REAGIMI
Berisha: Nuk prekemi nga kriza greke
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kriza që ka kapur Greqinë nuk ka pasur pasoja negative në vendin tonë. Në një intervistë për rrjetin “CNBC Europe”, foli për krizën e vendit fqinj dhe efektet e saj. “Pa dyshim, kriza e borxhit në Greqi dhe eurokriza në tërësi, nuk kanë pasur ndikim pozitiv në vendin tim, për shkak të faktit se pothuajse 1 milion shqiptarë punojnë në Greqi. Megjithatë, deri tani, mund t’ju siguroj se nuk ka pasur asnjë pasojë negative madhore. Së pari, bankat greke në Shqipëri mbahen shumë mirë, janë serioze dhe po performojnë mirë. Së dyti, shqiptarët që po vijnë nga Greqia, po investojnë në biznese të reja. Kështu, numri i bizneseve të reja në vendin tim, vitin e kaluar u rrit dhe po rritet me 40%. Ne po e ndjekim me shumë kujdes zhvillimin e kësaj krize në Greqi dhe rreth e rrotull nesh”, u shpreh kreu i ekzekutivit. Kryeministri ishte i ftuar i nderit për të bërë mbylljen e sesionit ditor të bursës së mirënjohur amerikane NASDAQ, në Times Square, Nju Jork. Ai u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ, David Wicks, i cili bëri më pas prezantimin e Kryeministrit Berisha, si personaliteti botëror që, sipas traditës së kësaj burse, do të bëjë mbylljen e sesionit ditor të saj. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë, Berisha u shpreh se “liritë ekonomike në Shqipëri u rritën me 50%. Vendi im ka një ekonomi solide. Ndërkohë, investimet e huaja direkte në botë nga viti 2007 deri në vitin 2010 ranë me 37%, në Shqipëri u rritën me 315%. Eksportet u rritën me 300% dhe kjo falë modelit tonë ekonomik, të bazuar tërësisht në liritë”.
OBLIGACIONET
Eurobond “shqiptar”, qeveria e pavendosur
Shqipëria mund të dalë për një eurobond të dytë në tregjet e kapitalit por kjo varet nga nevoja që do të ketë qeveria për këto para. Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për “Bloomberg” gjatë qëndrimit të tij në SHBA, është shprehur se aktualisht klima nuk është shumë e favorshme për të marrë një tjetër eurobond, “por, nëse do të kemi nevojë, do të dalim në këto tregje”. Ndërkaq ai ka shtuar se pritet që këtë vit Shqipëria të ketë një rritje ekonomike 5% dhe 5.5% për vitin tjetër. Lidhur me eurobondin, pasiguria për të dalë në tregje vjen në një kohë kur Europa është e mbërthyer nga kriza e borxhit, një problem ky që ka mbledhur herë pas here krerët e BE-së për të diskutuar një zgjidhje dhe kur shqetësimi më i madh është për vendin fqinj tonin, Greqinë. Në këtë situatë, qeveria shqiptare ka pak gjasa që të dalë, sidomos edhe pas efektit që po jep politika e ndjekur nga Banka Qendrore Europiane. Pikërisht kësaj nisme i është referuar edhe Kryeministri Sali Berisha kur është shprehur se programi i Bankës Qendrore Europiane për të blerë eurobondet është një shqetësim për politikëbërësit shqiptarë, pasi po dobëson euron. “Blerja e borxheve të vendeve të ndryshme nga BQE na shqetëson mjaft. Po zhvlerëson euron dhe ne nuk jemi një vend ‘anëtar i euros’, por jemi një ekonomi që ushqehemi me euron”, është shprehur për “Bloomberg” Kryeministri. Vitin e kaluar, në tetor, Shqipëria emetoi eurobondin e parë me një vlerë prej 300 milionë eurosh dhe me interes prej 7.5%.
BUXHETI
Nuk ka investime, nis ulja e deficitit
Masat që mori qeveria për të ndalur investimet duke mos lidhur asnjë kontratë dhe duke mos tenderuar projekte të reja, kanë dhënë sinjalet e para tek ulja e deficitit në buxhet. Treguesit fiskalë për 8-mujorin e këtij viti, të publikuar nga Ministria e Financave, japin më qartë edhe ecurinë në zërat e buxhetit.
