Guida e një vere
Padyshim, nuk është ndër sezonet më të mira që ka kaluar turizmi shqiptar. Shumë faktorë ndikuan në rënien e flukseve dhe të shpenzimeve. Aktorët e industrisë janë të pritje të asaj se çfarë të rejash do të sjellë politika. Të huajt janë treguar më dashamirës me brigjet shqiptare, ndërsa vetë shqiptarët, pa hequr dorë krejtësisht, kanë pushuar më pak
Nga Elona Bedalli
Turizmi, këtë sezon, ka qenë si moti, kapriçoz, herë si i nxehti afrikan e herë me shi. Numri i turistëve, edhe pse zyrtarisht deklarohet në rritje, nuk përputhet edhe aq me perceptimin që kanë operatorët turistikë, ku për disa nuk ka ndryshuar asgjë me një vit më parë e për të tjerë, është më keq. Lajmi i mirë është se të huajt kanë shtuar interesin për këtë vend, që e quajnë “misteri i fundit” i Mesdheut. E në fakt, agjencitë që merren me ardhjen e tyre thonë se interesi i të huajve, veçanërisht atyre që janë të pasionuar pas aventurës, është në rritje.
Tendenca tregon se kjo mund të kthehet në një pikë të fortë për industrinë shqiptare të turizmit, e cila duhet të përballet me konkurrencën e fortë që i vjen nga të gjithë fqinjët, veçanërisht në këtë kohë krize. Infrastruktura e përmirësuar, çmimet, jo edhe aq të larta, si dhe larmishmëria e natyrës janë disa nga pikat e forta që po e ndihmojnë turizmin që të marrë disi frymë. Nga ana tjetër, të huajt janë në kërkim të vendeve të panjohura, të plazheve sekrete, të gjireve të fshehura dhe të pandotura nga dora e njeriut.
Në fundjavë janë qytetet historike dhe kulturore ato që marrin vëmendjen kryesore: Butrinti, Gjirokastra e Berati si pasuri botërore, por edhe Kruja me Muzeun e Heroit Kombëtar Skënderbeu dhe Apolonia.
Të shumtë kanë qenë edhe ata turistë të huaj që, siç tregojnë drejtuesit e agjencive turistike, gjatë pushimeve në Greqi apo Mal të Zi kanë preferuar të vizitojnë edhe Shqipërinë. Vijnë më së shumti nga pjesa veriore e Europës, por edhe nga vendet e ish-bllokut komunist me të cilët na lidh një e shkuar e ngjashme. Edhe për aziatikët, veçanërisht kinezët, vendi ynë shihet si një destinacion që ngjall kërshëri.
Në vitet e fundit, turizmi shqiptar ka shkuar disi përtej atij që konsiderohet “patriotik”. Agjencitë turistike serbe, gjithashtu, e kanë bërë pjesë të paketave të tyre Shqipërinë. Shqiptarët e Maqedonisë po zbulojnë edhe plazhet më “hot” të Jugut, si Himarën, Dhërmiun, Lukovën, tendencë e cila nuk ka qenë dy vite më parë, ku më së shumti i gjeje të stacionuar në Durrës. Edhe vetë shqiptarët i janë kthyer eksplorimit të vendeve të pashkelura, duke i lënë pas plazhet e superpopulluara ku mezi lëvizet. Nga ana tjetër, edhe kriza ekonomike ka ndihmuar, recesioni në disa vende ka ndikuar në ofrimin drejt destinacioneve me kosto të ulët, sikundër vlerësohet të jetë nga të huajt edhe Shqipëria.
