PARASHIKIMI
BERZH: Kujdes nga kriza greke, më pak remitanca
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e saj të fundit për rimëkëmbjen ekonomike, thekson se Shqipëria duhet të ketë kujdes nga kriza greke. Pas Bankës Botërore, BERZH është institucioni i dytë financiar, që për këtë vit, në raportet e saj, thekson se edhe pse rritja ekonomike do të vijojë, kujdesi duhet të përqendrohet në shmangien e ndikimit të ekonomisë së shtetit fqinj, kjo e lidhur me një sërë fenomenesh siç janë emigracioni apo tregtia. Ashtu si në tetor, banka bën parashikimet e saj edhe lidhur me rritjen e GDP-së. Për vitin 2010, BERZH parashikon se Shqipëria do të ketë një rritje 3.8 për qind, duke e përmirësuar kështu parashikimin e saj më të hershëm, i cili nuk ishte më i lartë se 3 për qind. Ndërkaq, për vitin 2011 rritja ekonomike sipas BERZH do të ngadalësohet, duke shënuar një vlerë 2.6 për qind. Për Shqipërinë, rreziku më i madh që i kanoset është kriza greke, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat e mijëra familjeve shqiptare, që jetesën e tyre e siguronin përmes emigracionit. BERZH saktëson se remitancat do të jenë më të pakta, për shkak të vështirësisë ekonomike ku ndodhet Greqia. Ndërkohë që thekson se një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë kanë punuar si punonjës sezonalë në Greqi. Në fakt, rënia e remitancave, si rrjedhojë e përkeqësimit të situatës së shtetit fqinj, është paralajmëruar prej kohësh dhe kjo është reflektuar edhe në statistikat që ka servirur Banka e Shqipërisë. Ajo që vlen të theksohet nga raporti i BERZH, është që parashikimi për rritjen ekonomike ka ardhur në përmirësim dhe pritet që GDP-ja të vijojë të rritet edhe për këtë vit. Nëse në tetor, kur ishte dhe raporti i fundit lidhur me këtë aspekt, BERZH parashikoi që rritja ekonomike do të ishte 3 për qind, tashmë kjo rritje është përmirësuar me 0.8 pikë për qind.
ENERGJETIKA
Digat, nevojiten të paktën 250 milionë dollarë
Rritja e financave të KESH-it në vitin 2010, performanca pozitive e krijuar falë eksporteve të larta, po krijon një tjetër mentalitet për donatorët. Këta të fundit u thirrën nga kreu i KESH-it, Engjëll Zeqo, për të parë nga afër mundësitë e financimit në disa projekte, ku më i rëndësishmi është ai i sigurimit të digave. Banka Botërore është institucioni kryesor dhe mbështetës në projektet e KESH-it, ndërsa të tjerë me radhë po rrisin interesin për financime. Të ndara sipas projektit, rëndësisë, studimet etj., të gjitha objektet u prezantuan nga drejtues të KESH-it në mënyrë të detajuar. Referuar një studimi të SECO-s, për sigurimin e digave dhe krijimin e garancisë për të gjitha kaskadat e HEC-eve të mëdhenj, nevojitet një investim prej të paktën 250 milionë dollarësh.
“Projekti i Implementimit të Masave për Sigurinë e Digave është parashikuar të realizohet nëpërmjet një financimi paralel të Bankës Botërore dhe institucioneve të tjera financiare si SECO, EBRD, KFW, KESH etj. Kanë përfunduar pothuajse plotësisht specifikimet teknike për komponentët kryesorë të investimeve të infrastrukturës fizike, të përfshira në Projektin e Sigurisë së Digave”, u shpreh Zeqo.
