Kur kriza “zverdh” faqet
Libri në Shqipëri, i huaj, por edhe shqiptar, artistik, historik apo shkencor nuk është në ditët e tij më të mira. Kriza ka ulur ndjeshëm shitjen e tij. Ky nuk është problemi i vetëm, shpërndarja jo e duhur, marketingu i varfër, por shpesh edhe cilësia që lë për të dëshiruar përbëjnë kërcënimet e vazhdueshme të librit
Sa herë që zhvillohet Panairi i Librit në Tiranë, shtëpive botuese u rikthehet për pak “buzëqeshja”. Është një nga të rrallat mundësi për të afruar lexuesin (masiv) drejt librit, një mall që duket se të paktën në dy vitet e fundit është strukur thellë në një qoshe. Botuesit flasin për rënie që llogaritet në 30-40%, shifër më e lartë se një vit më parë.
Arlinda Dudaj, drejtuese e shtëpisë botuese “Dudaj”, thotë se “kriza ekonomike natyrisht që do të reflektohet edhe te libri, i cili duket se është në ‘pikë të hallit’”.
Shtëpitë botuese, jo të pakta në numër për një treg si vendi ynë, në kushte të tilla duhet të punojnë më fort.
“Kriza e ka bërë situatën më të vështirë, që do të thotë se me librin duhet të punohet më shumë, të kurohet edhe nga pikëpamja e prezantimit të tij”, thotë Loreta Berhami, drejtore publikimi e shtëpisë botuese “Pegi”.
Ndërsa për botuesen e “Toena”, Irena Toçi, familjet te shpenzimet e tyre nuk e shohin më librin, i cili për ta është një shok që e kërkojnë atëherë kur kanë mundësi për ta pasur. “Kjo krizë ekonomike ka ndikuar edhe në aspektin psikologjik, pasi edhe ata që mund të mos kenë probleme të vërteta ekonomike stepen që të bëjnë shpenzime për të plotësuar dëshirat, qofshin edhe ato që kanë lidhje me ushqimin shpirtëror apo të rehabilitimit fizik. Libri hyn në ato dëshira që janë kushtëzuar, ose “dënuar” nga kjo krizë.
E në kohë krize, lufta më e madhe bëhet për të fituar “terren” që në rastin e librit për lexuesin, nuk është vetëm e përqendruar në Shqipëri, por edhe në viset e tjera jashtë saj, kryesisht në Kosovë e Maqedoni. Megjithëse konkurrenca përtej kufijve duket se nuk i tremb shumë botuesit shqiptarë.
Brenda tregut shqiptar të librit, e diktuar edhe nga kriza, konkurrenca është në rritje.
Botues të tjerë thonë se tregu shqiptar i librit është ende i pazhvilluar e për ta vërtetuar këtë, mjafton t’u hedhësh një sy librarive për të parë se në çfarë kushtesh shesin ato. Pjesa e ‘luanit’ është ajo që shitet në Shqipëri, sidomos në Tiranë. Ata thonë se nëse ka garanci se lexuesi i kryeqytetit e preferon atë libër, atëherë shitjet janë të sigurta.
Botuesit shpresojnë se kjo periudhë e “zymtë” do të jetë kalimtare dhe se tregu i librit do të nisë sërish të gjallërohet.
Dhe telashet s’kanë të sosur…
Libri në vendin tonë nuk vuan vetëm pasojat e rënies së fuqisë blerëse, por vazhdon të përballet me probleme të mbartura në kohë, duke e bërë tregun kaotik. Arlinda Dudaj e shtëpisë “Dudaj” thotë se tregu i librit në Shqipëri vazhdon të ketë probleme të mëdha, atij i duhet të përballet, ndër të tjera, edhe me kostot e larta të ekspozimit në panaire. Loreta Berhami, drejtuese e shtëpisë botuese “Pegi”, thotë se “problemi kryesor që ka libri shqiptar është pika e kontaktit me lexuesin. Është një rreth vicioz, është një mall që edhe pse punon me çmime relativisht të lira, nuk ecën shumë.
Nuk ka interes për të hapur qendra të mëdha librash (edhe pse në Tiranë ka dy apo tre), një gjë e tillë do të bënte që libri të përfaqësohej mirë. Në momentin që mungon tërheqja, lexuesit janë më të paktë”, thotë ajo.
