Petromanas dhe Shell:Pozitiv, testi i pusit të naftës Shpirag 2
Petromanas Energy Inc. dhe Royal Dutch Shell plc kanë shpallur rezultatet pozitive të testimit të pusit Shpirag 2 në Blloqet 2-3 në tokë Shqipëri.
Operacionet e testimit filluan në mes të tetorit. Pas stimulimit me acid, Petromanas zhvilloi një testim të zgjatur treditor.
Gjatë testimit të zgjatur, në pusin Shpirag 2 pati ardhje nafte me debite 800 deri në 1,300 barela në ditë, me densitet 35 deri në 37 gradë API dhe 2 deri në 5 mmcfd gaz në ditë.
“Këto janë rezultate bindëse nga një pus i cili, për shkak të vështirësive të hasura gjatë shpimit, nuk ka trungun optimal drejt rezervuarit të naftës”, u shpreh z. Glenn McNamara, CEO i Petromanas.
“Rezultatet e pusit Shpirag 2 janë inkurajuese dhe mbështesin potencialin për naftëmbajtje në Shqipëri”, tha Z. Edwin Verdonk, zëvendëspresident i Shell për kërkimin në Europë. “Ne presim vlerësimin gjatë vitit të ardhshëm në mënyrë që të kemi një kuptim të plotë të aftësive prodhuese të këtij rezervuari”.
Pusi Shpirag 2 u shpua deri në një thellësi prej 5,553 metrash.
Petromanas ka 25% interesa në Blloqet 2-3 dhe është operatori i këtyre blloqeve. Shell ka pjesën e mbetur të interesave prej 75%.
Petromanas Energy Inc. është një kompani ndërkombëtare nafte dhe gazi, e fokusuar në kërkimin dhe zhvillimin e aseteve të saj në Shqipëri. Petromanas, ndërmjet zyrës së saj përfaqësuese, ka dy kontrata me ndarje prodhimi (KNP) me qeverinë shqiptare. Nën kushtet e KNP-ve, Petromanas ka 100% interesa në Blloqet D-E dhe 25% interesa në Blloqet 2-3, të cilat përbëjnë më shumë se 1.1 milionë akra bruto nën mbihipjen e brezit të Beratit. Petromanas gjithashtu ka asete eksplorimi në Francë dhe Australi.
Royal Dutch Shell plc është e inkorporuar në Angli dhe Uells, ka zyrat në Hagë dhe është e listuar në bursën e Londrës, Amsterdamit dhe Nju Jorkut. Kompanitë e Shell kanë operacione në më shumë se 70 shtete dhe territore me biznese të cilat përfshijnë kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit, prodhimin dhe marketingun e gazit natyror të lëngëzuar dhe të gazit në lëng; prodhimin, marketingun dhe shpërndarjen e produkteve dhe kimikateve të naftës, si dhe projekte të energjisë së rinovueshme.
BERZH
34 mln euro për rrugët rajonale e lokale
Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani, dhe përfaqësuesi i përhershëm i BERZH-it, për Shqipërinë, z. Fabio Serri, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Grantit në kuadër të fondeve IPA 2010/2011 ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Rrugëve Rajonale dhe Lokale.
Shuma prek vlerën 34,068,750 EUR, fond ky që do të përdoret tërësisht për financimin e punimeve civile për rehabilitim të rrugëve rajonale dhe lokale.
Programi i Rrugëve Rajonale dhe Lokale synon rehabilitimin e 1,000 – 1,500 km rrugë rajonale dhe lokale. Objektivi i programit është të përmirësojë përqasjen ndaj shërbimeve kryesore dhe tregjeve ekonomike nëpërmjet sigurimit të rrugëve të përshkueshme gjatë gjithë vitit për popullsinë, duke përfshirë:
(i) përmirësimin e seksioneve prioritarë të rrjetit rrugor rajonal;
(ii) përmirësimin e seksioneve prioritarë të rrjetit rrugor lokal;
(iii) forcimin e menaxhimit të rrjetit të rrugëve rajonale dhe lokale.
Ky program, i cili është parashikuar të ketë një kosto totale prej rreth 400 milionë USD, bashkëfinancohet nga Banka Botërore, OFID, Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Banka Islamike për Zhvillim dhe fonde të Bashkimit Europian (fonde grant në kuadër të asistencës së paraaderimit IPA, dhe grante në kuadër të Fondit të Investimit në Ballkanin Perëndimor). Agjencia Zbatuese e këtij Programi është Fondi Shqiptar për Zhvillim.
