Qendra për Studime të Europës Juglindore të Universitetit të Oksfordit, organizoi një konferencë për inaugurimin e librit “Growth in Albania and South East Europe: The Way Ahead” (Rritja ekonomike në Shqipëri dhe në Europën Juglindore: rruga drejt së ardhmes) me autor, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, zotin Ardian Fullani. Libri përmban një grup çështjesh studimore të përgatitura nga zoti Fullani në 4–5 vitet e fundit, të cilat trajtojnë gjerësisht rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Europës Juglindore. Në këtë libër, përmes një analize të zhvillimeve të 20 viteve të fundit në ekonominë shqiptare, synohet të bëhen përgjithësime me vlerë për të ardhmen. Kjo analizë, e cila trajton gjerësisht dinamikën dhe konsekuencat që rrjedhin nga procesi i integrimit mes vendeve të rajonit dhe më gjerë në Bashkimin Europian, mundëson identifikimin në nivel makro dhe mikroekonomik të burimeve të rritjes në të ardhmen.
Libri trajton gjerësisht problematikat kryesore të zhvillimit të ekonomisë dhe të tregjeve të mallrave e të atyre financiare. Ai i vë një theks të veçantë evidentimit të avantazheve konkurruese dhe domosdoshmërisë për bashkëpunim rajonal, si dy nga elementët kryesorë, të cilët do të çlirojnë burime të mëdha rritjeje si për Shqipërinë ashtu dhe për rajonin e Europës Juglindore.
Në konferencë morën pjesë profesorë dhe studentë të Universitetit të Oksfordit, akademikë të ftuar nga Shkolla Ekonomike e Londrës, përfaqësues nga universitete të tjera në Londër dhe në Shqipëri, drejtues të lartë të bankave qendrore të rajonit, përfaqësues nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përfaqësues të biznesit dhe sistemit financiar në rajon, si dhe përfaqësues të Bankës së Shqipërisë. Në aktivitet ishin të pranishëm dhe Rektori i Universitetit të Tiranës dhe njëkohësisht Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, profesor Dhori Kule, si dhe trupa diplomatike e Ambasadës Shqiptare në Londër.
Prezantimi i librit u hap me një përshkrim të shkurtër nga Drejtori i Qendrës së Studimeve Europiane pranë Universitetit të Oksfordit, z. Othon Anastasakis, i cili në fjalën e tij u shpreh: “Ky libër trajton konceptet e rritjes, krizës dhe rigjallërimit, integrimin europian dhe veçanërisht bashkëpunimin rajonal midis vendeve të Ballkanit”. Më pas, Guvernatori Fullani bëri një ekspoze të zgjeruar të ideve të trajtuara dhe konkluzioneve kryesore të librit. Në pjesën e dytë të aktivitetit, guvernatori Fullani bashkëbisedoi dhe iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve në lidhje me çështjet e trajtuara në libër. Libri i botuar në gjuhën angleze mund të gjendet në formë elektronike në faqen zyrtare të Qendrës për Studime të Europës Juglindore, të Universitetit të Oksfordit: http://www.sant.ox.ac.uk/seesox/.
Fondi
IFC, 10 milionë euro “Credins” për energjitë e rinovueshme
Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, njofton do të mbështesë përmes “Credins Bank” sektorin shqiptar të energjisë së rinovueshme me një fond prej 10 milionë eurosh. Fondi do të përdoret për të financuar projektet e energjisë së rinovueshme të eficiencës së energjisë, duke nxitur përdorimin aktiv dhe uljen e emetimeve të gazit serë. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, drejtori i përgjithshëm, Artan Santo, tha se projekti është tërësisht i veçantë dhe e bën “Credins Bank” lider në nxitjen e energjive të rinovueshme. “Projektet për energjinë e rinovueshme dhe eficencën e energjisë që nis tek ne janë tërësisht të veçanta dhe kjo do të ruajë të gjithë parametrat që kërkon sot tregu. Do të japë një nismë akoma më të mirë dhe rritje të likuiditetit në tregun shqiptar. Do të lançojë ‘Credins Bank’ si një nga liderët në treg për sa u përket marrëdhënieve me klientët, me biznesin”, tha drejtori i përgjithshëm i ‘Credins Bank’.
