Kot nuk thonë: çdo e keqe e ka edhe një të mirë. Kriza e regjimeve në disa vende të Lindjes së Mesme, si në Tunizi apo Egjipt për ekonominë botërore do të jetë një goditje e cila përcillet kryesisht përmes rritjes së çmimit të naftës. Rritja në nivele rekord dhe për një kohë të gjatë e këtij produkti po implikon gati të gjithë sektorët dhe bizneset brenda tyre duke ndryshuar avantazhet dhe disavantazhet e tyre përsa i përket kostos dhe përfitimit, (shiko në brendësi). Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim ndonëse larg konjukturave gjeopolitike dhe lidhjeve të dobëta në dukje tregtare në këto vende. Por këto kosto mund të zëvendësohen nga pritshmëritë për përfitime më të mëdha nga kjo krizë (shiko në brendësi). Bizneset e vendosura prej kohësh apo me lidhje të ngushta në këto vende po zhvendosen drejt shteteve të tjera më të sigurta. Shqipëria është në objektivin e tyre veçanërisht për industrinë ushqimore, bujqësinë, prodhimet fason etj. Bizneset shqiptare po dëshmojnë rritje të kontakteve me biznese dhe tregje të reja edhe më të mëdha të cilat kërkojnë të shuajnë urinë e krijuar nga trazirat në Lindjen e Mesme. Ky është një shans, që kosto e mundshme nga kriza në Lindjen e Mesme të kthehet në përfitim, jo të mundshëm, por real. Por, a mundet që biznesi shqiptar të japë maksimumin dhe të marrë maksimuminr Këtu ka disa dilema, jo vetëm për shkak të mangësive menaxheriale dhe kapaciteteve prodhuese aktuale dhe teknologjisë së përdorur, por edhe për shkak të mjedisit ekonomik dhe politik në Shqipëri. Le t´i shikojmë me radhë këta dy faktorë. Nga pikëpamja ekonomike, mjedisi shqiptar është favorizues dhe konkurrent në disa aspekte me të tjera ekonomi, pavarësisht se në shkallët e renditjes botërore për klimë të të bërit biznes jemi larg, por ritmi i ecjes është deri diku i pëlqyeshëm. Por, kërkesa që vjen tashmë nga tregjet e huaja është për prodhim masiv shqiptar, çka momentalisht duket e pamundur për shkak të strukturës së bizneseve, p.sh. fasoni (që nuk kryen të gjitha ciklet në vend), fermat bujqësore që kanë kapacitete të vogla dhe zinxhir prodhimi të pjesshëm. Për të plotësuar urinë aktuale të tregjeve të huaja, konsulentët ndërkombëtarë i sugjerojnë Shqipërisë krijimin e zonave industriale, ku biznese të ndryshëm brenda një sektori të mbështesin njëri-tjetrin, të kenë më tepër lehtësi në infrastrukturë dhe logjistikë, madje edhe përfitime fiskale. Hapi i dytë rekomandohet ndërhyrja me më shumë grande. Qeveria aktuale ka ecur në këto dy drejtime, pasi ka nisma konkrete për krijimin e parqeve industriale dhe prej disa vitesh po akordon subvencione në rritje, veçanërisht në bujqësi. Duket se kërkesa aktuale në tregjet e huaja mund të jetë e përkohshme, derisa vendet e Lindjes së Mesme t´i rikthehen sërish qetësisë. Por kjo nuk duhet të stepë lëvizjen e qeverisë drejt këtyre nismave konkrete. Por tani kërkohen hapa më të guximshëm. Së pari, të nxitohet me projektet për parqet industriale dhe së dyti, të guxohet me ndihmë financiare pse jo dhe grande me shuma më të mëdha, jo vetëm si sektor, por edhe për çdo biznes. Këto dy forma për të nxitur ekonominë po duken si më të testuarat dhe më të kërkuarat.
Por nëse mjedisi politik dhe social në vend nuk është i favorshëm, kjo nismë do të dështonte që në letër. Ky është faktori i dytë politik, që duket se po e mban larg ekonominë kombëtare jo vetëm nga përftimet afatshkurtra, por edhe perspektivën. Prej gati dy vitesh vendi ndodhet në krizë politike dhe shpesh institucionale, që buroi nga qëndrimi i opozitës për mos njohjen e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009. Kjo krizë është aktualisht në kulmin e saj. Javën e kaluar ishte në Tiranë zëvendës-sekretari amerikan i shtetit James Steinberg, i cili pas takimeve me drejtuesit më të lartë të shtetit, opozitës dhe prokurorisë, tha se kishte kërkuar nga ata respektin për shtetin e së drejtës dhe Kushtetutën, respektin për institucionet e pavarura që ekzistojnë në varësi të Kushtetutës, respektin për procesin zgjedhor, pjesëmarrje në proceset elektorale dhe një debat të civilizuar. “Këto janë disa gjëra që nuk kërkohen apo i duam ne, por i gjithë populli shqiptar”, tha Steinberg. Ky mesazh i fundit është edhe më forti për politikën, pasi po i tregon asaj se ndodhet larg dhe po e lexojnë keq atë që pret publiku.
Ndaj një qasje më e drejtë ndaj nevojave dhe guxim në nismat që duhen ndërmarrë, do të bënin që historia të mos gjykojë vetëm për shanset e humbura, por për përfitimet që vijnë prej saj.