Sigurimet shtetërore
Të vlefshme edhe në privat
Ashtu siç është parashikuar dhe projektuar në planet e shëndetësisë, sigurimet shoqërore, pra librezat e shëndetit për të gjithë ata që paguajnë detyrime në shtet, do të jenë të vlefshme edhe në sistemin privat. Kjo do të thotë që për një listë shërbimesh të caktuara, shteti do të paguajë gjysmat apo një pjesë të shpenzimeve, ndërkohë që pjesën tjetër do ta paguajë vetë pacienti. Ky është projekti fillestar, i cili, sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, do të hedhë themelet këtë vit. ISKSH organizoi konferencën me temë “Sfidat e ekonomisë sociale të tregut në sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”. “Mund të thuhet me siguri që reforma në shërbimin parësor ka nisur të jetë evidente dhe ne kemi tashmë një raport krejtësisht të ri, ISKSH-Pacient-Qendër Shëndetësore, ku pacienti është në fokusin kryesor”, tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, sipas statistikave, aktualisht marrin shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve rreth 1.2 milionë shqiptarë. Nëse së afërmi, ligji i ri i financimit të skemës së sigurimeve shëndetësore do të konkretizohet, standardet do të bëhen të detyrueshme për blerjen e shërbimeve, ndërkohë që për herë të parë, do të mundësohen kontrata me sektorin privat për shërbime të caktuara. ISKSH synon ofrimin e shërbimeve shëndetësore për shumicën e popullsisë, përmes një pakete shërbimi atraktiv. Sikurse ka ndodhur me shërbimin parësor, do të ketë një paketë të veçantë edhe në shërbimin spitalor, por, këto shërbime ISKSH do t’i blejë, duke kërkuar standarde optimale për pacientët.
OSSH:
Pa drita, 167 subjekte buxhetore
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes u ndërpret energjinë elektrike 167 subjekteve buxhetore dhe jobuxhetore në vend. Paralajmërimi i dhënë pak ditë më parë nuk solli rezultat në mbledhjen e borxheve, duke e detyruar OSSH-në të ndërmarrë aksionin më të gjerë të ndodhur ndonjëherë. Lista e debitorëve që nuk kanë paguar dritat është e gjatë, me rreth 9500 subjekte, por OSSH vendosi ta shtrijë aksionin në disa qytete, duke lënë pa drita, për katër orë, shkolla, kopshte, spitale, bashki, komuna etj. Në listën e 167 subjekteve bie në sy ndërprerja e furnizimit me energji elektrike të objekteve me rëndësi të veçante, si Termocentrali i Vlorës, apo tuneli i Kalimashit. Për ndërtimin e këtyre dy veprave, qeveria ka shpenzuar rreth 1.5 miliardë dollarë, por pavarësisht kësaj, ato ndodhen në situata absurde të paaftësisë për të paguar dritat. Ajo që bie në sy është TEC-i i Vlorës, i cili mbeti katër orë pa drita, edhe pse funksioni i tij është prodhimi i energjisë elektrike. Po ashtu, tuneli i Kalimashit, i cili ka kushtuar qindra milionë dollarë, mbeti pa furnizim. Borxhi që këto dy subjekte i kanë OSSH-së është i papërfillshëm (9600 subjekte-13 milionë dollarë), para vlerës së kapitalit që kanë ato. Aksioni u përqendrua në 9 qytete të vendit, si Tiranë, Durrës, Kukës, Korçë, Elbasan, Berat, Fier, Burrel dhe Shkodër. Në listë nuk mungojnë madje as selitë e partive kryesore në vend, siç është ajo e Partisë Demokratike në qytetin e Kukësit, apo selia e Partisë Socialiste në Tropojë. Rekordin në këtë listë e zë qyteti i Kukësit, në të cilin u është ndërprerë energjia elektrike 63 subjekteve.
