Tregtia sipas grupmallrave
Gjatë periudhës janar-shkurt të këtij viti, pesha e tregtisë së grupmallrave kryesore pësoi luhatje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupi i mallrave “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” pësoi ulje të theksuar në peshën e eksporteve (7 pikë përqindje) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Rënie të theksuar në peshë shënoi edhe grupi i mallrave “Materiale ndërtimi dhe metale”. Ai ra 6 pikë përqindje, ndërsa “Tekstile dhe këpucë” rritën ndjeshëm peshën (7 pikë përqindje).
Në importe, luhatjet janë shpërndarë në më shumë grupe mallrash.
Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), pesha e importit të grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ishte e njëjtë, ndërsa vlera e tyre pësoi rënie të lehtë. Në dy muaj u importuan 12.7 miliardë lekë makineri e pajisje ose rreth 2% më pak se e njëjta periudhë e vitit 2011.
Grupi i mallrave “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” e rriti peshën në eksporte me 4 pikë përqindje, duke shënuar të njëjtën peshë me grupin e mallrave “Ushqime, pije e duhan”. Kjo e fundit ruajti të njëjtën peshë me një vit më parë, ndërsa vlera e importit u rrit 2.5% krahasuar dy muajt e parë 2011.
Në eksporte, grupi më i madh i mallrave “Tekstile e këpucë” u rrit në peshë, ndonëse pati rënie të lehtë të vlerës së tyre. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vlera e eksportit të këtij grupmallrash ishte 10.16 miliardë lekë, ose 4% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
“Ushqime, pije e duhan” rritën me 2 pikë përqindje peshën e tyre në eksporte (duke arritur në 6%), ndërkohë që vlera u rrit 28%.
Dy grupet e mallrave me peshën më të madhe në tregti “Tekstile e këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, në këtë periudhë paraqiten në vlera më të ulëta në eksporte, ndërsa në importe u rritën vetëm mineralet.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, vlera e eksportit dhe importit të grupit “Tekstile e këpucë” ra përkatësisht 4% dhe 1.5%. Për grupin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, vlera e eksportit ra 34% dhe ajo e importit u rrit rreth 41%.
Burimi: INSTAT