ERE
Probleme në tenderin e OSSH
Ka pasur probleme tenderi që po zhvillohet këto ditë nga OSSH-ja për atë sasi energjie që do të blihet për vitin 2011 dhe që shërben për plotësimin e nevojave të tregut dhe humbjeve në sistem, sipas gazetës Shqip. Duke qenë se ERE mban përgjegjësi direkte për çdo tender që lidhet me tarifat e energjisë që blihet nga OSSH-ja, mori përsipër mbikëqyrjen e procesit të fundit, që kishte të bënte me lidhjen e kontratës për një sasi energjie me kapacitet 150 MW dhe çmim mesatar që nuk i prek kuotat e 50 eurove. Edhe pse ERE pranon se në tender ka pasur mungesa të theksuara transparence, duke shkaktuar mungesë konkurrence, në fund të diskutimit mori vendimin për të lejuar OSSH të lidhë kontratë me dy shoqëritë që do ta furnizojnë gjatë gjithë vitit 2011, “CEZ Trade Albania” dhe EFT. Këto dy shoqëri janë të njëjtat që kanë fituar tenderin edhe për 2010-n, vlera e të cilit i kapërcen 65 milionë euro. OSSH-ja e blen energjinë nga KESH-i me çmime të vendosura dhe të rregulluara nga ERE, por pjesa që humbet dhe vidhet në rrjet, është caktuar të blihet në treg të hapur, me çmime sipas konkurrencës. Pikërisht këtë sasi, OSSH-ja e prokuron në fillim të muajit shtator, duke ftuar të gjitha shoqëritë e interesuara të marrin pjesë në tender. Mësohet se që këtu nisin dyshimet e para për mungesë transparence, fakt i pranuar nga vetë ERE dhe të dokumentuar nga zyra juridike e Entit Rregullator. Pasi ka konstatuar shkelje, Enti thotë se do t’i tërheqë vëmendjen CEZ-it, ndërsa për mungesën e konkurrencës në tenderin rreth 200 milionë euro jep aprovimin për lidhjen e kontratave me dy shoqëritë, ku njëra është vetë CEZ-i.
Fullani
Rimëkëmbja nis nga eksportet
Në deklaratën e bërë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Fullani theksoi me forcë rëndësinë që ka zhvillimi i sektorit të eksporteve, si i vetmi mjet për të rimëkëmbur ekonominë dhe i përshtatshëm për të ulur nevojën ndaj financimeve të huaja.
“Nxitja e eksporteve, në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë, kërkon ndërmarrjen e reformave strukturore në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare. Kjo do t’i shërbente kalimit drejt një modeli më të qëndrueshëm të rritjes ekonomike dhe njëkohësisht do të krijonte më pak varësi nga burimet e huaja të financimit”, tha kreu i BSH-së.
Për guvernatorin, ekonomia shqiptare duhet të bazohet tek eksportet. “Rritja e eksporteve gjatë vitit 2010 është ndikuar nga rritja e ekonomisë botërore dhe koniunktura favorizuese e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, nga kursi i nënçmuar i këmbimit, nga përpjekjet e vetë bizneseve shqiptare për zgjerimin e tregjeve të tyre, por edhe nga disa faktorë me natyrë të përkohshme apo kalimtare”, thuhet në analizën e paraqitur nga kreu i BSH-së. Sipas tij, të dhënat e tregtisë së jashtme për muajt korrik-gusht 2010 dëshmojnë për zbutjen e ritmeve të rritjes vjetore të eksporteve dhe për norma pozitive të rritjes vjetore të importeve, duke u reflektuar në zgjerimin e deficitit tregtar për këtë periudhë.