Sipas saj, në Shqipëri, ky treg është shumë i copëtuar sepse ende perceptohet si shumë e thjeshtë që të botohet një libër.
Ende ka shumë shtëpi të vogla botuese që e bëjnë punën keq.
Libri, thotë ajo, nëse kalon nëpër të gjitha hallkat në mënyrën e duhur, pra selektim, korrektim, marketing atëherë do të mund të jetë më cilësor.
Irena Toçi, botuese e “Toena”, sjell një tjetër këndvështrim për problemet që ka libri, që kanë të bëjnë me raportin prodhim-kosto-çmim.
“Çmimet e librave kanë mbetur në të njëjtat nivele, nuk kanë ndryshuar, sepse në Shqipëri ndodh një fenomen i veçantë, i ndryshëm nga ai i vendeve europiane: tirazhet e prodhimit janë shumë të ulëta. Një libër i suksesshëm apo jo, në tregje si ai i Italisë apo edhe më gjerë, prodhohet në disa miliona kopje.
Kur del për herë të parë në treg, ai ka një tirazh të paktën me 5,000-10,000 kopje. Për ne kjo është një ëndërr në sirtar, për ne një botim i ri mund të ketë një tirazh që shkon maksimalisht në 1,000 kopje për të provuar tregun dhe në rastin më të shpeshtë dalim me 500 kopje. Është pikërisht kjo sasi e cila provon tregun, për të parë tendencën e tyre të shitjes dhe më pas, një botues ka mundësi që ta ribotojë atë”, thotë znj. Toçi.
Por çfarë ndodh ndërkohë? Sipas saj, të hedhësh në treg një libër me tirazh 500 kopje në krahasim me atë që është 10,000 kopje ka një ndryshim shumë të madh në kosto.
“Botuesit shqiptarë, edhe pse koston e botimit të librit e kanë pothuajse të barabartë (flitet për punën paraprake deri sa shkon në shtypshkronjë) me atë të shtëpive botuese në Itali apo edhe të ndonjë vendi tjetër europian, kanë më të lartë koston kur libri shkon në shtypshkronjë. Kostoja për një tirazh më të madh është më e vogël dhe kjo u jep dorë botuesve europianë që diferencën mes kostos dhe çmimit të shitjes ta kenë më të madhe. Argumenti i dytë ka të bëjë me çmimin që ata i vendosin librit. Në tregjet e huaja, kur libri hidhet për herë të parë, çmimi është të paktën gjashtë apo shtatë herë më i lartë se kostoja e prodhimit, ndërsa në Shqipëri kjo shifër është vetëm dy herë më e lartë, vetëm në raste shumë të rralla, çmimi i shitjes mund të jetë shumë herë më i lartë”, thotë znj. Toçi.
Drejt lexuesit…
Lexuesi shqiptar tërhiqet më shumë nga letërsia e huaj. Botuesja e “Dudaj” thotë se raporti mes librit të huaj dhe atij shqiptar, për lejueshmërinë, flet në favor të të parit. Megjithatë, thotë ajo, ka rritje të kërkesës për titujt shqiptarë, memoristikë, historikë, ditaresk të formës epistolare (korrespodencë). Letërsia artistike gjithmonë është e pëlqyeshme. Për një gjë botuesit shqiptarë janë tërësisht dakord. Në Shqipëri, femrat janë ato që lexojnë më shumë dhe tërhiqen veçanërisht nga letërsia artistike. Meshkujt janë më shumë të interesuar për letërsinë shumë cilësore, të natyrës historike, por edhe me karakter studimor. Mosha që lexon më shumë është mbi 25 vjeç.
Arlinda Dudaj thotë se në tregun shqiptar hidhen sasi të mëdha librash dhe jo gjithmonë ata janë cilësorë. “Përpiqemi që të gjejmë mënyra të ndryshme për të tërhequr lexuesin te libri, megjithatë duhet të bëhet edhe më shumë. Strategjia e duhur është se duhet të flasësh shumë për librin me lexuesin, të shpenzosh kohë dhe të realizosh një marketing të kuruar mirë”, thotë znj. Dudaj.