Edhe zhvillimet e fundit në Ballkan kanë ndikuar në orientimin e turistëve, si për shembull çështja e emrit të Maqedonisë që i ka bërë këta të fundit të braktisin deri diku Greqinë dhe t’i afrohen Shqipërisë. Por, kureshtja për të eksploruar Shqipërinë nuk ka qenë natyrisht meritë e promocionit, që lë për të dëshiruar. Mediat e huaja kanë bërë më shumë sesa vetë shteti shqiptar për reklamimin e vendit si destinacion turistik. Turizmi, edhe pse shumë herë është konsideruar si prioritar, nuk është bërë i tillë. Në vend, edhe pse janë bërë përpjekje, mungojnë qendrat e informimit turistik, të gjitha strukturat menaxhohen nga sektori privat, jashtë çdo plani urbanistik dhe duke mos iu përmbajtur politikave të zhvillimit. Kjo ka bërë që shpesh turistët, veçanërisht të huajt, të ankohen për numrin e madh të diskotekave që janë hapur dhe që luajnë muzikë me zë shumë të lartë, ose për mungesën e mjediseve argëtuese në hotele, që shpesh deklarohen si me katër apo pesë yje.
Turizmit gjatë viteve të fundit i ka dhënë “një dorë” edhe heqja e vizave periodike me Rusinë, si një kontingjent i interesuar për të vizituar dhe investuar në Shqipëri. Ata mbërrijnë nga pikat kufitare me Malin e Zi, ndërsa nuk mungojnë edhe rastet kur qytetarë rusë kanë blerë prona në veri të vendit tonë. Përpos të gjithave, izolimi afatgjatë i vendit ka bërë që ndërtimi i kulturës turistike të vonojë më shumë nga ç’duhet. Sipas vlerësimeve të organizatave botërore, vendi shumë shpejt do të mund të ketë një industri turistike të qëndrueshme, falë potencialit që ka.
Brenda…
Sezoni turistik ka mbërritur në gjysmën e rrugëtimit të tij. Në Shqipëri, tradicionalisht ai fillon në muajin maj dhe përfundon në fund të tetorit, kohë të në cilën përpunohet rreth 90% e shkëmbimeve turistike vjetore. Çfarë vjen më pas janë shifra që nuk ndikojnë fort te të ardhurat e kësaj industrie.
Gjithnjë e më shumë turistët po bëhen kërkues, më të sofistikuar në kërkesat e tyre, janë me përvojë, nuk mjaftohen më lehtë vetëm me pushime pasive në det pranë rërës dhe plazhit, por duan një paketë me një mori përvojash të larmishme dhe një sërë aktivitetesh për të mbushur ditët e tyre të pushimeve. Një ditë në plazh, një vizitë në një park arkeologjik, në mbrëmje një koncert, të nesërmen një shkëputje për një shëtitje në një park tërheqës natyror, një vizitë në muze etj. Një varietet përvojash të reja dhe intriguese, si vlerë e shtuar ndaj pushimeve tradicionale në bregdet, është ajo çfarë po kërkojnë gjithnjë e më shumë turistët sot në botë. Destinacione të suksesshme turistike janë ato që ofrojnë sa më shumë, në një hark kohor dhe distancë sa më të shkurtër nga njëri-tjetri, gjë që Shqipëria i ofron më së miri. E në fakt është pikërisht kjo larmishmëri që tërheq edhe turistët e huaj për të ardhur në Shqipëri. Drejtuesi i agjencisë “Outdoor Albania”, Gent Mati, thotë se numri i të huajve që kanë zgjedhur për të ardhur në vendin tonë është në rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesa më e madhe e turistëve, – thotë Mati, – vijnë nga Europa Perëndimore, atyre iu pëlqen të ecin në shtigje të ndryshme dhe natyra. Edhe mbajtja e çmimeve të pandryshuara është një strategji që agjencitë po e përdorin për t’i risjellë ata. Ndërsa një tjetër agjenci duket se e ka përqendruar strategjinë e saj te fuqia që ka media sociale dhe bota virtuale. Kliton Gërxhani, drejtori i agjencisë “Albania Holiday” thotë se së fundmi, kanë hedhur online portalin “balkan-hotel.com”, që ofron jo vetëm rezervime hotelesh për rajonin, por edhe promovimin e tij si destinacion turistik.
“Jemi duke punuar për të përmirësuar faqet tona online dhe së shpejti do të shtojmë një faqe të re për promovimin e Tiranës. Në lidhje me ecurinë e deritanishme të turizmit, z. Gërxhani thotë se nuk ka qenë edhe aq e mirë, për shkak të zgjedhjeve që u zhvilluan në qershor, situatës jo të sigurt politike, motit shpesh të paqëndrueshëm dhe muajit të Ramazanit.
