Statistika/ Ecuria e kredive e depozitave, shtator 2012-11-09
Kredia për ekonominë është gjallëruar për herë të parë pas katër muajsh, në shtator, si rrjedhojë e rritjes së huadhënies në monedhën vendase.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i kredisë për ekonominë arriti në 557.2 miliardë lekë në fund të muajit shtator, duke shënuar tendencë rritjeje mujore (prej 0.9%), për herë të parë që nga muaji prill i këtij viti.
Kredia në lekë arriti në 204 miliardë lekë, me një rritje me bazë mujore prej 1.6%, ndërsa dhe ajo në valutë u zgjerua me 0.5% në 353 miliardë lekë.
Kredia në valutë përbënte 63% të totalit në fund të shtatorit 2012, nga 68% që ishte kjo peshë në dhjetor 2009.
Pavarësisht rigjallërimit të shtatorit, ritmet e rritjes së kredisë vijojnë të mbeten shumë të ulëta. Në krahasim me dhjetorin 2011, huaja për ekonominë është zgjeruar me 15 miliardë lekë, apo 2.8%. Për periudhën përkatëse të një viti më parë, këto shifra ishin përkatësisht + 45 miliardë lekë dhe + 9.3%.
Me bazë vjetore, huadhënia për ekonominë është rritur me 5.5%. Një vit më parë, ky zgjerim ishte 14.5%.
Ngadalësimi i kredidhënies vjen si nga frenimi i bankave, që kanë shtrënguar ndjeshëm standardet e kredidhënies, teksa po mundohen të marrin veten nga shtimi i pandalshëm i kredive me probleme, që e ka kaluar tashmë 21%, ashtu dhe nga tërheqja e bizneseve, të cilat kanë ndalur investimet.
Depozitat në sistemin bankar nuk shënuan rritje në muajin shtator, duke shënuar një nga performancat më të dobëta të viteve të fundit, teksa kursimet në lekë kanë pësuar tkurrje relativisht të ndjeshme për të tretin muaj radhazi. Pikërisht ecuria negative e depozitave në lekë ka ndikuar në mosrritjen e totalit të kursimeve, në një kohë që valuta ka vijuar ecurinë pozitive.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në sistem në shtator 2012 ishte 930 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një muaj më parë. Një vit më parë, rritja përkatëse kishte qenë 1.5%, duke treguar që rënia e kursimeve në shtator pas zgjerimit të tyre të ndjeshëm në gusht nuk është ndonjë tendencë ciklike, por ka ardhur si rrjedhojë e uljes së vazhdueshme të kursimeve në lekë.
Depozitat në lekë shënuan rënie mujore me -0.6%, ku ndikimin më të madh e dha tkurrja e depozitave të individëve me -1.1%, duke konsoliduar linjën rënëse, çka reflekton se kriza ekonomike ka bërë që individët, jo vetëm të tkurrin konsumin, por dhe të mos arrijnë që të kursejnë.
Depozitat në valutë kanë vijuar zgjerimin, me 0.7% me bazë mujore, duke orientuar prirjen rritëse të totalit të kursimeve përgjatë muajve të fundit. Për herë të parë në historinë e kursimeve shqiptare, depozitat në valutë kanë barazuar ato në lekë.
Me bazë vjetore, depozitat në total në fund të shtatorit u rritën me 10%. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 13.2%, duke treguar për një ngadalësim të ritmeve të rritjes së kursimeve të shqiptarëve.
Burimi: Banka e Shqipërisë