Anketa e nivelit të varfwrisë, 2012
Si pasojë e krizës globale financiare dhe situatës së përgjithshme makroekonomike lidhur me normat e ulëta të rritjes që nga viti 2008, varfëria në Shqipëri është rritur, njoftoi INSTAT, në anketën e fundit të nivelit të varfërisë.
Pjesa e popullsisë konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4.891 Lekë (me çmimet e vitit 2002), u rrit nga 12.4% në 2008 në 14.3% në vitin 2012. Në vitet e mëparshme, varfëria ka rënë nga 25.4% në 2002 në 18.5% në vitin 2005 dhe 12.4% në vitin 2008. Kjo do të thotë se rreth 28.896 individë në shtesë të 373,137 individëve të varfër në vitin 2008 kanë rënë në varfëri. Popullsia ekstremisht e varfër, e përcaktuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është rritur nga 1.2% në vitin 2008 në 2.2% në vitin 2012. Varfëria ekstreme kishte rënë nga 4.7% në vitin 2002 në 3.5% në 2005 në 1.2% në vitin 2008. Në vitin 2012, varfëria ekstreme është rritur si në zonat urbane 2.2% ashtu dhe në ato rurale 2.3%.
Treguesit e tjerë të varfërisë kanë pësuar gjithashtu rritje nga viti 2008. Dy tregues të tjerë alternativë, përveç shkallës së varfërisë (përqindja e të varfërve), janë hendeku i varfërisë dhe ashpërsia e varfërisë. Hendeku i varfërisë (nganjëherë referuar si thellësi e varfërisë) tregon se sa larg janë familjet nga linja e varfërisë. Ky tregues përftohet nga raporti i shumës së diferencave të konsumit të të varfërve nga linja e varfërisë për të gjithë të varfërit ndaj totalit të popullsisë, duke e shprehur atë si përqindje të linjës të varfërisë. Pra, një hendek varfërie prej 2 për qind do të thotë se shuma e përgjithshme që do t’u duhej të varfërve për të arritur nivelin e linjës së varfërisë është e barabartë me popullsinë shumëzuar me 2 përqind të linjës së varfërisë. Avantazhi kryesor i hendekut të varfërisë është se kontributi individual i një të varfëri në varfërinë e përgjithshme është më i madh sa më i varfër është individi. Treguesi i dytë alternativ është ashpërsia e varfërisë, përparësia kryesore e të cilit është ndjeshmëria e tij ndaj pabarazisë midis të varfërve. Ashpërsia e varfërisë merr parasysh jo vetëm distancën e të varfërve nga linja e varfërisë por edhe pabarazinë midis të varfërve. Kështu, të varfërit që janë më larg linjës së varfërisë kanë një peshë më të madhe. Hendeku i varfërisë është rritur nga 2.3% në 2008 në 2.9% në vitin 2012.
Rritja e varfërisë është shoqëruar me rritje të varfërisë rajonale. Ndryshimet në normat e varfërisë midis rajoneve të përcaktuara si 4 strata1, janë rritur në krahasim me vitin 2008, me përjashtim të zonave të rajonit Malor. Ndryshe nga viti 2008 ku zonat malore ishin të vetmet me një rritje të lehtë në varfëri, në vitin 2012, janë zonat Malore ato që kanë pasur uljen e varfërisë. Në këto zona, varfëria është ulur nga 26.6% në 2008 në 15.3% në vitin 2012. Megjithatë, kjo ulje mund të jetë si pasojë e lëvizjeve të popullsisë dhe vazhdimi i lëvizjeve nga zonat Malore drejt rajoneve të tjera. Rrjedhimisht, rajonet e tjera mund të ndajnë barrën e këtyre lëvizjeve, gjë që mund të jetë ndër arsyet që sjellin si pasojë një rritje në përgjithësi të varfërisë. Për shembull, në zonat Bregdetare, të cilat kanë rritjen më të madhe në varfëri, 17.6% e popullsisë është e varfër në krahasim me 13% në vitin 2008. Tirana ka përjetuar një rritje të konsiderueshme në varfëri. Krahasuar me vitin 2008, përqindja e popullsisë që konsiderohet si e varfër ka shkuar nga 8.7% në 2008 në 12.6% në vitin 2012. Zonat qëndrore kanë mbetur përgjithësisht në një situatë të ngjashme.
Burimi: INSTAT