Shtetet e BRICS planifikojnë bankë të re për të shmangur Bankën Botërore dhe FMN
Tregjet më të mëdha në zhvillim janë të bashkuar për të luftuar paqëndrueshmërinë e monedhës dhe zhvillimin në potencial me planet për të ngritur institucione që shkelin mbi rolet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Udhëheqësit e vendeve të ashtuquajtura BRICS – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – janë të vendosur të miratojnë krijimin e një banke të re të zhvillimit gjatë një samiti vjetor në qytetin lindor të Afrikës së Jugut, Durban, thonë zyrtarët nga të gjitha pesë vendet. Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkimin e rezervave valutore të huaja, për të shmangur krizat në bilancin e pagesave apo të monedhës.
“Qëllimi real i BRICS është pothuajse me siguri krijimi i ri i një institucioni tip Bretton Woods, që janë të prirë drejt botës në zhvillim”, tha Davies Martyn, shefi ekzekutiv në Johanesburg i “Frontier Advisory”, që ofron hulumtime në tregjet në zhvillim, në një intervistë telefonike.
“Ka një zhvendosje të fuqisë nga vendet tradicionale në ato në zhvillim. Ka shumë shqetësime gjeopolitike rreth këtij ndryshimi në botën perëndimore”.
Vendet BRICS, të cilat kanë kombinuar rezervat e huaja valutore prej 4.4 miliardë dollarësh, që përbëjnë 43 për qind të popullsisë së botës, janë duke kërkuar të kenë ndikim më të madh në sektorin e financës globale, falë rritjes së fuqisë së tyre ekonomike. Ata kanë bërë thirrje për një rishikim të menaxhimit të Bankës Botërore dhe FMN-së, të cilat janë krijuar në Bretton Woods, New Hampshire, në vitin 1944, dhe kundërshtojnë praktikën e presidentëve të tyre përkatës që janë tërhequr nga SHBA dhe Europa.
Nevojiten reforma
“Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si biznesi prezantohet apo hyn në institucionet financiare ndërkombëtare”, tha ministri i Punëve të Jashtme i Afrikës së Jugut, Maite Nkoana-Mashabane në një fjalim më 15 mars në Johanesburg. “Ato kanë nevojë të reformohen”.
SHBA ka dështuar për të ratifikuar një marrëveshje në 2010-n për t’i dhënë më shumë fuqi tregjeve në zhvillim në FMN, ndërsa vendosi Jim Yong Kim, një amerikan, si kreun e Bankës Botërore vitin e kaluar mbi kandidatët nga Nigeria dhe Kolumbia.
Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore nga vendet e BRIC po takohen në Durban për të diskutuar fondin e bankës dhe të monedhave, me udhëheqësit që pritet të mbërrijnë më vonë.
Drejtori i menaxhimit të Aseteve në “Goldman Sachs”, Jim O’Neill, shpiku termin BRIC në vitin 2001 për të përshkruar katër fuqitë në zhvillim për të cilat ai vlerësonte se do të ishin të barabarta me SHBA-në në të ardhurat ekonomike në vitin 2020. Brazili, Rusia, India dhe Kina mbajtën takimin e tyre të parë katër vjet më parë dhe ftuan Afrikën e Jugut për t’u bashkuar me radhët e tyre në dhjetor 2010.
Tregtia brenda grupit u rrit në 282 miliardë dollarë vitin e kaluar nga 270 miliardë dollarë në vitin 2002 dhe mund të arrijë në 500 miliardë dollarë në vitin 2015, sipas të dhënave nga qeveria e Brazilit.
Mosmarrëveshje mbi financimin
“Nëse ata shpallin një bankë BRICS, ky është një sinjal për diçka”, tha O’Neill në një përgjigje me e-mail më 15 mars. “Minimalisht ajo simbolizon se ata mund të arrijnë diçka si grup politik dhe do të thotë se shumë gjëra të tjera mund të ndodhin në të ardhmen. Kjo gjithashtu do të thotë se ata do të kenë një lloj të tyre të veçantë të Bankës Botërore, e cila mund të ndihmojë infrastrukturën dhe projektet e tregtisë”.
Ndërsa udhëheqësit BRICS mund të miratojnë në parim krijimin e një banke të zhvillimit në samit, ka ende mosmarrëveshje për mënyrën se si ajo duhet të financohet dhe operohet.
Takimi mund të dështojë për të arritur një marrëveshje të detajuar se si do të financohet banka, tha Mikhail Margelov, i dërguari i presidentit Vladimir Putin në Afrikë. Rusia favorizon pagesën nga çdo anëtar të një kontributi fillestar prej 10 miliardë dollarësh.
Bashkimi valutor
“Do të duhet kohë para se kjo bankë ta ketë të mundur për të filluar financimin le të themi, të një projekti hekurudhor”, tha Simon Freemantle, një analist në “Standard Bank Group”, huadhënësi më i madh i Afrikës.
“Marrëveshja mbi bashkimin e rezervave të huaja valutore për të shmangur krizat është gjithashtu një mënyrë për t’u shmangur”, tha ministri afrikan i Tregtisë, Rob Davies.
Në tetor, ministri brazilian i Financave, Guido Mantega, tha se bashkimi do të modelohet mbi iniciativën Mai Chiang, e cila i jep Japonisë, Kinës, Koresë së Jugut dhe Azisë Juglindore dhe 10 shteteve aziatike qasje në 240 miliardë dollarë likuiditetit emergjent për të mbrojtur rajonin nga tronditjet globale financiare.
Normat e interesit pranë zeros në SHBA, Japoni dhe Europë kanë ushqyer oreksin e investitorëve të huaj aktivë me interes më të lartë, duke nxitur shtimin e valutave nga Brazili për në Turqi. Brazili ka paralajmëruar një luftë të monedhës globale në një kohë që kombet marrin masa reciproke për të dobësuar monedhat e tyre dhe për të mbrojtur industritë e eksportit.
Udhëheqësit afrikanë
Monedha kombëtare e Brazilit, reali, është rritur 2 për qind ndaj dollarit që nga fillimi i vitit, ndërsa rand-i i Afrikës së Jugut ka rënë 8.8 për qind gjatë kësaj periudhe.
Për Afrikën e Jugut, e cila përbën vetëm 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në BRICS, samiti është një mënyrë që të shfaqë rolin e tij si një portë e investimeve në Afrikë. Presidenti Jacob Zuma ka ftuar 15 krerë shtetesh afrikane, duke përfshirë Mursi Mohamed të Egjiptit dhe atë të Etiopisë, Desalegn Hailemariam, për bisedime me udhëheqësit e BRICS në samit. Për shumicën e liderëve BRICS, është edhe mundësia e parë për të takuar presidentin kinez, Xi Jinping, pas emërimit të tij më 17 mars.
“Ne do të diskutojmë mënyrat për të rigjallëruar rritjen globale dhe për të siguruar stabilitetin makroekonomik, si dhe mekanizmat dhe masat për nxitjen e investimeve në infrastrukturë dhe zhvillim të qëndrueshëm”, ka thënë kryeministri indian, Manmohan Singh në një deklaratë.