Teksa ekonomia shqiptare po përpiqet të ecë përpara, e favorizuar dhe nga një rigjallërim i kërkesës globale, por dhe investimeve në vend, hapat e saj nuk janë aq të lehtë. Nga njëra anë janë faktorët që lidhen me koniunkturat aktuale në tregjet ndërkombëtare të produkteve, që kanë ndikuar në rritjen e inflacionit në vend, i cili nga ana e tij, po frenon disi konsumin, siç është konstatuar dhe nga Banka e Shqipërisë. Nga ana tjetër, është situata jo e qetë politike që prej disa muajsh duket se po i vë shkopinj në rrota kësaj ecjeje të vështirë të ekonomisë.
Mjaftoi në fakt një ditë (21 janari) që t’i shkaktonte dëme të pallogaritshme ekonomisë, efektet e së cilës vazhdojnë të ndihen edhe sot. Stepja e investitorëve të huaj, dëmtim i imazhit të vendit tonë në turizëm, anulim kontratash në tregun e pasurive të paluajtshme dhe atë të tregtisë me pakicë ishin pasojat e menjëhershme, por biznesmenët e kontaktuar shpesh nga “Monitor” vazhdojnë të përmendin se pasojat e 21 janarit ndihen ende.
Situata nuk ka qenë e qetë, as në zhvillimin e fushatës zgjedhore. Lajmet e përditshme për sherre mes përkrahësve të ndryshëm të partive politike, apo deri për plagosje, nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë një ndjesi negative në mendjen e gjithsecilit dhe ulin besimin për një të ardhme pozitive.
Sigurisht, qëndrueshmëria e një vendi luan rol të rëndësishëm në ecurinë e tij. Dhe jo vetëm kaq. Nevojitet kombinimi i disa faktorëve si një informacion korrekt, një klimë e mirë biznesi, nxitje për investimet e mbi të gjitha, një mbështetje e efektshme nga institucionet e vendit përkatës dhe të gjitha palët politike.
Viti i fundit ka qenë i mbushur me aktivitete e ngjarje politike, ndërsa ajo që ka munguar, ka qenë debati ekonomik. Gjykata administrative nuk është miratuar ende, kryesisht për shkak të mungesës së vullnetit të opozitës për të siguruar një shumicë absolute votash në Parlament. Ligji për amnistinë (vetëm pjesa e faljes) kaloi në Parlament vetëm me votat e shumicës, më shumë si një premtim elektoral, ndërsa nuk u arrit konsensusi për të hartuar e miratuar një draft të plotë, që do të nxirrte në dritë një pjesë të kapitaleve të fjetura të ekonomisë. Një sërë ligjesh e vendimesh të miratuara nga qeveria, e që në disa raste kanë qenë të kontestuara nga biznesi, kanë kaluar pa pasur zërin apo debatin e opozitës.
Sot, kur revista ju bie në dorë, votimi ka përfunduar, por rezultati ende mund të mos jetë shpallur. Politika duhet të tregohet e pjekur, për të lexuar me kujdes vullnetin e sovranit dhe të përpiqet të ndikojë pozitivisht në ecurinë e ekonomisë së vendit, duke lënë mënjanë sherret e bojkotet pa fund, që nuk sjellin asgjë pozitive.
çdo konflikt i tejzgjatur mes palëve nuk bën gjë tjetër veçse dëmton imazhin e vendit në sytë e ndërkombëtarëve; vonon procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian; ul fluksin e turistëve potencialë në këtë periudhë prag sezoni; step investitorët e huaj; frenon investimet e brendshme të biznesit e dëmton marrëdhëniet e tij me partnerët e huaj; dhe ndikon deri në stepjen e blerjeve të mëdha të konsumatorëve. Të gjitha këto, në fund të fundit ndikojnë në një ngadalësim të padëshiruar dhe të panevojshëm të rritjes ekonomike, që i prek të gjithë: politikanë, pasi dëmton imazhin tyre; individë e biznese që shohin më pak të ardhura sesa ata prisnin apo shpresonin. E vetmja rrugë dhe parësore për vendin është që politika të tregohet e përgjegjshme dhe të luajë rolin e saj për të bërë të mirëfunksionojë një shoqëri demokratike dhe një ekonomi, që të ardhmen e saj e sheh drejt integrimit të shpejtë në Bashkimin Europian.