Me tej, Santo shtoi se projekti është vetëm një ndër nismat e ndërmarra në bashkëpunim me Bankën Botërore. “Kemi arritur në atë stad që projektet tona së bashku edhe me Bankën Botërore, që do t’i nënshkruajmë pas një periudhe të shkurtër kohe janë tashmë projekte të ndërkombëtarizuara nga ana e Bankës Credins”, tha Santo. Përfaqësuesi i IFC, Ed Strawderman, tha se mbështetja e energjive të rinovueshme do t’i sjellë Shqipërisë përfitime mjedisore dhe ekonomike. “Përmes kësaj huaje, ne duam të ndërtojmë një marrëdhënie me ‘Credins Bank’. Kemi punuar me ta në shërbimet e konsulencës, për të ndërtuar një platformë të ofrimit të shërbimeve që lidhen me investimet në energjitë e rinovueshme dhe me produktet e eficencës së energjisë. Ne besojmë se banka do të arrijë t’i shpërndajë këto financime në tregun lokal, ndërkohë që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në kuadrin e konsulencës, për të forcuar më tej kapacitetet e ‘Credins Bank’”, tha Strawderman. IFC-ja do t’i japë një financim prej 10 milionë eurosh bankës, përfshirë edhe 1 milion euro nga programi i IFC-së Kanada për ndryshimet klimatike. Kjo do ta ndihmojë bankën të japë hua për kompanitë shqiptare të interesuara për investime në teknologji të efektshme nga pikëpamja e energjisë dhe projekte të energjisë së rinovueshme.
Paradoksi
Importet e makinave u rritën 143% në 2012-n; konsumi i karburanteve bie 5%
Gjatë vitit 2012, është konstatuar rënie e konsumit të karburanteve, me rreth 5%, nga 457 mijë tonë, në rreth 432 mijë tonë, sipas të dhënave që janë publikuar nga Dogana. Në mungesë të prodhimit të karburanteve nga kompania vendase ARMO gjatë vitit 2012, sipas deklarimeve nga vetë kompania, e gjithë sasia e importuar tregon konsumin e brendshëm (duke hequr një pjesë të vogël që mund të shkojë për rieksport).
Në një situatë normale, kjo tendencë do të ishte e kuptueshme, për shkak se shtrenjtimi i çmimeve të karburanteve apo dhe kriza ekonomike kanë bërë që shqiptarët të shpenzojnë më pak për të lëvizur me automjete.
Megjithatë, gjatë vitit 2012, ka pasur një dukuri të pazakontë të rritjes së importeve të makinave, sidomos atyre të përdorura, pas heqjes në shtator 2011 të taksës së rishitjes, që kishte pezulluar pothuajse tërësisht shitblerjen e makinave të përdorura.
Të dhënat e Doganave tregojnë se në vitin 2012 rezultojnë të jenë importuar në total 52,179 makina, me një rritje prej 143% me bazë vjetore, nga të cilat, rreth 1800 ishin të reja, ndërsa të tjerat të përdorura. Në total, janë regjistruar për herë të parë rreth 47 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR), nga të cilat, më shumë se 45 mijë ishin të përdorura.
Nga hyrja e të gjithë këtyre automjeteve që qarkulluan për herë të parë në rrugët shqiptare, ishte i pritshëm një shtim i konsumit të karburantit, që faktikisht nuk është konstatuar.
Në krahasim me vitin 2010, kur konsumi i karburanteve ka arritur kulmin, vetëm makinat e reja të shtuara në 2012 ishin gati pesë herë më të larta se atë vit.
Ksera:
Rajoni, së shpejti me treg të përbashkët pune
Shqipëria dhe Kosova synojnë të kenë një treg të përbashkët pune, ndaj për këtë po përgatitet një memorandum i ri bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e formimit profesional dhe atë të punësimit. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta e bëri të ditur këtë gjatë hapjes së qendrës së formimit në Kukës, ku ishte i pranishëm edhe homologu i tij kosovar Nenad Rasiç. “Ky memorandum do të çojë në një stad të ri bashkëpunimin dhe do të krijojë mundësi reale për qytetarët e të dy vendeve për të pasur informacion në kohë reale rreth tregut punës, por dhe për të përfituar nga kërkesë-oferta në secilin prej vendeve”, tha ministri Ksera. Sipas tij “qeveria shqiptare ka prioritet punësimin, në mënyrë të veçantë punësimin e të rinjve dhe nisma më e fundit për heqjen e taksave për tre vjet për të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës do t’i japë frymëmarrje të re dhe do të rrisë punësimin në mënyrë të ndjeshme”.
Ndërsa ministri Rasiç tha se përvoja e suksesshme e Kosovës në ngritjen e një sistemi të formimit profesional të standardeve europiane duhet të ndiqet nga qendrat e formimit në Shqipëri, nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencës në ngritjen e kabineteve të reja, kurrikulave bashkëkohore etj.
