Ecuria e eksporteve të tekstileve e këpucëve 2005-2012
Eksportet e tekstileve e këpucëve shënuan një performancë negative gjatë vitit 2012, duke rënë përkatësisht me 4.2% dhe 2% me bazë vjetore.
Rënia e eksporteve të tekstileve erdhi kryesisht si rrjedhojë e tkurrjes së shitjeve në Itali dhe Greqi, me përkatësisht 3% dhe 28%, ndërkohë që u zgjeruan me ritme të lehta tregjet në Gjermani dhe Francë (përkatësisht 4% dhe 245). Pas disa viteve mungese rikthehet sërish tregu çek, që u rendit partneri i pestë tregtar porsa i përket eksporteve të tekstileve, me një 20- fishim në raport me një vit më parë.
Ndërsa ecuria negative e eksporteve të këpucëve erdhi kryesisht nga Gjermania, shitjet drejt të cilës ranë me 77%, ndërkohë që tregu drejt Italisë u rrit me rreth 1.3%.
Në vite, pesha e eksporteve të tekstileve e këpucëve në totalin e eksporteve ka rënë, nga 58% në vitin 2005, në 29% në 2012-n. Rritja e shpejtë e eksporteve e eksporteve të mineraleve lëndëve djegëse e energjisë i ka zhvendosur tekstilet e këpucët në grupmallin e dytë më të rëndësishëm në vend për shitjet në tregjet e huaja.
Në vite, ndërmarrjet e tekstileve rezultojnë se kanë bërë hapa prapa, porsa i përket diversifikimit të tregjeve, duke u varur kryesisht nga Italia. Në vitin 2012, eksportet e tekstileve drejt Italisë zinin 82% të totalit, nga 72.3% që ishte kjo peshë shtatë vjet më parë. Humbjen e tregut grek, si rrjedhojë e krizës që po kalon shteti fqinjë, kompanitë shqiptare të tekstileve kanë arritur ta zëvendësojnë kryesisht me Italinë. Kjo situatë i bën ata tepër të brishtë, pasi një krizë në Itali do t’i godiste rëndë ata. Mosarritja e ciklit të plotë të prodhimit është handikapi kryesor që pengon diversifikimin e tregjeve përtej Italisë.
Ndryshe nga tekstilet, eksportuesit e këpucëve kanë arritur të bëjnë hapa para në diversifikimin e tregjeve. Nga gati 100% të shitjeve që zinte Italia në vitin 2005, sot ky shtet zë 90%, ndërkohë që eksportuesit po zgjerohen në tregje të tjera si Spanja, Gjermania e deri te Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, sërish kompanitë eksportuese të këpucëve vazhdojnë të varen nga tregu italian.
Burimi: INSTAT