BUXHETI
Ish të përndjekurit, rritet fondi
Ish të përndjekurit, pronarët apo fondet për rritjen e pagave dhe pensioneve do të kenë në dispozicion më shumë para në tri vitet e ardhshme. Kuadri Makro-Fiskal i Ministrisë së Financat, për periudhën 2012-2014 tregon një tendencë në rritje të fondeve për këta zëra, por përveç këtyre, ky dokument cakton edhe limitet e lejueshme për deficitin buxhetor, borxhin publik apo rritjen ekonomike. Nëse për vitin në të cilin jemi, buxheti parashikon një fond prej 20 milionë dollarësh të orientuar për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, tri vitet në vijim parashikojnë rritje të këtij fondi. Për vitin 2012, fondi për këtë kategori parashikohet 5 milionë dollarë më shumë në nivelin e 25 milionë dollarëve, ndërsa viti 2013 parashikon një fond 300 milionë dollarë. Viti i fundit i Kuadrit Makro-Fiskal parashikon një fond prej 32 milionë dollarësh për ish të përndjekurit. Tendencë në rritje kanë edhe fondet për ish-pronarët. Qeveria do të vijojë kompensimin e këtyre të fundit edhe në vitet e ardhshme. Për vitin 2011, në buxhet janë parashikuar 20 milionë dollarë, ndërkohë që kjo shifër, sipas kuadrit, për vitin 2012 do të jetë 2 milionë dollarë më tepër. Për vitin 2013 për kompensimin e kësaj kategorie do të shkojnë 34 milionë dollarë, ndërsa për vitin 2014 janë parashikuar 38 milionë dollarë.
CEZ
Problemet me faturat nga adresat
Sistemi i ngatërruar i adresave ka shkaktuar kaosin me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike. CEZ Shpërndarje deklaron se e ka të pamundur t’i shpërndajë në kohë dhe si duhet të 1 milion faturat në rang vendi, pasi adresat e konsumatorëve nuk janë të sakta dhe shumë të vështira për t’u identifikuar.
Prej tre muajsh, abonentët e CEZ-it janë duke u përballuar me radhët e gjata, mungesë informacioni si duhet dhe me mbifaturime, të gjitha këto të shkaktuara nga mungesa e shpërndarjes së faturave dhe problemeve teknike, të pranuara nga vetë CEZ.
Në lidhje me raportimet e bëra nga disa qytete të vendit për probleme me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike, CEZ Shpërndarja sqaron se për arsye të problemeve teknike që ka deklaruar se ka pasur me sistemin e saj të faturimit, një pjesë e faturave nuk kanë arritur të shpërndahen në kohën e duhur.
Konkurrenca
Petrolifera fiton
Autoriteti i Konkurrencës gjykon se tregu i gazit mbetet i cunguar dhe me pak hapësira depozituese, duke shkaktuar shtrembërim të strukturës, për pasojë edhe të çmimeve. Një vendim i fundit i Autoritetit i ka dhënë të drejtë shoqërisë italiane “Petrolifera” në Vlorë, për tarifat dhe kontratat që aplikon në bazë të kërkesave të tregut. Hetimi paraprak e kishte nxjerrë fajtore shoqërinë, e cila nuk u jepte mundësi manovrimi subjekteve të tjera të shkarkonin gaz në këtë port. Por mënyra sesi është hartuar ligji dhe kontrata koncesionare, i ka dhënë të drejtë shoqërisë, ndërsa ka detyruar autoritetin të tërhiqet, por duke mos harruar të vërë në dukje se tregu ka probleme. Ndryshimet strukturore në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe të depozitimit të gazit të lëngshëm në rrugë detare kanë ngushtuar hapësirat fizike të depozitimit dhe rrjedhimisht kanë sjellë rritjen e shkallës së përqendrimit në tregun e importit të gazit. Komisioni i Konkurrencës bën me përgjegjësi të gjitha palët se nuk kanë bashkëpunuar, për të realizuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe me kosto të arsyeshme ekonomike, si në ofrimin e shërbimit nëpërmjet terminaleve bregdetare, ashtu edhe në realizimin e kërkesës.