Sistemi bankar ishte një nga motorët kryesore të nxitjes së ekonomisë deri në vitin 2008. Kredia për ekonominë u rrit me ritme të shpejta, mbi 50% në vit, si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët. Ishte fillimi i krizës globale në shtator të vitit 2008, që i frenoi bankat. Me të drejtë, ato, të gjendura përballë tërheqjes së depozitave dhe ngadalësimit të ekonomisë u stepën. Kriza çoi në një rritje të shpejtë të kredive me probleme, që kanë arritur aktualisht në 13.6% të totalit të huave, nga 3.5% në fillim të vitit 2008, çka ndikoi në zvogëlimin e ndjeshëm dhe të fitimeve të tyre. Kjo dukuri pati dhe anën e saj pozitive, teksa i bëri bankat më të kujdesshme (rritja e shpejtë e huasë deri në vitin 2008 konsiderohej si tepër e shpejtë dhe që mund të shkaktonte një rrezik mbinxehjeje për ekonominë dhe përkeqësim të cilësisë së portofolit). Në vitin 2009 dhe një pjesë të 2010-s, bankat u përqendruan në kontrollin e kostove, i kushtuan më shumë vëmendje analizës së rrezikut, përmirësuan procedurat e kredidhënies dhe u treguan shumë më të kujdesshme në përzgjedhjen e kredimarrësve, si individë ashtu dhe biznese. Koha kur mund të merrje një hua fare lehtë duke deklaruar të dhëna të rreme duket se ka marrë fund.
Të ndihmuara nga kthimi i besimit të depozituesve në sistem, rigjallërimi gradual i ekonomisë dhe përmirësimit të administrimit të aktivitetit, bankat, në pjesën më të madhe të tyre, janë aktualisht në një pozicion shumë më të mirë e të qëndrueshëm sesa në fund të vitit 2009 (shiko shkrimin në brendësi të revistës). Depozitat i janë rikthyer ritmeve të rritjes së para krizës, kreditë e këqija po vihen gradualisht nën kontroll (në 6 muajt e parë të këtij viti bankat presin që të fitojnë betejën me huatë me probleme). Sistemi bankar shqiptar vlerësohet i fortë dhe i qëndrueshëm dhe i mirërregulluar dhe i mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë. Kursi i këmbimit është stabël, të shoqëruara këto nga një normë e moderuar inflacioni (rritja tej nivelit 4% vlerësohet të jetë e përkohshme) dhe nuk ka asnjë shkak për trauma në sistemin financiar. Normat e interesit të kredisë, si në lekë ashtu dhe në euro, janë ulur sërish muajve të fundit (pas një rritjeje të shpejtë që nga shtatori i vitit 2008).
Por e gjithë kjo situatë pozitive nuk po transmetohet në një shtim të kreditimit për ekonominë. Për vitin 2010, ritmet e rritjes së huasë ishin madje më të ulëta se në 2009-n. Edhe janari i vitit 2011 nuk është se dha sinjale pozitive, me stokun e kredisë, që pothuajse nuk u rrit fare. Bankat, sipas anketimeve të bankës së Shqipërisë, i kanë lehtësuar disi kriteret e kredidhënies në muajt e fundit. Bizneset, nga ana e tyre, po u rikthehen sërish planeve të investimeve. Por duket se rrugët e tyre nuk po arrijnë të takohen.
Një tjetër element, që mund të pengojë kreditimin është fakti se në periudhë zgjedhore, ka një sfazim mes politikës monetare dhe asaj fiskale, me këtë të fundit që shton shpenzimet, duke ushtruar presione inflacioniste. Dhe në fakt, ndonëse norma bazë e interesit e Bankës së Shqipërisë po qëndron e pandryshuar prej muajsh në 5%, një nga nivelet më të ulëta historike, kosto e huamarrjes së qeverisë po rritet, me yield-in e bonove të thesarit, që ka arritur aktualisht në 7.27%, nga 6.82% në fillim të këtij viti. Kjo tendencë rrezikon të transmetohet dhe në koston e kredisë në lekë.
Në një ekonomi, që pritet këtë vit të rritet me mbi 5%, mbështetja e bankave, përmes kredidhënies duhet të jetë shumë më e lartë se ritmet e rritjes prej rreth 10%, që u mësuam të shihnim gjatë dy viteve të kaluara. Nga ana tjetër, një harmonizim i politikës monetare me atë fiskale është i nevojshëm, në mënyrë që të mos i vihen shkopinj nën rrota rigjallërimit të ekonomisë shqiptare.