Pak nga pak, në mjedisin politik shqiptar, po merr rrugë debati se cili model taksash duhet të dominojë në Shqipëri. Kjo ka arsyet e veta, që lidhen me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.
Që prej vitit 2005, kur të djathtët erdhën në pushtet dhe aplikuan për herë të parë taksën e sheshtë, ka kaluar kohë e mjaftueshme për të gjykuar për efektet, që ajo ka sjellë. Edhe rikthimi i opozitës së majtë në Kuvend, pas një mungese të gjatë, ka krijuar hapësirën për të dëgjuar një tjetër alternativë. Ndërkohë kriza ndërkombëtare ka detyruar vendet t’i rishikojnë politikat në një tjetër kontekst, pasi prioritetet e vjetra janë rrëzuar e në radhë të parë, janë të tjera.
Demokratët, që në vitin e parë të qeverisjes, rreth 6 vjet më parë, kur i dhanë frymë filozofisë për qeverisje me taksa të ulëta për biznesin, po i qëndrojnë besnikë sistemit aktual fiskal, i cili, si shenjën më dalluese, ka taksën e sheshtë. Ky model, i shoqëruar me politikën e rritjes së përvitshme të pagave dhe pensioneve, subvencioneve direkte në ekonomi dhe investimeve të mëdha në infrastrukturë, së bashku me reformën rregullatore janë propozimi konstant dhe që po aplikohet nga demokratët.
Edhe për shkak të problemeve të saj, në raport me zgjedhjet, apo çështjet e saj të brendshme, opozita me vonesë ka nisur të formulojë një projekt të ri për sistemin e taksave në Shqipëri. Ajo edhe për shkak të përkatësisë së saj ideologjike, si forcë e majtë gjykon se sistemi aktual i taksave është regresiv, që rëndon më shumë të varfrit e favorizon të pasurit. Sipas tyre, modeli aktual ka kthyer shtresat me të ardhura të mesme dhe të ulëta në mbajtësit kryesorë të barrës fiskale, kur sipas opozitës, duhet të ishte e kundërta: leva e rëndesës së taksës duhet të anonte nga të pasurit. Kjo filozofi e së majtës ka nisur të lexohet edhe përmes disa propozimeve të fundit, siç është ai për përshkallëzimin ose heqjen e TVSH-së për ushqimet, ilaçet dhe energjinë elektrike.
Të dyja alternativat synojnë të njëjtën gjë, shëndoshjen e buxheteve familjare, por adresimi është i ndryshëm. Të djathtët e realizojnë përmes stimujve te biznesi, që rrit më pas punësimin. Të majtët kërkojnë ta realizojnë, duke asistuar drejtpërsëdrejti familjet, e veçanërisht ato më në nevojë.
çdo alternativë ka argumente pro dhe kundër. Ashtu sikundër mund të gjesh avantazhe dhe disavantazhe te paketa e demokratëve, ashtu gjen edhe tek të majtët. Pra cili është modeli më i mirë r Ndërsa demokratët kanë një model të praktikuar tashmë në qeverisje, ngërçi i parë për të zgjedhur vjen së pari nga oferta e çalë e opozitës. Propozimet e fundit të tyre duken sporadike dhe të paorganizuara. Ato ende nuk përfaqësojnë një program të plotë. çdo ditë që opozita shfaqet para publikut aq herë shton nga një propozim, çka të bën të dyshosh për një opsion të pamenduar mirë. Këto propozime duken më shumë si nevojë e brendshme e saj për të plotësuar vakumin bosh të dy viteve bojkot sesa një propozim serioz.
Përveç faktorëve të brendshëm, tashmë një përcaktues i dorës së parë për të zgjedhur se cili sistem taksash do të ishte më i mirë, është kriza e Eurozonës. Ajo ka krijuar rrethana specifike mjaft problematike, të cilat janë shkaktuar nga dobësimi i rritjes së konsumit, përkeqësimi i pritshmërive të konsumatorëve dhe bizneseve, nga rritja e frikës dhe kostove për të investuar, si dhe nga parashikimet për rritje të ngadaltë dhe me shumë rreziqe.
Për shkak të këtij mjedisi më të gjerë sesa kufijtë e ekonomisë shqiptare, por që pashmangshmërisht diktohet prej tij, gjendet me vend edhe vërejtja e ministrit të Financave javën e kaluar në Kuvend, gjatë diskutimeve për buxhetin faktik të vitit 2010, kur tha se “kërkohet konsiderimi i të gjitha arritjeve dhe zhvillimeve në ekonominë kombëtare në një kontekst më dinamik dhe më të gjerë”
Nëse shihet në këtë këndvështrim, debati për taksat ia vlen.
Por kërkohet që dy debat të mos prodhojë thjesht teknika fiskale, por modele që duhet të garantojnë rritje të ekonomisë, të kufizojnë pabarazinë në përftimin e të ardhurave, të rrisin besimin e biznesit dhe të minimizojnë risqet. çdo model që plotëson më shumë këto kushte është edhe më i miri.