Tatimet
Tejkalohet plani; zbulohet tjetër skemë mashtruese
Drejtoresha e Tatimeve, Brisida Shehaj, ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp rezultatet e mbledhjes së të ardhurave për muajin tetor.
Sipas saj, për muajin tetor është realizuar plani i mbledhjes së të ardhurave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore në masën 106% krahasuar me planin e qeverisë së mëparshme.
“Të grumbulluara gjithsej si të ardhura tatimore janë 756 milionë lekë më shumë krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Kjo rritje prej 9% e krahasuar me vitin e kaluar tregon punën e re të administrimit që kemi vendosur, duke u mbështetur tek goditja e fortë e sjelljeve korruptive dhe skemave mashtruese, sikundër jeni njoftuar edhe më parë gjatë këtij muaji”.
“Këto të ardhura po zvogëlojnë gropën e zezë të gjetur në administratën tatimore, ku mbizotëronte presioni ndaj bizneseve, zhvatja dhe akte korruptive në dëm të qytetarëve, bizneseve dhe shoqërisë sonë. Kjo rritje prej rreth 9% e krahasuar me vitin e kaluar, tregon frymën e re të administrimit që kemi vendosur, duke u mbështetur te goditja e fortë e sjelljeve korruptive apo skemat mashtruese sikundër ju kemi njoftuar gjatë këtij muaji”.
Shehaj ka bërë të ditur se krahas skemës mashtruese të rimbursimit të TVSH-së me vlerën 515 milionë lekë, është arritur të zbulohet edhe një vlerë tjetër evazioni në masën e 295 milionë lekëve dhe kjo vetëm për dy javë.
Kjo shumë është kryesisht shmangie nga detyrimi për të deklaruar dhe paguar tatimet apo skema karusel të TVSH-së.
“Të gjitha këto zbulime janë kryer në bazë të auditeve të cilat vazhdojnë në çdo drejtori rajonale. Dua të falënderoj dhe biznesin, i cili ka qenë shumë bashkëpunues në zbulimin e këtyre skemave. Po punojmë që të rrisim dhe forcojmë bashkëpunimin me institucionet e tjera të shtetit shqiptar, që ky dëm të kthehet deri në qindarkën e fundit në arkën e shtetit. Gjithashtu po punojmë për të rritur edhe më shumë performancën e administratës në grumbullimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit”, tha Shehaj.
Mashtrimi me TVSH-në
Nisin arrestimet; zbardhet skema
Policia e Shtetit ka arrestuar dy punonjës të Drejtorisë së Tatimeve dhe shpallen në kërkim policor 7 persona të tjerë, 5 prej të cilëve punonjës të tatimeve dhe 2 përfaqësues biznesesh private. Arrestimi i tyre është bërë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 06.11.2013, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Vjedhjes me pasoja të rënda” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, parashikuar nga nenet 248, 134/3 dhe 287 i Kodit Penal. Të njëjtat masa janë caktuar edhe për shtatë persona të tjerë, për të cilët është bërë shpallja e kërkimit dhe po punohet për kapjen e tyre.
Arrestimi i këtyre personave lidhet me procedurën e rimbursimit të TVSH-së, gjatë zbatimit të së cilës janë konstatuar veprime të dyshimta nga ana e disa shoqërive tregtare dhe konkretisht 11 prej tyre janë aktivizuar, shitur, kontrolluar dhe kanë përfituar rimbursimin duke kërkuar më pas çregjistrimin brenda një periudhe disaditore. Të 11 shoqëritë e shitura janë blerë nga dy shtetasit shqiptarë, Mirjan Beneja dhe Gjergji Tupe. Shoqëritë menjëherë sapo kanë marrë rimbursimin në vlera të mëdha kanë kërkuar çregjistrimin në organin tatimor rajonal, si dhe shpalljen e falimentit pranë QKR-së. Si rezultat i këtyre veprimeve është shkaktuar një dëm rreth 515 milionë lekë të reja dhe në këtë veprimtari kriminale ka rezultuar të jenë përfshirë edhe punonjës të administratës tatimore rajonale Tiranë, si dhe dy ortakët e vetëm të shoqërive që kanë përfituar edhe rimbursimin e TVSH-së.
