Menyja politike e darkës te restorant “Crocodile” në Strasburg, – ku Kryeministri Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, me ftesën e eurodeputetëve europianë dhe praninë enkas të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, u takuan bashkë për të gjetur një zgjidhje për krizën e kutive, – shërbeu për të hapur oreksin për një dialog të ndërprerë prej më se një muaji, për shkak të fillimit të grevës së urisë së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Publiku shqiptar, – që si rrallëherë ka ndjekur për orë të tëra një darkë mes politikanësh, – mori ndër të tjera mesazhin se “krokodili”, që çliroi kampet nga qëndrimi aktual pa kompromis, vlerëson dialogun institucional, përtej traumës dhe presionit që vjen nga rruga dhe grevat e urisë. Ndonëse nuk u arrit kompromisi, tryeza mund të konsiderohet e suksesshme, porsa kohë që uli të dyja palët në tavolinë.
Por, përtej shumë arsyeve teknike dhe ngushtësisht politike, kjo meny kishte kundër dy argumente të forta për të mos dhënë një produkt të gatshëm që do t´i kënaqte të “ftuarit” nga Shqipëria, pasi vetë gostitësi nuk do ta bënte gjithsesi.
Së pari, vetë përfaqësuesit e BE-së nuk do të donin që zgjidhja të vinte nga sofra e “Crocodile” pasi edhe formalisht, rruga e zgjidhjes duhet të buronte nga institucionet shqiptare, mesazh që europianët e dhanë që ditën e parë kur opozita nisi kontestimet dhe kriza nisi spiralen e saj. Ata do t´i qëndronin besnikë postulatit të artikuluar me mijëra herë se kriza nuk zgjidhet në rrugë, por në institucione, duke kërkuar konkretisht ndërprerjen e bojkotit të Parlamentit nga opozita dhe ca më shumë nuk e pranuan grevën e urisë si instrument i ekstrem që vë në presion institucionet e mbart rrezikun e një zgjidhjeje joligjore dhe jashtë sistemit. Jo më kot, europianët parapëlqyen tryezën e Presidentit shqiptar për të nisur dialogun mes palëve, edhe pse e dinë shumë mirë se moderatorët e vërtetë të zgjidhjes së krizës do të ishin ata vetë. Edhe vetë përvoja e politikës shqiptare gjatë këtyre 20 viteve ka treguar se anashkalimi i institucioneve dhe gjetja e zgjidhjeve në tryeza të tjera kanë prodhuar produkte që gjatë rrugës kanë krijuar probleme.
Së dyti, një zgjidhje e arritur jashtë Shqipërisë do të ishte goditëse jo vetëm për politikën shqiptare, që dëshmoi për të disatën herë se nuk është e aftë të zgjidhë vetë krizat, jo për institucionet e shtetit shqiptar, por për të gjithë mjedisin shqiptar. Një zgjidhje nga restorantet e Strasburgut do të ishte damka e pamerituar për ambientin shqiptar, si një shoqëri, e cila nuk di të prodhojë dialog e konsensus e, për rrjedhojë, as institucione e vlera demokratike, në mos të njëjta, të krahasueshme me ato të Europës, duke qenë një rekuiem që do të përçudnonte shoqërinë tonë me kujtimet e qeverisë në azil, mërgatave apo Princ Vidët e Mesjetës.
Prandaj tek “Crocodile” qartas u dha darkë nga europianë për t´i dhënë fund urisë së opozitës në grevë. Jo më kot, gjatë këtyre dy-tri javëve të ardhshme, pritet që nga BE të vijnë ekspertë që, duke negociuar me të dyja krahët e politikës, do të gjejnë së bashku një zgjidhje ligjore e cila do të serviret brenda sistemit dhe përmes institucioneve. Kjo duhet të ndodhë përpara 2 qershorit, kur europianët kanë deklaruar se do të marrin vendim për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Në të kundërt, kostoja që do të vinte nga kriza politike aktuale do të rëndonte jo vetëm shoqërinë, por dhe aspiratën e saj dhe ky do të ishte ndëshkimi më i rëndë, pasi një shoqëri që nuk ka aspiratë vdes.