Për botuesen e “Pegi”, afrimi i librit me lexuesin është një qasje që vjen vetëm me eksperiencën. Gjithashtu, ka të bëjë edhe mënyra sesi bëhet reklamimi, që nuk është i drejtpërdrejtë sepse libri nuk është vetëm një mall, por edhe një mjet kulture, duhet kuptuar se çfarë teme sjell, çfarë sjell të re për lexuesin, si mund të transmetohet nga media. “Duket si diçka anakronike, por unë kam vënë re se, në këtë mënyrë, arrihet të tërhiqen më shumë lexues. Në një treg që është në krizë, është shumë normale, që të ashpërsohet konkurrenca”, thotë znj. Berhami.
Ajo e cilëson lexuesin shqiptar si shumë tolerant, pasi vazhdon t’i shkojë pas librit, edhe pse ka marrë lloj-lloj përkthimesh skandaloze, botimesh të paredaktuara, cilësi të dobët.
“Unë e shoh se libri ka një të ardhme pozitive pavarësisht krizës, sepse nisëm edhe nga logjika se po të mos kishte interes nuk do të ishin hapur kaq shumë shtëpi botuese, edhe pse jemi një vend i vogël”, thotë botuesja.
Për Irena Toçin, panairi është gjithashtu një sinjal pozitiv për botuesit, pasi shitja është vetëm njëra anë, ndërsa gjëja më e rëndësishme është kontakti që krijon lexuesi me të gjithë aktorët, si shkrimtari, redaktorët, përkthyesit, dizajni etj. Panairi i bashkon të gjithë. Lexuesi njihet me prodhimet e reja dhe më pas ata kanë kohë që të vizitojnë libraritë dhe të bëjnë më me kujdes përzgjedhjet.
“Konkurrenca duhet të jetë e lartë dhe e fortë, pasi kjo do të bëjë që të sillet një produkt i mirë dhe cilësor.
Në Shqipëri ka shtëpi botuese, konkurruese me njëra-tjetrën dhe që sjellin libra me vlerë”, thotë ajo.
Lexuesi më i mirë? Për të, lexuesit ndahen sipas kategorive të ndryshme. “Letërsia frekuentohet më së shumti nga lexuesit e rregullt, ata që e kanë si pjesë të argëtimit të përditshëm edhe leximin. Ka të tjerë që janë shumë më të dëshiruar për të lexuar libra filozofikë, diplomatikë, historikë etj. Gama e gjerë e librave që botohen e vështirëson përcaktimin se cila është kategoria më e mirë e lexuesit”, thotë znj. Toçi.
Botuesja e “Toena” thotë se pritshmëria është pozitive. Me kalimin e krizës, libri do të ringjallet.
Virtual vs. tradicional
“Kërcënimi” që vjen nga modernizimi i teknologjisë, që në botë është në rritje, nuk ka mbërritur ende në Shqipëri. Botuesit thonë se libri i përballon të gjitha risitë teknologjike pasi njerëzit e kanë të vështirë të heqin dorë nga një zakon shumë i lashtë. Arlinda Dudaj thotë se “teknologjia ende nuk përbën ‘kërcënim’ për librin shqip, pasi nuk është futur si opsion nga botuesit shqiptarë, por sigurisht që në të ardhmen mund të jetë. Njerëzit kanë më pak kohë për të lexuar dhe në këto kushte iu vjen në ndihmë teknologjia”. Ndërsa drejtuesja e shtëpisë botuese “Pegi” thotë se “edhe në botë ky është një kërcënim i përkohshëm. Askush nuk ka interes që ta lërë tregun e librit që të vetëshkatërrohet. Do të arrihet në një pikë kur do të krijohet njëfarë ndërgjegjësimi, ashtu sikundër po ndodh me muzikën”.
Irena Toçi e “Toena”-s thotë se “botimi virtual elektronik ka filluar të marrë jetë, jo sepse nuk ka një vlerë monetare në krahasim me librat që shiten në librari, por sepse i kushtojnë më pak kohë njerëzve për t’i gjetur, si në kompjuterin personal, në celular etj.
“Në Shqipëri, tendencat vijnë me vonesë, ndaj është herët për të folur për këtë fenomen. Shtëpitë botuese nuk e kanë marrë ende iniciativën për të hedhur në treg ‘ebook’, por mendoj se është një zgjidhje alternative, me kosto më të ulët.
Në rajonin tonë kjo tendencë tashmë ka filluar. Në Greqi, ky lloj formati ka dy vjet që ka hyrë dhe është shumë i frekuentuar”, thotë ajo.
