Prokuroria
Hetim për çmimet e energjisë
Rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 janari 2010 do të jetë objekt hetimi i prokurorisë, duke marrë në konsideratë kallëzimin e bërë nga Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorëve. Burime zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) konfirmuan për gazetën “Shqip” nisjen e hetimeve nga prokuroria, e cila në ditët e fundit ka qenë e pranishme në zyrat e ERE-s për të mbledhur materialet e mundshme rreth vendimit që mori bordi i komisionerëve për rritjen e tarifave. Sipas kreut të ERE-s, Bujar Nepravishta, pozicioni i Entit Rregullator gjatë procesit të vendimmarrjes për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka qenë i vështirë, pasi të tria kompaninë e sektorit energjetik kërkuan rritje të tarifave, nga 44 deri në 80 për qind. Drejt prokurorisë ka mbërritur dhe një akuzë tjetër që lidhet me abuzimin e faturave të energjisë elektrike, ku nga konstatimet e para del se llogaritja e kilovatit me tarifat e reja ka nisur dy javë para se të hynin në fuqi.
Tenderët
Dyfish ankesa nga bizneset
Bizneset kanë rritur shqetësimet rreth mënyrës së bërjes së tenderëve, duke u ankuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) për shkelje të afateve, fondit limit etj. Në raportin e vitit 2009, APP thotë se numri i ankesave u rrit dy herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Konkretisht gjatë 2009-s janë paraqitur në total 1100 ankesa, nga të cilat 498 ankesa kanë rezultuar të pavlefshme, për mosrespektim të shkallëve të ankimit, dhe/ose për paraqitje jo sipas formularit standard. Vetëm për 67 ankesa është marrë vendim për modifikim të dokumenteve të tenderit. Në përfundim të hetimeve administrative, nga kjo drejtori janë vendosur gjoba, si dhe janë propozuar masa ndaj personave përgjegjës në mbi 50 për qind të rasteve.
Qeveria
Zgjerim kompetencave të Agjencisë së Licencimit
Qeveria shqiptare miratoi në mbledhjen e fundit zgjerimin e fushës së aktivitetit të Agjencisë Kombëtare të Licencimit, duke atashuar aty edhe zyrat e aplikimeve për leje minerare dhe energjetike. Projekti synon të lehtësojë punën e bizneseve që kanë nevojë për licenca të posaçme për kryerjen e aktivitetit të vet.
“Në mbledhje u diskutua mbi Qendrën Kombëtare të Aplikimit të Energjisë (QKAE) dhe alokimin e saj pranë Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave”, njoftoi Këshilli i Ministrave. Zyra e re do të pranojë aplikimet për kërkim koncesionesh për prodhimin e energjisë nga burime të ndryshme, por koncesionet do të vijojnë të ndjekin të njëjtën rrugë si më parë. Për më tepër, për shkak se shumica dërrmuese e koncesioneve të mundshme janë marrë sakaq, agjencia e re nuk pritet të ketë shumë punë.
Energjia
Vjedhjet kushtuan 18 miliardë lekë
Vjedhjet e energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes gjatë vitit të kaluar u shtuan me 10 për qind, duke arritur në 2.1 miliardë kWh, sasi kjo e barabartë me afërsisht 18 miliardë lekë. Instituti i Statistikave publikoi raportin vjetor të energjisë elektrike, nga ku rezulton se ka pasur rritje të furnizimit me energji, si dhe rritje të konsiderueshme të prodhimit, por kjo gjë nuk ka sjellë ndonjë bilanc pozitiv, pasi humbjet janë rritur po në të njëjtën masë.
“Energjia elektrike në vitin 2009 u rrit 8.9 për qind, krahasuar me vitin 2008. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar arriti vlerën 7,194 GWh. Prodhimi total i energjisë elektrike në vend u rrit ndjeshëm me 35.8 për qind, krahasuar me vitin 2008. Sasia totale e prodhuar është 5,230 GWh dhe përbën 72.7 për qind të burimeve gjithsej të energjisë”, njoftoi INSTAT.
Humbjet në rrjet janë rritur 8.8 për qind në krahasim me vitin 2008. Sasia e humbjeve totale është 2,328 GWh. Ato përbëjnë 32.4 për qind të sasisë së energjisë disponibël për përdorim. Humbjet në shpërndarje janë rritur 9.8 për qind. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet me 90.9 për qind.
Komisioni i Ekonomisë
Diskutohet “avokati” i biznesit
Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar variantin e ri të “procedurave tatimore”, propozohet ngritja e një strukture të re, pranë Drejtorisë së Tatimeve që do të shërbejë si “avokat” për problemet që bizneset kanë me Tatimet. “Avokati i Tatimpaguesve është i autorizuar të investigojë dhe të ndërhyjë, nëse procesi i vlerësimit të detyrimeve tatimore apo procesi i apelimit nuk kryhen në përputhje me procedurat e vendosura në ligj”, tha drejtoresha e politikave fiskale në Ministrinë e Financave, e pranishme në komision.
Konkurrenca
Rrëzohet pretendimi i Petroliferës
Komisioni i Konkurrencës njofton se në mbledhjen e fundit diskutoi çështjen me objekt shqyrtimin e kërkesës së ndërmarrjes “La Petrolifera Italo Albanese” sh.a për revokimin e vendimit nr. 140, datë 10.3.2010, të Komisionit të Konkurrencës, “Për marrjen e masave të përkohshme në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm”.
Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të kërkesës së ndërmarrjes “La Petrolifera Italo Albanese” sh.a, për revokimin e vendimit nr. 140, datë 10.03.2010, të Komisionit të Konkurrencës, arriti në përfundimin se kërkesa e ndërmarrjes “La Petrolifera Italo Albanese” sh.a, është e pabazuar në ligj dhe në prova. Gjithashtu kërkesa e paraqitur nga “La Petrolifera Italo Albanese” sh.a për nxjerrjen e udhëzimeve për të mundësuar zbatimin e vendimit 140 të Komisionit të Konkurrencës është e pambështetur në ligjin 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi rrëzimin e kërkesës së ndërmarrjes “La Petrolifera Italo Albanese” sh.a dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 140, datë 10.3.2010, “Për marrjen e masave të përkohshme në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkim dhe depozitimit të gazit të lëngshëm”, si dhe rrëzimin e kërkesës së ndërmarrjes “La Petrolifera Italo Albanese” sh.a për nxjerrjen e udhëzimeve në zbatim të vendimit nr. 140, datë 10.03.2010 të Komisionit të Konkurrencës.
Hetimet nga autoriteti nisën pasi importuesit e gazit, në fund të muajit janar 2010, u shprehën në media të shqetësuar mbi pamundësinë e shkarkimit të gazit të importuar për shkak të refuzimit të koncesionarit të Portit të Vlorës që të ofronte shërbimin e shkarkimit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm. Nga ky shkak po vononin depozitimet e gazit të lëngshëm në Portin e Vlorës dhe po paralajmërohej një rritje e mundshme e çmimit të gazit. Ndërsa Petrolifera pretendon se ajo ka vepruar në përputhje me rregullat në fuqi, ndërsa kanë qenë importuesit ata që nuk kanë pranuar nënshkrimin e kontratave që do të mundësonin përfitimin nga shërbimet e Petroliferës.