Debati në një demokraci është padyshim një vlerë e shtuar për shoqërinë dhe një prej dimensioneve të lirisë. Por debati ka vlerë, kur prej tij prodhohen politika dhe rezultate të shëndetshme dhe të matshme për qytetarin e që shprehin nevojën e dhe aspiratën e tij, në të kundërt, ai është replikë pa vlerë, pasuri vetëm e atyre oratorëve që kënaqen me zërin e tyre.
Javën e kaluar, në Kuvendin Shqipërisë, u zhvillua seanca plenare për miratimin e buxhetit të vitit 2011. Pas një seance maratonë, që zgjati 15 orë, deri në orët e para të mëngjesit të një dite pas asaj që filloi, u miratua projekt-drafti i qeverisë, vetëm me votat e mazhorancës. Teknikisht Shqipëria ka një buxhet të cilin nuk do ta gjykojmë nga cilësia e asaj çfarë ai premton përmes termave financiarë dhe ekonomikë, por nga cilësia e procesit të debatit që shoqëroi këtë ligj, më të rëndësishmin e një vendi, e prej të cilit përcaktohet e gjithë jeta e qytetarëve vitin që vjen. Nga ato fare pak që qytetarët mund të mësonin, javën e kaluar, në Kuvend, procesi i miratimit të buxhetit u end më shumë mes kufijve të replikës politike, sesa debateve për politika ekonomike. Sepse opozita, e cila kishte për detyrim jo vetëm institucional, por dhe si funksion jetik të ekzistencës së saj, mbeti në nivelin e konstatimeve për buxhetin e ri. Ajo preferoi të godasë qeverinë për investime të pamjaftueshme në gati të gjithë sektorët, që edhe sikur dhjetëra buxhete të tjera të kishte në dorë kushdo qeveri, sërish financimet mbeten të pamjaftueshme përballë nevojave që kanë. Opozita nuk dha asnjë propozim të saj se si ajo e koncepton, ndërton politikën dhe merr rezultatin. Ky është buxheti i parë që nuk pati asnjë amendament opozitar, pavarësisht nëse ai do të rrëzohej ose jo.
Nga ana e saj, edhe mazhornaca, në pjesën më të madhe të diskutimeve nga përfaqësuesit e saj, ra pre e replikës dhe shumë pak argumentoi pse buxheti i këtij viti është konsekuent me modelin dhe filozofinë e saj ekonomike, për të drejtuar këtë vend dhe për të cilën është mandatuar. U kujdes më shumë të akuzojë opozitën, se sa keq ka qeverisur ajo kur ishte në pushtet dhe jo sa mirë duhet apo duan të qeverisin ata. Krahasimi është i vlefshëm për publikun, për të kuptuar ndryshimet mes dy qeverisjeve, por atë më shumë e shqetëson e ardhmja sesa e shkuara, për të cilin ai e ka dhënë verdiktin me votë.
U ndalëm në këto radhë rreth cilësisë së debatit që shoqëroi miratimin e buxhetit dhe jo te buxheti (pwr tw cilin do tw gjeni tw dhwna nw shifra nw faqet e brendshme tw revistës), jo vetëm sepse e kemi trajtuar më parë këtë projekt, dhe jo se nuk është i rëndësishëm sa herë që flet për të. Por cilësia e debatit merr vlera në këtë kontekst kohor, më shumë se çdo herë tjetër, pasi buxheti i vitit 2011 vjen pas krizës ndërkombëtare, i cili pati jo pak ndikim edhe në financat publike të këtij viti, të cilat pësuan shkurtime të ndjeshme të shpenzimeve. Ky është buxheti ndoshta i më i rëndësishëm i kësaj dekade, pasi borxhi publik, më shumë se kurrë, është një nga kërcënimet më të mëdha për të, sikundër paralajmëroi edhe guvernatori i Bankës Qendrore, zoti Fullani. Buxheti i vitit 2011 është më i rëndësishëm se shumë të tjerë përpara tij, pasi duhet të shprehë më shumë se kurrë angazhimet e Shqipërisë në rrugën e nisur drejt integrimit europian, pasi kemi kapërcyer pengesën e vizave e dështuam si fillim me marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndaj dhe debati i javës së kaluar në Kuvend, më shumë se të mbetej peng i retorikës, duhej të jepte shpresë për publikun.
Por ky debat që zgjati një natë të tërë, a thua nuk kishte ditën tjetër, nuk i shërbeu publikut, edhe për një arsye tjetër në dukje banale: qytetari në atë orë ishte në gjumë. Shqiptarët ishin në gjumë, jo se nuk mund të rrinë zgjuar por se miratimi i buxhetit të vendit përmes retorikave pa bukë ishte i pritshëm, se kështu ka ndodhur shpesh në këto 20 vite. Zëri i publikut pak është dëgjuar, ndaj shqiptarët vendosën të flenë. Ndaj dhe ne që qëndruam zgjuar, nuk jemi të sigurt se ky buxhet i ri është i mirë, sepse debati që e prodhoi atë nuk ishte i tillë.