Ecuria e eksporteve drejt Greqisë
Kriza e borxheve që ka mbërthyer Greqinë që prej vitit 2008 dhe recesioni i thellë që po kalon shteti fqinj, me një rënie vjetore ekonomike prej rreth 6% në vit, ka bërë që eksportuesit shqiptarë t’i largohen këtij tregu. Sipas të dhënave të INSTAT, pas një rimëkëmbjeje në 2011-n, eksportet drejt Greqisë ranë sërish në 2012-n, me 5% me bazë vjetore, më rreth 9.5 miliardë lekë, ndonëse eksportet në total u rritën me gati 8%.
Rëndësia që ka Greqia si një treg eksportesh është zbehur ndjeshëm në katër vitet e fundit. Pesha e eksporteve drejt Greqisë ndaj totalit të eksporteve shqiptare ishte vetëm 4.4% në fund të 2012-2, nga rreth 13% në fillim të viteve 2000 dhe 8.8% që ishte kjo peshë përpara së ekonomia greke të zhytej në recesion të thellë. Nga partneri i dytë tregtar për eksportet deri para pak kohësh, Greqia ka zbritur tashmë në vendin e pestë.
Produktet më të eksportuara drejt Greqisë mbeten tekstilet dhe këpucët dhe materialet e ndërtimit dhe metalet.
Eksportet e tekstileve e këpucëve rezultojnë të jenë goditur më shumë nga kriza greke. Sipas të dhënave të INSTAT, ato kanë rënë vazhdimisht gjatë viteve të fundit, duke shënuar gati një përgjysmim, në krahasim me periudhën e para vitit 2008. Në fakt, Dhomat e tregtisë së qyteteve të jugut, si Gjirokastër dhe Korçë, ku është e përqendruar industria tekstile që punon me Greqinë, kanë raportuar vazhdimisht për mbylljet të ndërmarrjeve tekstile.
Si rrjedhojë e rënies së eksporteve të tekstileve e këpucëve drejt Greqisë është ulur dhe pesha e këtij grupmalli ndaj totalit të eksporteve drejt këtij vendi. Ndërsa në vitin 2008, tekstilet e këpucët ishin grupmalli më i eksportuar, ndërsa në 2012-n, vendin e parë e kanë zënë shitjet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve.
Burimi: INSTAT