Statistika, tregti
Tregtia e jashtme me partnerët tanë kryesorë ka pësuar luhatje të lehtë vitet e fundit, me rritje të importeve e eksporteve në disa vende, ndërsa në të tjera, një prej këtyre flukseve ka pasur rënie. Zhvillimi më i madh i partneritetit tregtar shqiptar këto vitet e fundit është zhvendosja e Gjermanisë, për t’i lënë vendin tregut të largët aziatik, Kinës.
Sipas të dhënave doganore, në tre vitet e fundit, tregtia me Italinë ka shënuar rritje si në importe edhe në eksporte. Sipas këtyre të dhënave, vitin e kaluar vlera e mallrave të importuara ishte 166.18 miliardë lekë, ose 23% më shumë se një vit më parë. Për të njëjtën periudhë, eksportet arritën në gati 105 miliardë lekë, gati 13% më shumë se në 2010-n.
Tregtia me Greqinë ndoqi një ritëm të kundërt, veçanërisht për sa i përket importit, ku dy vitet e fundit importet shënuan vetëm rënie. Sipas të dhënave doganore, importi nga Greqia për 2011-n ishte 57.79 miliardë lekë, ose rreth 7% më pak se një vit më parë. Ndërkohë eksportet tona vazhduan të rriten, duke përmirësuar lehtësisht deficitin tregtar me Greqinë. Me 10.16 miliardë lekë mallra të eksportuara, vlera u rrit 16% krahasuar me vitin 2010.
Edhe importet drejt Kinës u rritën vitin e kaluar, ndërsa eksporti ra ndjeshëm. Sipas të dhënave doganore, vitin e kaluar importuam gati 35 miliardë lekë mallra nga Kina, gati 15% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që vlera e eksportit ra gati 45%. Në këtë rënie ndikoi pezullimi i eksportit të mineralit të kromit për disa muaj resht, për shkak të çmimit të ulët që kishte në treg.
Me Gjermaninë, pati rritje të lehtë si në importe, edhe në eksporte. Sipas të dhënave doganore, vlera e importit u rrit 9%, ndërsa eksportet u rritën gati 30%.
Vetëm këta katër partnerë tregtarë sigurojnë gati gjysmën e importeve shqiptare. Në eksporte ata zënë më shumë se 60% të totalit, por kujtojmë se mbi 50% e eksporteve shkojnë vetëm drejt Italisë.