Të arredoni shtëpinë me elegancë do të thotë të përdorni një stil të personalizuar, me shije dhe ta bëni atë sa më komode për të jetuar. Këtë mund ta arrini edhe duke shpenzuar pak. Ne do t’ju sugjerojmë disa mënyra se si mund t’ia dilni mbanë
Duke qenë në modë
Për t’i dhënë rëndësinë e duhur arredimit dhe hapësirave nuk nevojiten shumë objekte, por të kombinohen disa elementë të vyer, të dihet sesi të luhet me format dhe ngjyrat. Rregulli i parë është që të vendosen dhe të pozicionohen me shije mobiliet. Idetë të jenë të qarta në atë që synohet të arrihet, duke ndjekur një stil të saktë për çdo zonë të shtëpisë.
Në këtë mënyrë do të dini me saktësi se çfarë duhet të blini dhe se çfarë karakteristikash duhet të ketë çdo element që do të përdorni. Mund të mënjanoni blerjen e objekteve të panevojshme dhe pa vend, kjo jo vetëm do të përkthehet në kursim, por edhe do të shmangë zënien e hapësirave në shtëpi. Për të gjithë ata që janë të pasionuar pas dizajnit është shumë e rëndësishme që të jenë të azhurnuar mbi modën dhe të rejat e momentit. Përpiquni të ndiqni në internet gazetat e specializuara, eventet që zhvillohen, produktet inovative në treg. Mund të merrni informacion edhe për panairet e ndryshme që zhvillohen, pasi janë një mënyrë e mirë për të gjetur mobilie me çmime të arsyeshme. Sigurisht nuk mungojnë edhe qendrat tregtare dhe ato outlet, ku mund të gjeni mundësi pafund zgjedhjesh,
të cilat mund ta bëjnë dekorimin interesant. Mund të blini edhe produkte të kushtueshme, por që sigurojnë kursim, por që ndoshta mund të jenë në përfundim të serisë. Në çdo rast, mos përjashtoni edhe blerjet në internet, por duhet të kontrolloni tarifat e transportit për objektet me përmasa të vogla. Nga ana tjetër, në internet mund të gjeni lehtë oferta apo shitje të minutës së fundit që ndonjëherë u dedikohen edhe klientëve të rinj.
Për të gjetur objekte interesante arredimi duhet të gjeni në vendet e duhura dhe që ju përshtaten. Nëse shtëpia juaj është e arreduar me stil klasik, atëherë hidhini një sy edhe tregut të mobilieve të përdorura apo që shesin objekte të vjetra. Do të gjeni mobilie origjinale, me çmime unike, madje më të ulëta se vlera që kishin ato në fillim.
Mund të jetë e nevojshme që në disa raste të bëhen edhe restaurime, por efekti final do të jetë sigurisht diçka elegante dhe e rafinuar. Megjithatë nuk duhet harruar fakti se stili i arredimit mund të jetë i personalizuar dhe të përmbushë nevojat e një jetese komode. Nëse jeni një tip kreativ, mund të realizoni objektet që dëshironi edhe me ndihmën e mobilieve të vjetra, duke iu dhënë atyre një destinacion të ri përdorimi.
Duke shpenzuar pak
Arredimi dhe dekorimi janë “kartëvizita” më e rëndësishme për shtëpinë tuaj. Të ndryshosh hapësirat në mënyrë periodike, me disa lëvizje të thjeshta është një mënyrë për t’i dhënë shtëpisë një stil ndryshe, më të freskët, por edhe për ta bërë më komode si për ne ashtu edhe për miqtë.
Ja se si mund ta rinovoni shtëpinë tuaj me pak kosto, por duke marrë rezultatet më të mira.
Arredimi i shtëpisë sipas shijeve personale është shumë i rëndësishëm për ta bërë atë moderne, por edhe të këndshme për t’u jetuar. Nuk është e nevojshme që të shpenzoni shuma të mëdha. Studioni mirë dhomat, shikoni se për çfarë mund të kenë nevojë ato për t’i dhënë më shumë jetë.
Në fillim bëni një listë të atyre gjërave që dëshironi të ndryshoni, si korniza, zbukurimet etj. Më pas pastroni sa më mirë sipërfaqet e mobilieve. Mund të ndryshoni ngjyrën e mureve. Ky është hapi i parë që ndërmerret në këtë rast. Do t’i japë dhomave një pamje krejtësisht të re. Në varësi të preferencave, por edhe ndriçimit, ngjyrat duhet të jenë të lehta ose të errëta. Por kështu, edhe perdet. Ato i japin ndriçim ambientit dhe e ndryshojnë sa hap e mbyll sytë. Eksperimentoni edhe me fotografi ose posterë në mure.
Rishikoni hapësirat. Shtoni ndarëse ose korniza të thjeshta. Provoni ato që janë bërë me letër orizi, krijon efekte speciale ndriçimi.