“Si rrjedhim nuk mund të themi se ky vit nuk ishte më i mirë se ai i kaluari, përveç disa investimeve infrastrukturore, veçanërisht tuneli që lidh Tiranën me Elbasanin dhe me pjesën lindore, që tani ka shkurtuar distancat dhe e ka bërë udhëtimin më komod”, thotë z. Gërxhani. Në lidhje me ardhjen e turistëve të huaj, ai thotë se është konstatuar rritje e lehtë, megjithëse kjo nuk ndikon në peshën totale, si dhe të të ardhurave. Dominojnë turistët nga Europa Perëndimore, kryesisht Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania, Skandinavia dhe më pak Amerika Veriore dhe Japonia. Në pjesën më të madhe janë turistë të kulturës dhe natyrës. Vizitojnë sitet e UNESCO-s, si Beratin, Gjirokastrën e në mënyrë të veçantë Butrintin, por edhe rivierën shqiptare.
“Ne ofrojmë ture kulturore të Shqipërisë për rreth 1 javë, por edhe të Ballkanit për 12-14 ditë. Kemi ture njohëse me bazë kulturën e këtyre vendeve, por edhe natyrën, me tematikë”, thotë drejtuesi i “Albania Holiday”.
Sa i përket turizmit të biznesit, z. Gërxhani thotë se është në hapat e para dhe Tirana ka shumë potencial, ndërsa shpresohet që të mbërrijnë edhe marka të tjerë hotelesh.
Deri në fund të këtij sezoni, shpresohet të ketë një rritje të turistëve të plazhit, që ka nisur pas muajit të Ramazanit, gjë që tregon se turizmi shqiptar është i varur shumë nga tregu shqipfolës, kryesisht ai i Kosovës.
“Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, rrethohet nga shqiptarë, si ata të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi që së bashku me shqiptarët që jetojnë jashtë përbëjnë një treg të ‘garantuar’ për industrinë, por sidoqoftë ky treg ka nevojë për shërbimet dhe produktet e duhura, në mënyrë që t’i mbajmë ata këtu”, thotë z. Gërxhani. Sipas tij, qeveria dhe Ministria e re e Turizmit ka shumë punë për të bërë për rregullimin e ambientit ku operojnë bizneset e turizmit, kuadrin ligjor, promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik etj. “Sektori ynë i akomodimit, në pjesën më të madhe, përbëhet nga hotele të vogla, rreth 80% e tyre kanë më pak se 20 dhoma, gjë që përbën pengesë nëse parashikohet rritje e fluksit të turizmit me fluturime charter dhe tur-operatorë të mëdhenj. Ne kemi rreth 400 kilometra vijë bregdetare, e cila në masën 70-80% është e paprekur”.
Orientimi
Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, rrethohet nga shqiptarë, si ata të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi që së bashku me shqiptarët që jetojnë jashtë, përbëjnë një treg të “garantuar” për industrinë, por sidoqoftë ky treg ka nevojë për shërbimet dhe produktet e duhura, në mënyrë që t’i mbajmë ata këtu”
Jashtë….
Turizëm do të thotë të udhëtosh pa një qëllim në vetvete. Në kohët më të vjetra, udhëtarët gjithmonë kishin një mision: pelegrinët kërkonin shpëtim, pushtuesit toka të reja, por gjithçka ndryshoi në shekullin e 18, kur njerëzit nisën të udhëtonin për qejf. Atëherë ai ishte një luks që mund të shijohej nga shumë pak njerëz. Rreth 1% e popullsisë në botë mund të udhëtonte në vitin 1800. Ky numër ndryshoi shpejt. Ai që kapitalizoi tregun e turizmit ishte padyshim Thomas Cook, i cili në vitin 1841, zhvilloi konceptin e paketave turistike. Për këtë ai u ndihmua nga një shpikje që revolucionarizoi jo pak transportin, bëhet fjalë për hekurudhën. Cook, përmes hekurudhës, dërgoi turma turistësh drejt aventurës. Tur-operatori mund të rezervonte udhëtime me tren, por edhe hotele, oferta me çmime të “pathyeshme”. Cook nuk ishte shpikësi i paketave të turizmit, por ishte një organizator i shkëlqyer. Ai nuk ndaloi aty, tureve iu shtoi detaje të kuruara në mënyrë që turistët të relaksoheshin sa më shumë.
