Tregtia sipas grupmallrave, janar-prill
Gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, pesha e tregtisë së grupmallrave kryesore pësoi luhatje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupi i mallrave “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” pësoi rritje 4 pikë përqindje në peshën e eksporteve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011. Rënie të theksuar në peshë shënoi grupi i mallrave “Materiale ndërtimi dhe metale”. Ai ra 6 pikë përqindje, ndërsa “Tekstile dhe këpucë” ruajtën të njëjtën peshë 33% të totalit të vlerës së eksporteve.
Në importe, luhatjet janë më të dukshme brenda disa grupmallrave. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), pesha e importit të grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” ka rënë me 2 pikë përqindje, ndërsa vlera e tyre pësoi rënie prej 4.5%. Në katër muajt e parë të vitit u importuan 29.8 miliardë lekë makineri e pajisje.
Grupi i mallrave “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” e rriti peshën në importe me 6 pikë përqindje, duke zënë një volum importi pothuajse dy herë më të lartë se materialet e ndërtimit e metalet. “Ushqime, pije e duhan” ruajti të njëjtën peshë me një vit më parë, ndërsa vlera e importit të tyre u rrit lehtësisht.
Në eksporte, grupi më i madh i mallrave “Tekstile e këpucë” ruajti peshën, por vlera e eksportit ra rreth 4.5% Sipas të dhënave të INSTAT-it, vlera e eksportit të këtij grupmallrash ishte 20.72 miliardë lekë, nga 21.65 që ishte në të njëjtën periudhë të 2011-s.
“Ushqime, pije e duhan” u rrit me 1 pikë përqindje në peshën e eksporteve (duke arritur në 5%), ndërkohë që vlera e eksportit u rrit 18%.
Dy grupet e mallrave me peshën më të madhe në tregti “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, në këtë periudhë paraqitën luhatje të ndjeshme.
Sipas të dhënave të INSTAT, vlera e eksportit dhe importit të grupit “Tekstile dhe këpucë” ra përkatësisht 4.3% dhe 3%. Për grupin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, vlera e eksportit u rrit 7.4%, kurse ajo e importit u rrit rreth 36%.
Burimi: INSTAT