimalisht të kapim një rritje 38% më shumë, e krahasuar kjo me 2009-n, për eksportet tona në drejtim të tregjeve të SHBA dhe Europë”, tregon presidenti Gjoka.
Ajo që duket se i ka shërbyer më së miri rritjes së eksporteve drejt SHBA-së është pikërisht kriza e vitit 2009. Gjatë kësaj kohe, kompania rriti sasitë e prodhimit dhe uli çmimet, duke konkurruar të gjithë furnitorët e rajonit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë.
Sipas të dhënave, kompania zë rreth 33% të totalit të eksporteve shqiptare në SHBA, me rreth 2400 tonë gjatë 2009-s.
Në këtë mënyrë, duke përmirësuar cilësitë e produkteve tona në prodhim, duke shtuar llojet e produkteve tona, duke iu përshtatur kërkesave të tregut në SHBA dhe në disa vende të BE-së ku eksportohet, duke organizuar punën në blerjet me lëndë të para me cilësi më të mirë, të pastra nga kontaminime, duke shtrirë grumbullimet e lëndëve të para pothuajse në të gjitha zonat në Shqipëri, pritet të zgjerohet eksporti më shumë në SHBA dhe Europë për këtë vit.
Sipas Filip Gjokës, nëse do të kishte edhe mbështetje nga organet shtetërore për industrinë e bimëve mjekësore, siç ndodh në shtetet fqinje, eksportet do të rriteshin akoma më shumë.