E në fakt, kjo qëndron edhe në ditët e sotme. Madje është pikërisht “relaksi” dhe hedhja tutje e kokëçarjeve që i bën shqiptarët që duan të kalojnë pushimet jashtë të zgjedhin resortet e Turqisë apo edhe ato të Greqisë me sisteme “ultra all inclusive” apo “all inclusive”. Dhe në fakt janë pikërisht këto dy vende që qëndrojnë në majën e prenotimeve edhe për këtë sezon. Disa agjenci vënë në krye Turqinë e disa të tjera Greqinë. Sava Bardhi, drejtuese e agjencisë “Sava tours”, thotë se Turqia do të jetë përgjithmonë një nga destinacionet më të dashur për shqiptarët. Brenda një resorti gjen gjithçka dhe të duket sikur ke shkuar me pushime me “duar në xhepa” dhe për më tepër janë të tjerët që mendojnë për ty, ti vetëm duhet të relaksohesh sa më shumë, por mbi të gjitha, të rikthehesh.
Pas Turqisë, ndër preferencat e shqiptarëve për këtë sezon renditet Greqia, Spanja dhe Italia. Por, pavarësisht kësaj, ecuria e prenotimeve nuk është më si dikur.
“Ecuria ka qenë relativisht e mirë, por duke filluar nga fundi i korrikut e në vazhdim, sepse periudha e zgjedhjeve ndikoi negativisht, duke e ulur numrin e prenotimeve deri në 30% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Dhe sigurisht njerëzit kanë shkurtuar kohën e pushimit, duke e çuar në mesatarisht 6 deri në 8 ditë”, thotë znj. Bardhi. Ajo thotë se në shtator do të rikthehet tendenca në rënie, si pasojë e krijimit të qeverisë së re, pasi pjesa më e madhe e klientelës punon në administratën shtetërore.
Ndërsa Besnik Vathi, drejtues i agjencisë ATHS, thotë se ecuria e prenotimeve gjatë këtij sezoni nuk ka pasur ndonjë ndryshim nga ajo e një viti më parë, duke ndjekur një vijë të njëtrajtshme ecurie. Ai rendit Greqinë si destinacionin kryesor, për faktin se është afër, nuk ka kosto të larta në transport dhe se paketat kanë çmime më të ulëta nga sa mund të llogaritet kostoja e pushimeve në Shqipëri. Korfuzi dhe Kalkidhikia janë dy destinacionet kryesore ku shqiptarët pushojnë në Greqi. Ndërsa për Turqinë, destinacioni kryesor mbetet Antalia. Sa i përket rajonit, kërkesa nuk ka pësuar ndonjë luhatje të madhe.
Edhe drejtuesit e agjencisë “Globus” konfirmojnë të njëjtat tendenca për preferencat e shqiptarëve që shkojnë të pushojnë jashtë vendit, por pa lënë pa përmendur edhe vendet ekzotike
(për një kategori të caktuar personash) si Maldivet apo Karaibet. Pothuajse të gjithë drejtuesit e agjencive turistike ndajnë mendimin se paketat më të kërkuara janë ato me 7 net qëndrimi, si rezultat i ndikimit nga kriza ekonomike. Nuk hiqet dorë nga pushimet, por ato janë më ekonomike dhe me më pak afat qëndrimi. Vitin e kaluar, paketat turistike përfshinin qëndrime që mesatarisht shkonin në 11 ditë, ndërsa shpenzimet për një çift llogariteshin nga 1,000-2,000 euro.
Shifra
900 është afërsisht numri i hoteleve në Shqipëri
400 prej tyre mund të gjenden online
192 mund të prenotohen me booking, ku rreth 80% kanë standarde
20-30 dhoma kapaciteti mesatar