“AGRONET”
Krijohet logjistika rajonale për prodhimet agro-ushqimore
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës prezantoi në Tiranë projektin e Financuar me Fondet e Bashkimit Europian, IPA Adriatik 2007-2013 “AGRONET”. METE, si partner shqiptar i këtij projekti, tha se objektivi parësor i Projektit AGRONET është krijimi i një rrjeti funksional e të përhershëm të strukturave të logjistikës së shpërndarjes së prodhimeve agro-ushqimore ndërmjet vendeve të pellgut Adriatiko-Jonian, duke filluar nga viti 2013. Gjatë fjalës përshëndetëse, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Dael Dervishi theksoi se projekti ka për qëllim të plotësojë hapësirat strukturore, institucionale dhe ekonomike që janë bërë pengesë për rritjen e sistemit të shkëmbimeve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Z. Dervishi shpjegoi gjithashtu se për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti dhe për të përfituar të gjitha shërbimet dhe avantazhet që mundëson rrjeti i përhershëm për logjistikën, shpërndarjen dhe shërbimet e infrastrukturës në mbështetje të industrisë së ushqimit në zonën e Adriatikut, çdo palë e interesuar mund të regjistrohet në portalin që do të krijohet me këtë qëllim në adresën zyrtare të Agronet http://www.agronet.fineline.ba/. Nëpërmjet këtij portali web do të bëhet ndërlidhja e të gjithë partnerëve dhe agjencive lokale për bashkëpunimin dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm.
Turizëm
Shqipëria josh me vizion të ri
Shqipëria tani është gati për t’u promovuar kryesisht në Gjermani dhe Itali. Kështu u shpreh ministri i Turizmit Aldo Bumçi gjatë zhvillimit të Panairit të Turizmit në Berlin, ku Shqipëria u paraqit si ço vit me stendën e saj karshi 188 vendeve të botës dhe 10,086 ekspozuesve. Stenda shqiptare ishte e ndërtuar sipas një koncepti bashkëkohor, në të prezantuan ofertat e tyre rreth 14 operatorë turistikë vendas. Ministri Bumçi e cilësoi Gjermaninë si shtetin më të rëndësishëm në Europë dhe si eksportuesin më të madh të turistëve dhe Italinë si një vend fqinj ku jeton një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh. Një pikë e rëndësishme e prezantimit të Shqipërisë turistike, kishte të bënte me trashëgiminë shpirtërore, ku ministri Bumçi vuri theksin tek bashkëjetesa unike mes besimeve fetare. Interesi u përqendrua edhe tek infrastruktura rrugore, për të cilën ministri Bumçi shpjegoi se përmes investimeve të mëdha të kryera nga qeveria shqiptare, tashmë është shumë më e lehtë dhe komode për të mbërritur në bregdet dhe në desinacione të tjera turistike.
Ndërsa drejtoresha e AKT-së, znj. Brikena Arapaj tha se gjatë ditëve të panairit u pa interesim i gjerë për trashëgiminë tonë kulturore, për aventurën, për camping, rafting, ndryshe nga vitet e tjera, ku promocioni ka qenë i fokusuar vetëm në bregdetin shqiptar. “Kjo na bën të lumtur e të kënaqur, sepse AKT ka nisur moton e re të saj, Shqipëria vend turistik përgjatë gjithë vitit dhe kjo na ndihmon shumë në vazhdimin e promocionit tonë gjatë të gjitha stinëve”, tha ajo.
Maqedonia
Strategji të re për turizmin, ia paraqet shqiptarëve
Maqedonia duket se ka ndryshuar vizionin e saj për të tërhequr turistët dhe këtu përfshihen edhe ata shqiptarë. Gjuetia, peshkimi sportiv dhe turizmi malor do të jenë atraksionet kryesore me të cilat fqinji ynë synon të konkurrojë jo vetëm në tregun rajonal.
Zyra “Invest Macedonia” në Tiranë ka ftuar operatorët turistikë shqiptarë që të realizojnë një udhëtim disaditor për të njohur nga afër atraksionet që gjenden kryesisht në rajonin e Ohrit (Shën Naum, Parku Kombëtar Galicica, burimet e Biljanes), Mavrov (Parku Kombëtar, Lumi Radika, fshati Jance) dhe Shkup (rezervuari i gjuetisë Jasen, kanioni Matka). Sipas drejtuesit të zyrës ndërkombëtare “Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë”, Fatos Mustafa, operatorëve shqiptarë do t’iu jepet mundësia të zhvillojnë takime dhe të shkëmbejnë përvoja me ata të industrisë së turizmit në Maqedoni, me Shoqatën e Gjahtarëve dhe Peshkimit Sportiv, si dhe do të degustojnë shijet tradicionale të ushqimeve dhe pijeve vendase.
Vizita e operatorëve turistikë nga Shqipëria, në Maqedoni, e kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, synon të rrisë interesimin e pushuesve, si dhe të zgjerojë mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.