Janar
Ulen importet
Importi i mallrave në Shqipëri pësoi një rënie tjetër në janar të këtij viti, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar që nga fillimi i vitit 2007. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara prej Bankës së Shqipërisë. Shqipëria importoi 216 milionë euro mallra në janar, me rënie 31 për qind kundrejt dhjetorit, kur qenë importuar 314 milionë euro, si dhe me rënie 2.6 për qind kundrejt janarit 2009. Importet në Shqipëri nuk kanë qenë kaq të ulëta që nga shkurti i vitit 2007. Sasia e mallrave të importuara shërben si tregues i ecurisë së konsumit në Shqipëri, i cili vlerësohet nga të gjithë në tendencë negative, por paralajmëron gjithashtu edhe për vështirësi te financat publike, të cilat mbahen në këmbë në masë të madhe nga taksat dhe tatimet që mblidhen në dogana. Ekonomia shqiptare eksportoi 69 milionë euro mallra në muajin janar, me rënie të lehtë kundrejt dhjetorit, por gjithsesi me rritje të fuqishme prej 30 përqindësh në krahasim me një vit më parë. Rritja e fortë vjetore shpjegohet me faktin se në janar 2009, kriza pati arritur kulmin.
“Colliers”,
ndër kompanitë më të mira të real-estate
“Colliers International”, kompania globale e shërbimet në “real estate” deklaroi përfshirjen në Listën 2010 të “Global Outsourcing 100 List”, e cila njeh kompanitë më të mira të ofruesve të shërbimeve dhe këshillimeve. IOAP e ka cilësuar “Colliers” si ofruesin më të mirë të shërbimeve komerciale të “real estate” që nga fillimi i matjeve, tashmë në vitin e pestë të tij. Përzgjedhja në “The Global Outsourcing 100” vjen nga një proces aplikimi rigoroz, bazuar në faktorët kritikë për suksesin e dhënies së shërbimeve afatgjata, sipas IOAP. Ndërsa ekonomia rimëkëmbet, partneritetet me ofruesit më të mirë të shërbimeve dhe këshillimeve në botë do të jenë më të rëndësishme se kurrë, tha kryetari i IOAP, z. Michael Corbett dhe kryetar i panelit të gjyqtarëve. “The Global Outsourcing 100” ndihmon kompanitë të identifikojnë më lehtë ata partnerë që do t’i ndihmojnë ata dalin si udhëheqës.
Këto renditje janë bazuar në aplikimet e marra dhe të vlerësuara nga një panel i pavarur gjykatësish, organizuar nga IOAP. Paneli për vitin 2010 udhëhiqet nga kryetari i Michael F. Corbett.
“Eagle Mobile” dhe Albtelekom
Asnjë ndërprerje të sinjalit
Pas ndërprerjes së energjisë elektrike mbrëmjen e së martës në shkallë vendi, disa media kanë publikuar lajmin se po ashtu është shkëputur tërësisht komunikimi telefonik në vend. Kompania “Eagle Mobile” dhe kompania “Albtelekom” informojnë median dhe publikun e gjerë se nuk kanë pasur asnjë shkëputje të sinjalit gjatë 40 minutave të shkëputjes totale të energjisë elektrike ne vend. Lajmi i transmetuar në disa televizione dhe i publikuar në gazeta edhe në faqe interneti nuk qëndron. Dy kompanitë e grupit “çalik” në Shqipëri konfirmojnë zyrtarisht që nuk ka pasur asnjë ndërprerje të sinjalit në asnjë zonë të vendit. “Eagle Mobile” ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe zotëron gjeneratorë dhe bateri mbështetëse për antenat dhe padyshim edhe në zyrat teknike në Tiranë. Kompania nuk mund të qëndrojë e ndërvarur nga shkëputjet e energjisë elektrike dhe ka garantuar mbajtjen në gjendje pune për ditë të tëra edhe gjatë mungesës së energjisë.