Privatizimi i “Albpetrol”
Tenderi në fund të vitit
Në fund të këtij viti pritet që të zhvillohet edhe tenderi ndërkombëtar për privatizimin e “Albpetrol”. Procesi i vlerësimit për privatizimin e kësaj kompanie i është besuar kompanisë konsulente amerikane “Patton Boggs” përmes një kontrate të nënshkruar javën e kaluar, së cilës i lihen 6 muaj kohë afat. Në një konferencë për shtyp, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, u shpreh se kompania në fjalë e njeh mjaft mirë Shqipërinë, duke qenë se ka qenë konsulent ndërkombëtar edhe për privatizimin e ARMO-s. Përmes kontratës që u nënshkrua nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, kompania merr përsipër një sërë detyrimesh. “Kontrata parashikon shumë detyrime, por ka një afat që për një periudhë 6-mujore duhet të përfundojë komplet procesi i vlerësimit të kompanisë, marrja e vendimit për mënyrën e privatizimit, cilat asete do të privatizohen, në çfarë mënyre do të privatizohen dhe marketingu për privatizim. Kompania do të ketë edhe përgjegjësinë për të ftuar kompanitë më të fuqishme të botës për të marrë pjesë në privatizimin e ‘Albpetrolit’”, u shpreh Prifti. Ministri bëri me dije se kontrata ka një vlerë prej 25 milionë lekësh të reja. “Pas firmosjes së kontratës me konsulentin ndërkombëtar, procesi i privatizimit të ‘Albpetrolit’ vjen i pari. Tashmë kemi një afat që për 6 muaj duhet të përfundojë puna dhe kompania duhet të dalë në një tender ndërkombëtar për shitjen, për privatizim apo formë tjetër koncesionare”, përcaktoi ministri.
Konfindustria
Duhet amnistia fiskale
Konfindustria, duke u nisur nga zhvillimet e fundit në vendet konkurrente tregtare fqinje të Shqipërisë, si dhe nga kërkesa e domosdoshme e ekonomisë shqiptare për financime, shprehu javën e kaluar shqetësimin për vonesat e ekzekutivit shqiptar në kryerjen e amnistisë fiskale. “Shqetësimi i mësipërm vjen nga vendimi i qeverisë dhe Parlamentit të Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi në Greqi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta”, tha Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustria. Sipas tij, është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20-vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Europë përfshi edhe ato të BE-së, që nuk ka kryer asnjë amnisti fiskale të vërtetë dhe aq më shumë në kushtet kur vendet konkurrente tona si Greqia dhe Italia i kryejnë në mënyrë të vazhdueshme. Buxhuku thotë se vonesat kohore të kryerjes së amnistisë fiskale në Shqipëri kanë ndikim të drejtpërdrejtë në: shtimin e dukurisë shqetësuese të largimit të parave shqiptare në sasi të mëdha jashtë vendit, ngadalësimin e nismave investuese nga biznesi dhe qytetarët në ekonomi, si dhe në shtimin e prirjes e tërheqjes/mbajtjes së kursimeve të emigracionit të shumtë shqiptar nga bankat e huaja, pa i kthyer në atdhe.
Strukturohen sigurimet
50% e të ardhurave nga sigurimet vullnetare
Tregu i sigurimeve po ridimensionohet në drejtimin e të ardhurave. Sipas të dhënave për tregun e sigurimeve që i referohen periudhës janar-prill 2010, sigurimet vullnetare në janar-prill 2010 sollën 53% të të ardhurave të përgjithshme në tregun e sigurimeve. Më parë, të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm zinin rreth 70 për qind të të ardhurave të përgjithshme. Kështu, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 1.4 miliardë lekë ose 22.77% më shumë se në janar-prill të vitit 2009, por me rreth 32.61% ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas një analize të përgjithshme nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat për 4-mujorin në favor të kompanive të sigurimit arritën 2.7 miliardë lekë, ose rreth 3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në periudhën janar- prill 2010, numri i kontratave të sigurimit të lidhura, arriti në 189.557, duke shënuar një ulje prej rreth 17.81%, krahasuar me janar-prill 2009. AMF konstaton se tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës që sollën rreth 91% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 9%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 53% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 47% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.
Shqipëria e 12-a
Zhvillim i tregtisë me pakicë
Vend i vogël, mundësi të mëdha. Kështu e ka nisur studimin e saj kompania amerikane e konsulencave “A.T. Kearney”, e cila për të nëntin vit publikoi Indeksin Global të Zhvillimit të Tregtisë me pakicë, ku Shqipëria përfshihet për herë të parë. “Recesioni global ka ndryshuar panoramën dhe ka lënë pas tregje të vogla, por të veçuar në një pozicion relativisht më të mirë. Të rinjtë që futen në renditje këtë vit janë tregje të vogla si Shqipëria, Maqedonia, Republika Dominikane dhe Bosnjë-Hercegovina”, thuhet në raport. Sipas këtij publikimi, Shqipëria është një treg i vogël, por me një perspektivë në vijim pozitive. “Shqipëria performon në Indeksin Global të Zhvillimit të Tregtisë me pakicë në vendin e 12, ku rezultatin më të mirë e shënon në aspektin që tregu ka ende shumë hapësira për t’u rritur, pasi nuk është ‘i ngopur’”, vazhdon raporti. Në vlerësimin e indeksit merret parasysh fakti se sa tërheqës është tregu i këtij vendi për investime, çfarë risku paraqet ky vend ku vlerësohet situata politike dhe ekonomike, hapësirat e mundshme në treg dhe presioni i kohës. “Shqipëria mbetet ende një vend i varfër me një GDP për frymë në nivelin 3370 dollarë. Deri në vitin 2014, GDP-ja pritet që të rritet me 30 për qind, çka e kthen atë në një vend që duhet pasur në vëmendje në periudhën afatgjatë. Tregu i fragmentarizuar i ushqimeve operon në dyqane të pavarur, të vegjël dhe tregje të hapura të produkteve të prodhuara vetë”, thuhet në raport.
METE
Ftesë investitorëve gjermanë
Investitorët e huaj do të gjejnë në Shqipëri terrenin e përshtatshëm për biznes të suksesshëm, nisur kjo nga barra e lehtë fiskale, krahu i punës dhe rrjedhimisht kostoja e ulët e prodhimit. Kështu u shpreh javën e kaluar ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në takimin e organizuar nga Dhoma Gjermane e Tregtisë. Ai theksoi se Shqipëria është përpjekur të krijojë një klimë të mirë biznesi, ku investitorët të ndjehen të sigurt. Vëmendje dhe thirrje të veçantë, ministri bëri për investitorët që kanë si orientim të biznesit të tyre sektorin e fasonëve. “Në Shqipëri, fasonët do të gjejnë një terren të përshtatshëm, pasi taksat janë më të ulëta edhe se Kina apo India. Ky biznes është i përjashtuar nga taksa e importit dhe eksportit. Nga ana tjetër kemi pagën minimale më të ulët dhe një popullsi të re e të kualifikuar për t’u punësuar”, theksoi Prifti. Ai bëri me dije se sektori i fasonëve shihet me përparësi nga qeveria shqiptare, pasi është edhe sektori që punëson një numër të konsiderueshëm njerëzish.