Ecuria e importeve, Janar-prill 2013
Importet kanë shfaqur tendencë rënëse në katër muajt e parë të vitit, duke vijuar për të dytin vit radhazi tendencën negative, një tregues i qartë i rënies së investimeve në ekonomi, me blerjet e makinerive, pajisjeve e materialeve të ndërtimit, që po vazhdojnë të tkurren.
Sipas INSTAT, importet janë tkurrur me 7.3% me bazë vjetore për periudhën janar-prill në 147 miliardë lekë. Megjithatë ritmet e rënies janë ngadalësuar, teksa për periudhën janar-mars ato ishin reduktuar me 11%, teksa në prill u shfaq një gjallërim i lehtë i importeve.
Ndikimin kryesor në tendencën negative katër mujore e ka dhënë ulja e ndjeshme e zërit minerale lëndë djegëse dhe energji, që është tkurrur me 27% me bazë vjetore, në gati 26 miliardë lekë, duke zbritur në grupmallin e tretë më të madh të importuar, nga vendi i parë që zinte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Por, ndërsa rënia e këtij zëri lidhet dhe me reduktimin e importeve të energjisë, për shkak të situatës së favorshme hidrike në vend, tkurrja e importeve të grupmallit “pije, ushqime dhe duhan” është një tregues direkt i faktit që shqiptarët kanë filluar të kursejnë dhe për produkte jetësore, ndërkohë që produktet vendase i munguan tregut në të njëjtën periudhë, për shkak të efektit sezonal dhe shirave që nuk mundësuan daljen në treg të produkteve vendase. Ky zë ra rënë me 4% me bazë vjetore në 28 miliardë lekë për katër muajt e parë të këtij viti, duke zënë vendin e dytë për nga vlera e grupmallrave të importuara.
Në një tregues se sektori i ndërtimin vijon tkurrjen e tij, edhe importet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë më 6.9% në 17.5 mld lekë, duke thelluar ritmet e rënies edhe në prill, ndryshe nga dy grupmallrat e mësipërm, që e morën veten në muajin e katërt të vitit.
Edhe importet e makineri e pajisje këmbimi u tkurrën me 7.9%, në 27.4 miliardë lekë, një tjetër indikator ky i rënieve të investimeve në ekonomi. Gjithsesi, prilli shënoi një kthesë të lehtë, duke ngadalësuar ritmet e rënies për katërmujorin.
Sipas të dhënave të INSTAT, importet nga shteti grek kanë rënë me gati 20% me bazë vjetore për periudhën janar-prill 2013, duke zbritur në 14.5 miliardë lekë. Por, pavarësisht rënies, Greqia vijon të mbetet partneri i dytë i Shqipërisë porsa i përket importeve, pas Italisë, por pesha e tij ka zbritur në 10% të totalit, nga rreth 11.5% që ishte në katërmujorin e një viti më parë.
Në rënie kanë qenë dhe importet nga Gjermania dhe Zvicra, përkatësisht me 13% dhe 77%.
Italia mbetet destinacioni kryesor për blerjet e tregtareve, me 35% të totalit, duke shënuar një tendencë pozitive dhe në katërt muajt e parë të vitit. Importet nga ky shtet u rritën me 10% në 51 miliardë lekë.
Burimi: INSTAT