INSTAT
Shqipëria, zyrtarisht në rënie ekonomike
Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi rënie në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, njoftoi Instituti i Statistikave. “Ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2008”, deklaroi INSTAT-i. Degët e industrive dhe ndërtimit qenë përgjegjëse për rënien ekonomike të Shqipërisë, ndërsa degët e tjera pësuan rritje, sipas INSTAT-it. Në këtë tremujor, degët që kanë pasur rritje krahasuar me tremujorin e tretë 2009 ishin, industria me 2.9 për qind, tregtia me 1.6 për qind dhe bujqësia me 0.8 për qind. Ndërsa dega e ndërtimit dhe shërbimet vazhdojnë të shfaqen me rënie respektivisht me 11.8 për qind dhe 4.0 për qind.
Degët që patën rritjet më të larta krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2008 ishin post-telekomunikacioni, tregtia dhe transporti respektivisht me 8.3 për qind, 7.2 për qind dhe 3.0 për qind. Degët që patën rënie në këtë tremujor krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti të mëparshëm ishin ndërtimi dhe industria, respektivisht me 14.4 dhe 4.1 për qind. Viti 2009, mbështetur mbi informacionet tremujore, shënoi një rritje prej 3.3 përqindësh krahasuar me 2008-n, sipas INSTAT.
Sondazhi
Kriza greke mbërrin në vjeshtëShqipëria pritet të ndiejë në vjeshtë efektet e krizës ekonomike që ka mbërthyer Greqinë dhe ka prekur Italinë këtë vit.
Drejtori i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale, Ilir Gedeshi sqaron se gjatë verës, kjo krizë do të ndihet më pak në vend për shkak të turizmit dhe rritjes së produkteve bujqësore vendase. “Rënia e remitancave do të vihet re pas periudhës së verës, sepse do të jetë sezoni turistik, do të vijnë emigrantët dhe do ketë shpenzime. Por kriza do ndihet më pas, tek familjet që nuk do të kenë remitanca. Do kemi një ulje të fuqisë blerëse që do të shkaktojë probleme në vend”, pohon Gedeshi. Zoti Gedeshi sqaron se në bazë të anketimeve të fundit me emigrantët në Greqi dhe Itali rezulton se 45.6% e emigrantëve të pyetur kanë deklaruar se krizën e kanë ndierë në shkurtimin e orëve dhe ditëve të punës, çka reflektohet direkt në të ardhurat e tyre. Në 2009-n, vetëm 57.4% e familjeve emigrante në Greqi kanë dërguar para në Shqipëri, nga 76% që ishin në 2008-n.
ACIT
Ulet konkurrueshmëria e eksporteveQendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, një OJF e specializuar në analizat e tregtisë së jashtme, deklaroi në një forum të zhvilluar me rastin e publikimit të analizës së ACIT për tregtinë e jashtme të vitit 2009, se rënia e eksporteve të vendit gjatë vitit 2009 tregon se Shqipëria po humbet terren në konkurrencën me vendet e tjera me eksporte të ngjashme dhe se ka nevojë të përmirësojë eficiencën dhe cilësinë, me qëllim që të rikthehet te rritja e eksporteve..
“Edhe pse deficiti tregtar i Shqipërisë nuk u thellua vitin që shkoi, pati një rënie të rëndësishme të eksporteve shqiptare”, tha drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri, Joseph C. Williams, në një tryezë mbi politikat ekonomike që u mbajt sot në Tiranë. “Kjo thekson nevojën e menjëhershme për të përmirësuar konkurrueshmërinë e produkteve në tregjet e brendshme dhe të huaja”, shtoi ai.
Karburantet
Ankesë te Kryeministri për kasat
Aksionet e fundit të tatimorëve drejt pikave të karburantit për pajisjet fiskale, si dhe masat e forta të gjobave, detyruan Shoqatën e Hidrokarbureve t’i dërgojë një letër Kryeministrit dhe ministrit të Financave për rishikimin e disa pikave në vendim. Në të kërkohet rishikimi i afateve për vendosjen e kasave, si dhe masa e gjobave, që shkon deri në 500 mijë lekë të reja. Nga testimet e bëra në treg përmes grupeve të kontrollit, rezulton se nga pesë shoqëri kasash të autorizuara nga qeveria, vetëm njëra është në gjendje t’i instalojë pajisjet sipas standardeve të kërkuara në VKM, pasi produktin e merr në Itali, por edhe ajo has vështirësi në disa raste gjatë instalimit, për shkak të teknikës së pompave (amortizimi) dhe leximit të kodeve (protokollet që mungojnë). Në këto kushte, subjektet e karburanteve kërkojnë ndryshimin e VKM-së, në mënyrë që sistemi fiskal i pajisjes t’i përshtatet pompës. Ndërkaq, Ministria e Financave ka përfunduar udhëzimin e ri për kasat fiskale, në përputhje me VKM-në e fundit, nga ku pritet rifillimi nga e para e programimit, për shkak të problemeve të hasura në terren me transmetimin e të dhënave.
Burime pranë shoqërive të karburantit konfirmojnë se shoqata nuk është kundër procesit të instalimit të kasave, por shtojnë se sistemi duhet t’i përputhet realitetit, ndërsa kërkohet që situatën ta marrë në dorë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Një sugjerim lidhet me pagesat, që karburantet mendojnë t’i bëjnë për llogari të tatimeve, ndërsa këto të fundit, me shoqëritë e kasave, duke qenë se sistemi fiskal është në interes të DPT-së.
Qeveria
Eurobondet, jo vetëm për shlyerjen e borxhit
Qeveria shqiptare ka në plan jo vetëm të marrë një kredi këtë vit për të shlyer kredinë e shtrenjtë që mori vitin e kaluar për rrugën Durrës-Kukës, por edhe për të mbuluar deficitin buxhetor të këtij viti. Parlamenti filloi diskutimin për një ligj që do të autorizojë qeverinë të tërheqë 300-400 milionë euro borxhe në tregun ndërkombëtar përkundrejt një interesi jo më të lartë se 7.5 për qind në vit, por nga kjo shumë, vetëm 200 milionë euro do të përdoren për të shlyer kredinë e vjetër, e cila ka një interes vjetor prej afërsisht 11 përqindësh. Pjesa tjetër, e cila sipas dëshirës së Ministrisë së Financave, duhet të jetë rreth 150 milionë euro, do të përdoret për qëllime të tjera.
Banka e Shqipërisë
Qeveria të ulë shpenzimet korente
Thirrja për ulje të borxhit publik dhe deficitit buxhetor nga ana e qeverisë është përsëritur edhe një herë në një raport të fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. “është e domosdoshme të kontrollohet deficiti buxhetor për vitin 2010, në nivele që garantojnë respektimin e objektivave të përcaktuar në Kuadrin Makroekonomik Afatmesëm, në lidhje me nivelin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik”, thuhet në raport. Në këtë kuadër vazhdon edhe sugjerimi lidhur me shkurtimin e shpenzimeve, veçanërisht i atyre korente që vlerësohet si instrumenti kryesor në realizimin e këtij objektivi, në kushtet kur ecuria e të ardhurave publike mbetet e paqartë dhe potenciali i rritjes së tyre duket i kufizuar. “Ulja e shpenzimeve publike do të ndikojë në përmirësimin e deficitit të llogarisë korente në bilancin e pagesave, duke ndikuar pozitivisht në faktorët që përcaktojnë qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit”, vazhdon raporti.