Biznesi
Më 8 nëntor nis regjistrimi i ri
Bizneset që operojnë në Shqipëri do të jenë të skeduara përmes një programi të ri identifikimi dhe kërkimi, i cili do të funksionojë nga të dhënat që do mblidhen në terren. Sikurse do të veprohet me popullsinë, INSTAT-i po planifikon që shumë shpejt të nisë regjistrimin edhe të subjekteve private që operojnë në vend, duke përjashtuar ato bujqësore. Regjistrimi do të shoqërohet me një pyetësor për të mësuar më qartë nivelin e aktivitetit privat, ndarjen e sektorëve, karakterin, formën si punojnë etj. “Regjistrimi i njësive ekonomike jobujqësore do të nisë më 8 nëntor 2010 dhe do të zgjasë një muaj”, deklaroi zyrtarisht Ministria e Informacionit. Ky regjistrim do të kryhet në të gjitha njësitë ekonomike aktive që përmban regjistri i ndërmarrjeve, të cilat ushtrojnë aktivitet në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që kanë marrë kod identifikimi, NUIS nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe QKR. Në këtë regjistrim përfshihen edhe subjektet e administratës publike, OJF dhe organizatat ndërkombëtare. Pas publikimit të të dhënave paraprake në qershor 2011, afati i publikimit i të dhënave përfundimtare do të jetë në dhjetor 2011.
IQT:
Kujdes, nga 1 janari 2011 nafta ndryshon cilësi
Inspektorati Qendror Teknik, në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, u ka dërguar një urdhër të gjitha shoqërive të naftës që importojnë dhe shesin përmes pikave të pakicës, që prej datës 1 janar të 2011-s në treg ndalohet shitja e naftës 350 ppm, me ndotje të lartë ambienti dhe dëmtime për makinën. Sipas urdhrit të lëshuar këto ditë, në treg do të shitet një standard i ri nafte, 10 pmm, që ndot më pak, ruan makinën, por që kushton më shumë për shkak të cilësisë. Urdhri i IQT-së vjen në kuadër të vendimit të qeverisë, më datë 21 mars 2007, sipas së cilës brenda vitit 2011 parametrat e naftës do të vijnë drejt përmirësimit, ku nga 2000 ppm që ishte, gradualisht të ulej deri në 10 ppm, që ndryshe quhet naftë eruodiezel ose D1. “Brenda datës 31 dhjetor 2010, të gjitha shoqëritë duhet të dërgojnë në IQT të dhënat për sasi të lëndës djegëse diezel me përmbajtje squfuri deri në 350 ppm. Gjithashtu, duhet të merren masa edhe për reklamimin në tabelat e reklamave në stacionet e tregimit, për të afishuar përbri çmimit standardin e ri të lejuar, naftë 10 ppm”, thuhet në urdhrin që kreu i IQT-së, në atë kohë, Adrian Dautaj, u dërgon shoqërive. Me ndryshimin e standardeve dhe me vendosjen e kufirit të ri, konsumatorët dhe drejtuesit e makinave do të përdorin një lloj nafte që përmban 35 herë më pak squfur se ai aktuali.
Investimi
Lidhje me fibra optikë nën ujorë
UNIFI Communications (UNIFI), kompania amerikane në sektorin ndërkombëtar të transmetimit të të dhënave dhe Alcatel-Lucent, një ofrues i lidhjeve kabllore nënujore, deklaruan nënshkrimin e Fazës së Parë të Kontratës për ndërtimin e rrjetit Rrjetit Ballkan-Itali (BIN). Alcatel-Lucent do të ofrojë një zbatim të plotë të lidhjes me fibra optike nënujore ndërmjet Tiranës në Shqipëri dhe Barit në Itali. Rrjeti pritet të jetë funksional rreth fundit të vitit 2011.
Sipas marrëveshjes, Alcatel-Lucent duhet të përfundojë shtrimin e fibrës optike që do të lidhin Italinë me qendrën e sapokrijuar në Tiranë për Shkëmbimin e Internetit në Ballkan (Balkans Internet eXchange (BIX). BIX po krijohet nën kujdesin e UNIFI për të shërbyer si qendra e parë me fibra optike për shkëmbimin e të dhënave mes Shqipërisë dhe qendrave më të mëdha të telekomunikacionit në Europë ku përfshihet Milano, Frankfurti, Amsterdami dhe Londra.
UNIFI do të ofrojë dhe tregtojë shumë lloje shërbimesh të rrjeti, përfshi përçimin e interneti deri në shpejtësi disa Gigabit, gjithë llojet e shërbimeve të tjera për transmetimin e të dhënave. UNIFI do të mundësojë lidhjen me fibër të errët ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë me pjesën tjetër të Europës dhe rrjetet ndërkombëtare.