Nëse nuk dëshironi që të zëvendësoni mobiliet, atëherë thjesht ndryshoni pozicionin e tyre. Krijoni ambiente të ndryshme, rrotulloni dollapët, divanet apo vitrinat, gjithmonë nëse është e mundur. Mund të përfitoni një ndriçim tjetër, nëse zëvendësoni llambat apo abazhurët, ndoshta duke iu ndryshuar në të kundërt ngjyrat. Përpiquni që të përthithni sa më shumë rreze dielli. Eliminoni perdet e errëta e të rënda. Mos vendosni objekte përpara dritareve. Hiqini objektet e tepërta dhe krijoni më shumë hapësira për t’u dhënë dhomave efekt minimalist.
Dekorimit mund t’i bëni modifikime të ndryshme në mënyrë që shtëpia të marrë pamje të re. Ndryshoni jastëkët, pikturat, objektet mbi komodina etj., në dhoma të ndryshme.
Mos e mbingarkoni mjedisin, fokusohuni që në të të ketë pak objekte, por të jenë cilësorë, ndoshta ndonjë produkt dizajni që i jep diçka të re dhomës, e bën më të veçantë. Kërkoni për to në outlet, në mënyrë që të kurseni.
Nëse shtëpia juaj ka stil më shumë klasik ose retro atëherë fokusohuni te mobiliet antike. Ka dyqane të specializuara që shesin mobilie të restauruara ose të ripikturuara ose që i marrin të vjetra dhe i rimodelojnë.
Divanet, krevatet, jastëkët, perdet dhe tavolina mund të rinovohen thjesht, duke ndryshuar mbulesën, ndërsa mund të ruani të njëjtë strukturën.
Sugjerim
Rishikoni hapësirat. Shtoni ndarëse ose korniza të thjeshta. Provoni ato që janë bërë me letër orizi, krijon efekte speciale ndriçimi.
Stili i shtëpisë suaj në pranverë
Pranvera është stina që zakonisht frymëzon për ndryshimin e ngjyrave dhe gjallërisë dhe kjo nuk vlen vetëm për ne, por edhe për mjedisin që na rrethon, që mund të jetë shtëpia, zyra etj. Është një nevojë e pashmangshme për t’i dhënë çdo gjëje një frymëmarrje të re.
Mund t’i freskoni dhomat tuaja, falë disa këshillave të tipit “bëje vet” ose “bricolage”, kështu do të kurseni dhe do të buzëqeshni, duke sjellë pozitivitet brenda mureve të dhomave.
Niseni nga muret. Zgjidhni ngjyrën që ju pëlqen dhe lyejini muret, lëreni të lirë sensin tuaj të krijimtarisë. Duhet të mbani parasysh faktin se tonet e lehta japin më shumë ndriçim dhe krijojnë idenë e një dhome më të madhe. Nëse ju pëlqejnë muret e bardha, por dëshironi që t’i ndryshoni, atëherë vizatoni diçka ose ngjyrosni me një ngjyrë tjetër konturet e dhomës, do të përftoni një dekorim origjinal dhe me kosto të ulët.
Çfarë ju nevojitet:
Pëlhura, letër muri, bojë, bimë dhe lule të ndryshme
Mobiliet e vjetra mund t’i transformoni falë procesit krijues të riciklimit. Lyejeni me një tonalitet tjetër ngjyre dhe zbukurojeni me objekte që japin idenë e një tematike. Luani me efektin e së vjetrës dhe modernes. Në këtë mënyrë, mund të ndërtoni një kthinë të vogël dhe të këndshme për të varur veshje të ndryshme. Mund t’i ktheni objektet e vjetra në “cult”, duke përdorur pak fantazi. Për shembull: ripikturoni vazon e preferuar ose mbulojeni me ndonjë copë dhe mbusheni me lule të freskëta. Në këtë mënyrë do të krijoni një kënd të gjelbër. Mund të shtoni edhe vazo të tjera me lule ose në ballkon mund të krijoni një “kopsht” të vogël për t’i rritur.
Nëse keni objekte që nuk po ju gjeni vendin, varini në mur. Personalizojini me korniza. Mund të varni syzet, çelësat etj. Hiqni çdo gjë që është e panevojshme. Do të kurseni kohë.
Kolltuku juaj i preferuar është vjetruar, atëherë ndryshojini veshjen. Blini një me më shumë ngjyra. Nëse preferoni mjediset “metalike” dhe arredimin bashkëkohor, atëherë varni në tavane pishtarë për më shumë efekt. Mund ta plotësoni arredimin me objekte me ngjyra të ftohta, por nëse dëshironi që ta ngrohni mjedisin, atëherë luani me kontrastet e forta, materialet antike dhe ngjyrat mes portokallisë dhe asaj vjollcë.
Por, nëse ju tërheq stili etnik, atëherë luani me ornamentet me tematikë. Personalizoni llambën tuaj të murit me shumë gjethe ose ndoshta me fraza poezish ose mesazhesh.
Dhoma e gjumit duhet të ketë ngjyra të ngrohta. Në të mund të vendosni letër muri. Nuk duhet të mungojnë revistat, pikturat, fotografitë etj.
Me pak fjalë krijoni brenda mjedisit tuaj ku banoni një pazëll ngjyrash dhe sfumaturash. Vini në punë fantazinë dhe krijimtarinë, por shikoni edhe tendencat. Do të keni në pak kohë dhe me kosto të ulët një shtëpi tërësisht të re.