Takimi
Doganat shqiptare synojnë binjakëzim me ato franceze
Zj. Elisa Spiropali, drejtorja e përgjithshme e Doganave, ka zhvilluar një takim me z. Louis-Marie Elie, atasheun doganor të Republikës së Francës në Beograd.
Zj. Spiropali vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm që ka ekzistuar midis dy administratave doganore, si dhe kontributin e ofruar nga pala franceze. “Ne kemi qëllimin e mirë për të zgjeruar bashkëpunimin, komunikimin si dhe diskutimin për projekte konkrete. Gjithashtu propozoj zhvillimin e një takimi me drejtoren e përgjithshme të doganave franceze, si një mënyrë për të rritur dhe konsoliduar bashkëpunimin në të ardhmen”, tha drejtoresha e përgjithshme e Doganave.
Z. Elie rikonfirmoi bashkëpunimin me doganat shqiptare sipas linjave prioritare që do të vendosen në marrëveshje mes dy palëve. “Unë – shtoi z. Elie – do të jem përçuesi më besnik i fjalës dhe dëshirës për bashkëpunim dhe koordinim dypalësh te drejtorja e përgjithshme e doganave franceze”.
Gjatë takimit u vendos intensifikimi i kontakteve mes dy palëve, vendosja e linjave prioritare për një bashkëpunim sa më të frytshëm në të ardhmen, deri në arritjen e binjakëzimit mes dy administratave, si dhe zhvillimi i projekteve konkrete në terma afatmesëm dhe afatgjatë.
Gjermania dhe Shqipëria
Qeveria premton mbështetje për linjën energjetike me Kosovën
Gjermania është angazhuar në terma afatgjatë për të mbështetur Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik. Gjatë konsultimeve qeveritare rreth politikave për zhvillim, përfaqësues të të dy qeverive, shqiptare dhe gjermane, vendosën se si dhe në ç’formë do të vijohet më tej bashkëpunimi i ardhshëm.
Nën drejtimin e zv.kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi, dhe përfaqësueses së Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, znj. Angela Eckert, u përcaktua vijimësia e projekteve të mbështetjes gjermane të miratuara në vitin 2012.
Në kuadër të angazhimit tradicional të Gjermanisë në sektorët e energjisë, zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, furnizimit me ujë si dhe trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotur mendohet që në të ardhmen të konsolidohet, në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në sektorin e menaxhimit të mbetjeve. Pala shqiptare siguroi, se do të japë mbështetjen e plotë për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Shqipëri-Kosovë.
Pala gjermane shprehu vlerësimin për nismën e qeverisë së re shqiptare për të ecur e vendosur në rrugën e luftës kundër korrupsionit dhe zgjidhjes së problemeve mjedisore.
Gjermania e mbështet gjerësisht Shqipërinë prej vitit 1988. Kështu projekte të bashkëpunimit për zhvillim mes Gjermanisë dhe Shqipërisë kanë bërë të mundur garantimin e furnizimit të qindra mijë njerëzve me ujë të pijshëm të pastër dhe energji elektrike. Krahas kësaj, shumëkund është përmirësuar sistemi i trajtimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotura – përmendim këtu Pogradecin, Korçën, Shkodrën, Elbasanin, Beratin apo Gjirokastrën.
Veç të tjerash, projektet gjermano-shqiptare mbështesin gjerësisht shkollat e formimit profesional, si dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme, para së gjithash në rajonet rurale, duke nxitur përmes masave në infrastrukturë dhe mbrojtjes së mjedisit zhvillimin e potencialit turistik të vendit. Bashkëpunimi gjermano-shqiptar për zhvillim ndikon, ndër të tjera, edhe në aftësimin e Shqipërisë për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Qeveria,
konkurs për vende pune në Kryeministri
Qeveria do të hapë konkurs publik për vendet e lira të punës në njësitë e Kryeministrisë. Zv.kryeministri Niko Peleshi ftoi të gjithë të rinjtë, të cilët janë kreativë, dinamikë dhe të zotë të bëhen pjesë e këtij konkursi, i cili do të hapet gjatë kësaj jave.
“Kryeministria është qendra e ekselencës e administratës publike shqiptare. Ftojmë të gjithë të interesuarit që ndihen të aftë të jenë pjesë e ekselencës, të kthehen e të japin kontributin në një proces historik për të ardhmen e Shqipërisë. Do të inkurajojmë kreativitetin, studentët me ide kreative e dinamike të bëhen pjesë e konkurseve”, tha Peleshi.