Statistika-investimet e huaja sipas fushave
Ecuria e investimeve të huaja nuk ka ndjekur të njëjtën tendencë për të gjithë sektorët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë (BSH), investimet më të mëdha të huaja në periudhën katërvjeçare 2007-2010 janë bërë në sektorin e ndërmjetësimit financiar dhe në atë të industrisë përpunuese.
Sipas të dhënave të BSH-së, për ndërmjetësimin financiar, stoku i investimeve arriti në 651 milionë lekë në vitin 2010. Krahasuar me një vit më parë, vlera e investimeve u rrit me 11.5%.
Një rritje të lehtë pësuan edhe investimet e huaja në industrinë e përpunimit, pas një rënie që shënuan në vitin 2009. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e investimit ka arritur në 416 milionë euro, ose 3.2% më shumë se në vitin 2009.
Industria nxjerrëse ka qenë sektori me më shumë interes për investimet e huaja gjatë vitit 2010. Vlera e investimeve arriti në 331.4 milionë euro, nga 145.9 milionë që shënonte një vit më parë.
Edhe në fushat e transportit e komunikacionit investimet kanë rifilluar të rriten, pas një rënie të theksuar në vitin 2008, që vazhdoi edhe në vitin 2009. Sipas të dhënave të BSH-së, vlera e investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar u rrit me 13%, duke arritur në një total investimesh prej 402 milionë eurosh.
Në ndërtim po ashtu, tendenca e investimeve është në rritje. Stoku i investimeve të huaja në këtë fushë ka arritur në 228 milionë euro sipas BSH-së, duke u rritur me 23% vetëm gjatë vitit 2010.
Sektori që ka tërhequr më pak investime është bujqësia. Stoku i investimeve në këtë fushë është vetëm 7.8 milionë euro, një shifër e pakrahasueshme me të gjitha fushat e tjera.
Në total, stoku i investimeve të huaja në Shqipëri ka arritur në 2.64 miliardë euro, sipas BSH-së, duke u rritur me 18% në 2010-n.