Botuesit shqiptarë mendojnë se nga ana tjetër ka shumë e shumë lexues që preferojnë metodën klasike të të lexuarit. Të ruajnë librin si një kujtim, ta shikojnë të materializuar, së bashku me shënimet e tyre përkatëse. Këto janë dy tendenca që do të ecin paralelisht me njëra-tjetrën.
Cilësia
Problemi kryesor i librit në Shqipëri është shpërndarja, por herë pas here shfaqen edhe probleme me cilësinë, përkthime jo të mira. Ky është mëkati i shtëpive botuese
Preferenca
Femrat janë ato që lexojnë më shumë dhe tërhiqen veçanërisht nga letërsia artistike
Marketingu
Ka përpjekje serioze dhe shtëpitë botuese janë të kujdesshme kur bëjnë marketingun e veprave që do të hedhin në treg
Panairi i Librit, “Tirana 2012”
Mbi 100 botues nga treva të ndryshme shqiptare ekspozuan në Tiranë, nga data 14-18 nëntor, titujt e rinj dhe botimet e viteve të kaluara. Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese u promovuan më shumë se 60 autorë dhe libra të rinj. Në serinë e aktiviteteve nuk munguan edhe diskutimi i temave profesionale, për komunikim, konferencat, apo dhe ekspozetë. Ekspozimit të librit këtë vit, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, iu dha më shumë hapësirë, duke zënë një sipërfaqe mbi 1,800 metër katrorë. Mbi 60,000 tituj u ekspozuan gjatë ditëve të Panairit, ku rreth 1,500 ishin tituj të rinj.
“Ebook”, tregu që vlen miliona
Tregu i librit elektronik, “ebook”, në Europën Perëndimore u rrit me rreth 40% në vitin 2011 në krahasim me 2010-n. Gjatë kësaj periudhe u shitën rreth 32 milionë njësi, sipas të dhënave të ofruara nga kompania e kërkimit “Futuresource Consulting”.
Gjatë vitit 2011 është vënë re ndryshim pozitiv ndaj industrisë “e-books”. Fiona Hoy, analiste tregu në “Futuresource Consulting”, thotë se pavarësisht rritjes që po pëson tregu i librit elektronik, ai është ende në fazat e tij të para, duke zënë rreth 1% të totalit botëror të shpenzimeve të “ebook”.
Gjithnjë e më shumë kjo industri po tregon se ka potenciale dhe parashikohet që të ardhurat e tregut të “ebooks” në Europën Perëndimore të arrijnë në 1.6 miliardë euro në vitin 2015, duke përbërë rreth 15% të totalit të shpenzimeve.
Britania e Madhe dominon tregun europian të “ebook” dhe gjeneron rreth gjysmën e të ardhurave të totalit. Parashikohet që gjatë vitit 2012, shitjet në këtë treg të arrijnë në rreth 1000 milionë paund.
Gjermania, që llogarit shpenzimin më të madh për frymë, për libra në Europën Perëndimore, dyfish më shumë se Britania, cilësohet si një nga shtetet që favorizon përhapjen e librave elektronikë. Parashikimet për vitin 2015 flasin se tregu gjerman do të përbëjë rreth gjysmën e të gjithë shitjeve të librave elektronikë në Europë, në krahasim me Britaninë dhe Francën. Fushatat e forta promocionale dhe stimulimi i tregut do të çojë në rritjen e të ardhurave reale.
Problemet kryesore të këtij tregu mbeten kufizimi i titujve në gjuhë të ndryshme, shërbimet e kufizuara për pagesën e librave elektronikë. Megjithatë, ekspertët flasin për zhvillim të ndjeshëm të këtij shërbimi nga ana e “Amazon”, “Apple” dhe “iBookstore” dedikuar tregut të iPad-ëve dhe smartphone-ve.
Sipas parashikimeve, tregu i librit elektronikë i Europës Perëndimore do të vazhdojë të rritet.
Fakte
Shtëpitë botuese kryesore janë: “Bertelsman”, “Hachette”, “Pearson”
Tregjet kryesore: Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe që përbëjnë 50% të totalit
SHBA dominon tregun botëror të librit elektronik, duke zënë rreth 57% të shpenzimeve
Kina parashikohet që të ketë rritjen më të madhe në pesë vitet e ardhshme
119 miliardë dollarë parashikohet tregu i “ebook” në vitin 2015