Nëse në korrik, deficiti buxhetor arriti 30.7 miliardë lekë, një nivel ky i lartë krahasuar me një vit më parë, për muajin gusht vërehet një ulje e deficitit duke shënuar vlerën 30.3 miliardë lekë. Edhe pse një ulje modeste në nivelin e deficitit me vetëm 400 milionë lekë, duket se është një shenjë e mjaftueshme për të treguar se ndalimi i prokurimeve të reja po jep efektin e tij, duke i kursyer ca para arkës së shtetit. Ndërkaq, deficiti buxhetor mbetet dukshëm i lartë këtë vit krahasuar me një vit më parë, duke marrë si bazë 8-mujorin. Nëse deri në fund të gushtit të 2010-s, deficiti ishte 23.1 miliardë lekë, në fund të gushtit të këtij viti, niveli i deficitit ishte 7 miliardë lekë më i lartë. Ulja e moderuar e deficitit duket se ecën në të njëjtin kah me thirrjet e institucioneve financiare ndërkombëtare, të cilat kanë këmbëngulur për një tkurrje të deficitit dhe kthimit të tij në një përqindje më të pranueshme. Deri në fund të vitit qeveria ka planifikuar një deficit në vlerën 46.8 miliardë lekë dhe nga kjo totale, financimi për 8-mujorin ka shënuar një realizim prej 64.8% të planit.
KORRUPSIONI
INSTAT: Ryshfeti, 70 për qind ua japin mjekëve
Shqiptarët pranojnë se për të marrë shërbime publike nga administrata, jo rrallë u duhet që të paguajnë ryshfet, i cili, në vlerë mesatare arrin mbi 5 mijë lekë. Gjetjet e studimit që ka kryer Instituti i Statistikave së bashku me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, detajojnë edhe sektorët se ku është më i përhapur ky fenomen dhe sa shqetësues është ai për qytetarët. Në fokusin e studimit të INSTAT-it janë 3561 individë, me të cilët u zhvillua një anketë gjatë vitit 2010. Korrupsioni është më i pranishëm në zonat rurale, sesa në ato urbane, ndërkohë që ato që paguajnë më shumë janë femrat, dhe më pak meshkujt. Këto janë disa përfundime të studimit të INSTAT-it, të cilat tregojnë se në një vlerë mesatare, ryshfeti në vendin tonë është rreth 43 euro. Krahasuar me rajonin, Shqipëria paraqitet dukshëm më ulët për vlerën mesatare të ryshfetit, por, pa dyshim që prania e fenomenit është e gjerë. Kështu, nga të intervistuarit rezulton që mesatarisht 28.3 për qind e tyre janë të ekspozuar direkt ose jo në një eksperiencë të ryshfetdhënies me një zyrtar publik gjatë 12 muajve të fundit. Përgjithësisht ryshfeti jepet në cash, dhe jo në natyrë apo shërbime. Lidhur me nxitjen e korrupsionit apo ryshfetit, studimi nxjerr në pah se nuk janë vetëm punonjësit që e nxisin, por edhe vetë qytetarët, pasi ka raste kur ryshfeti jepet për mirënjohje. Në 30 për qind të rasteve, madje, ryshfeti ofrohet nga vetë qytetarët, kurse në mbi 50 për qind të rasteve ryshfeti është nënkuptuar nga zyrtari publik. Ndërkaq, është edhe një kategori tjetër, e cila përfaqësohet nga 10 për qind e të anketuarve, të cilët pranojnë se kërkesa për ryshfet u është bërë e qartë nga zyrtari. Të intervistuarit e INSTAT-it kanë pranuar se dhënia e ryshfetit lidhet ngushtë me mendësinë e marrjes së një trajtimi më të mirë, dhe kjo vërehet në përgjigjen e 70 për qind të qytetarëve. 9 për qind e tyre pranojnë se pagesa nën dorë ndihmon për të përshpejtuar procedurat, ndërkohë që 12 për qind e bëjnë për mirënjohje. Por, ka nga ata që ryshfetin e paguajnë për të shmangur ndonjë sanksion, siç ndodh rëndom në raste gjobash apo kundërvajtjesh. Më të korruptuar vlerësohen mjekët, për të cilët 70 për qind e personave të intervistuar pranojnë se kanë dhënë ryshfet, ndërkohë që vendin e dytë e zënë infermierët, me 47 për qind dhe 14 për qind oficerët e policisë.