Ecuria e eksporteve drejt Kosovës
Në fund të 2007-s, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës ishin vetëm 34 milionë euro, duke zënë më pak se 5% të totalit të eksporteve shqiptare, sipas të dhënave nga INSTAT. Pesë vjet më vonë, në fund të 2012, ato pothuajse janë katërfishuar duke arritur në gati 140 milionë euro. Shpallja e pavarësisë së shtetit që flet të njëjtën gjuhë, në shkurt të vitit 2008, i ka dhënë një hov të ri marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve, ku eksportet janë rritur me bazë vjetore përkatësisht me 39, 46 dhe 18% gjatë viteve 2010-2011-2012.
Eksportet drejt Kosovës përbënin mbi 8% të totalit të eksporteve në fund të 2012-s, duke e bërë atë partnerin e tretë tregtar të vendit, pas Italisë dhe Spanjës. Kosova, ndër të tjera, është nga të paktat vende me të cilat ne kemi një suficit tregtar.
Produktet më të eksportuara drejt Kosovës janë mineralet dhe metalet bazë, të cilat zunë rreth 72% të totalit të eskporteve drejt këtij vendi.
Në krahasim me vitin 2009, ka një diversifikim të eksporteve drejt Kosovës, ku vihet re rritja e peshës së mjeteve të transportit, dhe të Artikujve prej guri, allçie, prod. qeramike, qelqi. Këto të fundit janë zgjeruar ndjeshëm në dy vitet e fundit (2011-2012), duke u shndërruar në produktin e katërt më të eksportuar drejt Kosovës.
Tre grupmallrat kryesore që eksportohen drejt Kosovës janë: “Metale bazë dhe artikujt prej tyre”, “Produkte minerale”, “Makineri e pajisje mekanike dhe elektrike”. Të tre këto grupmallra kanë shënuar një rritje konstante të eksporteve gjatë viteve të fundit.
Burimi: INSTAT