Raport progresi i Bashkimit Europian për Shqipërinë, publikuar së fundmi, pohon se ka një konsensus të gjerë se ecuria ekonomike e vendit dhe zbatimi i politikave ekonomike ka qenë në përgjithësi i mirë. Shqipëria ka arritur të ketë një shkallë stabiliteti makroekonomik të mjaftueshëm për t’u lejuar operatorëve ekonomikë të marrin vendime në një klimë të parashikueshme. Kombinimi i politikave makroekonomike në vitet e fundit ka qenë i përshtatshëm, duke gjeneruar rritje që i kalon 5%, dhe që gjatë vitit 2009 ka qenë më e ulët për shkak të krizës, por gjithsesi pozitive. Inflacioni ka mbetur i ulët. çmimet dhe tregtia në përgjithësi janë liberalizuar. Progres i dukshëm është arritur në lehtësimin e hyrjes në treg. Sistemi bankar është zgjeruar me shpejtësi si rrjedhojë e privatizimit dhe hyrjes së aktorëve të huaj. Ndihma shtetërore është reduktuar.
Pavarësisht ecurisë pozitive, ka një sërë çështjesh në drejtim të të cilave duhet punuar fort. Raporti vë sidomos në dukje shqetësimin lidhur me situatën fiskale, kur përmendet kthimi mbrapsht i tendencës pozitive të reduktimit të borxhit publik, i cili u rrit nga 54.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2007 në 60% të PBB-së aktualisht. Niveli i lartë i borxhit publik mbetet një burim i dobësisë makro-financiare. Kjo, së bashku me krijimin e zhbalancimeve të jashtme mund të shkaktojnë rrezik për stabilitetin makroekonomik, paralajmëron raporti.
Konsolidimi fiskal, në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmërinë buxhetore afatmesme dhe përshpejtimi i reformave për të vazhduar rregullimet strukturore mbeten sfida kryesore kyçe të politikave makroekonomike.
Reformat përgjatë viteve kanë çuar në përmirësime të administrimit të taksave. Gjithsesi, vë në dukje raporti, ka diferenca si porsa i përket mbledhjes së të ardhurave, ashtu dhe ndryshimeve të vazhdueshme administrative. Për më tepër, korrupsioni në taksa dhe dogana, po ashtu dhe zbatimi i ulët i ligjeve, u mundësojnë bizneseve të veprojnë në sektorin informal, që nga ana e vet rezulton me një rendiment më të ulët të mbledhjes së të ardhurave. Menaxhimi i financave të qeverisë lokale mbetet i varfër, duke rezultuar në nivel të ulët të ardhurash (bizneset e vogla, taksat e pasurisë dhe ato lokale për të cilat ata janë përgjegjës llogariten në rreth 4% të totalit të të ardhurave qeveritare), dhe kufizojnë shpenzimet.
Niveli i kufizuar i eksporteve dhe investimet publike kanë çuar në një deficit të llogarisë korente të vazhdueshëm dhe domethënës. Ekzistenca e marrëveshjeve të shumta informate të punës vazhdon të shtrembërojë në mënyrë domethënëse tregun e punës dhe papunësia mbetet e lartë, duke qëndruar në 13.8% në vitin 2009. Aksesi në financë mbetet një sfidë për ndërmarrjet e vogla. Dobësia në zbatimin e ligjeve dëmton mjedisin e biznesit dhe transferimi i pronësisë dhe njohja e të drejtave të pasurisë mbetet një problem serioz. Funksionimi i tregut të pasurisë në Shqipëri mbetet jo efecient, çka i shtohet pasigurisë së bizneseve. Një nga çështjet kryesore lidhet me kthimin e pronave dhe legalizimin e ndërtimeve informale. Sistemi i edukimit nuk arrin të furnizojë tregun e punës me aftësitë e duhura në një treg që ndryshon. Infrastruktura kërkon investime të mëtejshme dhe janë të nevojshme hapa rregullatore për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji.
Sfidat që i dalin përpara qeverisë shqiptare nuk janë të vogla. Raporti thekson se kërkohet rikthim i konsolidimit fiskal, përkrahja e stabilitetit në sektorin bankar, eliminimi i pengesave për hyrjen dhe daljen nga tregu dhe përmirësimi i zbatimit të sistemit ligjor, të cilët do të përmirësonin potencialin e ekonomisë për tu rritur. Ndërkohë, për t’u bërë një ekonomi tregu funksionale, Shqipëria ke nevojë të forcojë më shumë qeverisjen, të përmirësojë ecurinë e tregut të punës, të përfundojë njohjen e të drejtave të pronësisë dhe të përforcojë zbatimin e ligjeve.